Prej mëse një viti lufta me Covid-19 është shndërruar në sfidë globale. Që nga fillimi i pandemisë, vetëm në Shqipëri kanë humbur jetën mbi 2.340 persona nga kjo sëmundje, e cila me kalimin e kohës raportohet të ketë pësuar ndryshime edhe në simptomat që shfaq. Një studim britanik, i publikuar në muajin shkurt konfirmon këto gjetje për të cilat Faktoje kërkoi opinionin e ekspertëve dhe mjekëve të familjes në vendin tonë. Ata pohojnë konstatimin se të prekurit me covid paraqesin edhe probleme gastrointestinale, ndërsa dy anëtarë të Komitetit të Ekspertëve nuk iu përgjigjën interesimit tonë.
Sipas një studimi të kryer nga Mbretëria e Bashkuar tek 19,000 persona në periudhën midis 27 majit dhe 4 dhjetorit 2020, rezultoi se rreth 40% e tyre nuk shfaqnin një nga tre simptomat e konsideruara klasike: ethe, kollë e thatë e vazhdueshme ose humbje e shijes dhe nuhatjes. Bazuar te ky studim, nuk është e sigurt që një pacient me Covid duhet domosdoshmërisht të shfaqë simptomat e mësipërme. Sidoqoftë, simptomat e ngjashme me gripin mbeten tipari i veçantë i Covid-19.
Presidenti i Shoqatës Italiane të Mjekësisë së Përgjithshme dhe Kujdesit Parësor Claudio Cricelli i cituar nga Corriere della Sera thotë:
“Ndryshe nga vala e parë, në të cilën pacientët e moshuar shkuan në spital, sot shumë qëndrojnë në shtëpi dhe na tregojnë më mirë ndjenjat e tyre. Ethet, jo domosdoshmërisht të larta, por mbi të gjitha rraskapitja, këto të fundit që zgjasin edhe për një kohë të gjatë, janë simptomat që vëzhgojmë më shpesh tek pacientët e trajtuar në shtëpi.Në fillim të pandemisë simptomat që identifikonin Covidin ishin ethe,kollë, vështërsi në frymëmarrje, ndërsa tani ndryshimet që sjell Covidi gjatë këtyre muajve janë dhimbje koke, të përziera dhe më rrallë, diarre.”-thotë ai.
Simptomat e Covidit në Shqipëri,sipas ekspertëve
Në 11 mars, gjatë mbledhjes së Komitetit Teknik, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu konfirmoi se në Shqipëri ka hyrë variantit britanik i Covid 19.
“Rezultatet e testimeve të kryera treguan se kampionet janë të infektuar me variantin e ri. Ky mutacion që është në qarkullim në më shumë se 70 vende të botës sipas OBSH, është detektuar nga laboratori i ISHP. Shqipëria ka në qarkullim edhe këtë mutacion, variantin e ri, atë britanik, të Covid-19.”- tha ministrja.
Faktoje pyeti mjeken epidemiologe Silva Bino dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj që janë dhe anëtarë të Komitetit Teknik të Ekspertëve, nëse janë konfirmuar edhe ndryshim të simptomave të sëmundjes, por nuk morëm përgjigje.
Screenshot nga komunikimi me Drejtorin e Përgjithshëm të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj.
Faktoje pyeti edhe ekspertin e shëndetësisë Erion Dasho i cili u shpreh:
“Është e vështirë të flas në teori, pasi nuk kuroj pacientë shqiptarë. Në Shqipëri kemi variantin britanik dhe ky variant lidhet më tepër me simptomat gastrointesinale, por çdo gjë duhet të shikohet në praktikë.”
Ne kontaktuam një mjeke familjeje në Tiranë, e cila nuk dëshiroi të identifikohej, e cila pohoi se mundësia që simptomat e covidit të kenë ndryshuar ekziston.
“Unë e shikoj tek pacientët e mi, në fillim vinin me probleme në frymëmarrje, dhimbje fyti, tani vijnë edhe me dhimje barku, diarre, të vjella. Por, nuk di ta them në qoftëse kjo vjen nga Covid-19, nga varianti i ri britanik apo nga faktorë të tjerë si afrimi i stinës së verës.”-shprehet mjekja.
Një tjetër mjeke familjeje u shpreh:
“Na duhet kohë që të verifikojmë këtë studim. Jemi në fillim me këtë variantin britanik, edhe frika edhe padituria tek mjekët për mënyrën se si është ky variant është e lartë.”