Pretendimi: Kjo video tregon një shqiptar duke bërë simbolin e shqiponjës në Serbi
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————————-
Një video që ka marrë mbi 1 milionë shikime në Facebook pretendon se tregon një shqiptar që ndalon makinën dhe, gjatë një lidhjeje direkte televizive në Serbi, bën simbolin e shqiponjës me duar.
Megjithatë, disa detaje të videos na bëjnë të dyshojmë se ajo nuk është filmuar në Serbi.
Si fillim, në cep të ekranit vëmë re logon e radiotelevizionit shtetëror malazez RTCG.
Vëmë re gjithashtu se video përfshin edhe një pjesë të emrit të gazetares në ekran, e cila u identifikua nga Faktoje si gazetarja e RTCG, Marija Radulović.
Më tej, gazetarja dëgjohet të thotë, në serbisht: “Në orën 3 policia dhe qytetarët u shpërndanë […] e gjithë kjo u parapri nga një deklaratë e kryebashkiakut të Tuzit se nuk do të implementonin urdhërin e autoriteteve shëndetësore.”
Ndërkaq, në shiritin në pjesën e poshtme të ekranit lexohet titra: “Krivokapić: Vlada neće dozvoliti hajdučiju,” ose “Krivokapic: Qeveria nuk do të lejojë vjedhje.”
Zdravko Krivokapić, shërbeu si kryeministër i Malit të Zi nga viti 2020-2022.
Të dyja këto deklarata i referohen refuzimit të komunës së Tuzit në Mal të Zi të zbatonte masa më të rrepta kundër Covid-19 me urdhër të qeverisë, në fund të Shkurtit 2021.
Pra, video e mësipërme nuk është xhiruar në Serbi, por në Tuz të Malit të Zi. Sipas censit të 2011, 50% e qytetarëve janë vetëdeklaruar si shqiptarë. Komuna e Tuzit drejtohet nga autoritete shqiptare dhe ka gjithashtu të drejtën të përdorë gjuhën dhe simbolet shqiptare.