Pretendimi: Kjo foto tregon një menorah hebraike që është vendosur në Washington D.C. për ditën e inagurimit të Donald Trump
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————
Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon foto e një menorah, një shandan i përdorur në ritet hebraike, përpara Shtëpisë së Bardhë në ShBA, shoqëruar me pretendimin se ajo përbën “përgatitjet për ditën e inaugurimit” të Donald Trump në 20 janar.
Sipas postimit, vendosjen e menorah e ka “porosit baba (ose ata që e drejtojnë),” duke iu referuar një teorie konspirative antisemitike që pretendon se hebrenjtë kontrollojnë qeveritë dhe ekonominë globale.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se struktura në foto quhet Menorah Kombëtare, e cila ka qëndruar pranë Shtëpisë së Bardhë që në 1979. Ajo ndizet çdo vit në ditën e parë të festës hebreje Hannukah.
Hanukkah është një festival tetë ditor i dritave, i cili festohet nga të gjithë besimtarët hebrej me ndriçime të natës menorah, lutje të veçanta dhe ushqime tradicionale. Për shkak të ndryshimit të kalendarëve fetarë dhe atij zyrtar, ditët e celebrimit ndryshojnë çdo vit. Hannukah 2024 ka nisur të festohet me perëndimin e diellit në 25 dhjetor dhe do të zgjasë deri më 2 janar 2025. Ndërkohë, betimi i presidentit Trump është programuar të zhvillohet më 20 janar.
Foto që shoqëron postimin është postuar në faqen zyrtare të fondacionit që organizon ndezjen e Menorah Kombëtare.
Ajo është ngarkuar në këtë faqe në vitin 2021, gjatë presidencës së Joe Biden, tre vjet përpara se Donald Trump të rizgjidhej president në 2024.
Pra, struktura e mësipërme ka ekzistuar në lëndinat pranë Shtëpisë së Bardhë prej dekadash dhe foto e mësipërme është shkrepur në vitin 2021 ose më parë. Si rrjedhim, as menorah as foto nuk kanë të bëjnë aspak me inagurimin e Donald Trump si president në janar 2025.