.

.

Siguria ushqimore, kriter çalues për Shqipërinë?

Amanda Dushku, studente

Siguria ushqimore vazhdon të mbetet një shqetësim për konsumatorët shqiptarë. Ndodh shpesh që pas pazarit të kthehemi në shtëpi me një produkt që e ka tejkaluar datën e skadencës apo që ka shenja të dukshme të prishjes. Raste të tjera që lënë vend për shqetësim publik, janë kur produkte si mishi, peshku apo produkte të tjera, shiten në rrugë.

Në shtatorin e këtij viti u njoftua se salsiçet Wudy përmbanin një bakter me rrezik për shëndetin. Pas shumë akuzave, spekulimeve dhe kontrolleve u njoftua se salsiçet Wudy do ndalonin së qeni të ekspozuara në raftet e supermarketeve. Por, pas një verifikimi në disa supermarkete në Tiranë, vumë re se shitja e tyre vazhdon.

Një kërkesë për informacion e “Faktoje” drejtuar Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Ushqimore në lidhje me tregtimin e këtij produkti si dhe kryerjen ose jo të kontrolleve apo marrjen e masave, ka mbetur pa përgjigje.

Siguria ushqimore përveçse prek direkt konsumatorët është një nga kriteret kryesore për integrimin e Shqipërisë në BE.  Rregullat e higjienës së BE mbi prodhimin e produkteve ushqimore, sigurojnë një nivel të lartë sigurie ushqimore. Sipas raportit të progresit të vitit 2022, Shqipëria ka një lloj përgatitjeje për sa i përket sigurisë ushqimore dhe rregullave veterinare e sanitare, por akoma nuk ka bërë hapa dallues për të krijuar dhe përvetësuar një sistem koherent dhe të qëndrueshëm. Mungojnë mekanizmat konkrete që mundësojnë zbatimin e duhur në praktikë të ligjit.  Disa nga rekomandimet e Komisionit Evropian nga viti 2021 nuk ishin zbatuar plotësisht dhe vlejnë akoma.

Një ndër pikat e raportit të progresit është edhe rritja e kontrolleve duke përvetësuar metodologjinë e përmirësuar si dhe trajnimi i një stafi të mjaftueshëm për të zbatuar planet vjetore të inspektimit.

“Autoriteti Kombëtar ka akoma punë për të përmirësuar, cilësinë e statistikave të inspektimeve dhe menaxhimin e të dhënave, për të siguruar transparencë të të dhënave kombëtare”, theksohet në raport.

Klea Jaupaj, studente, 20 vjeç thotë se “gjithnjë nxiton të shohë datën e skandencës së produktit”.

“Më ka rastisur disa herë, të kthehem në shtëpi me produkte që kanë shenja myku, edhe nëse jane brenda afatit të skadencës. Do doja që të paktën të bëhej ndërrim i produktit, por në të shumën e rasteve, pikat ushqimore nuk i marrin mbrapsht”, rrefen ajo.

Produkt i prishur, brenda afatit të skadimit

Granit Sokolaj, i cili drejton “Alert”, një organizatë që synon mbrojtjen e konsumatorit thekson se “produktet me probleme si në rastin e mësipërm ishin vetëm një numër i caktuar lotesh. Mendoj që është diçka që mund t’i ndodhë cilësdo kompani. Mjafton që problemi të pikaset dhe të rregullohet pa shpërndarë panik”.

Lidhur me shitjen në rrugë të produkteve me origjinë shtazore, ai thekson se “ushqimet që shiten në rrugë përbëjnë vërtet një problem, pasi janë të pakontrolluara. Kemi analizuar bakteret e ushqimeve dhe ka me miliona ngarkesa mikrobike që janë mbi kufirin e lejuar. AKU kontrollon vetëm objektet e licensuara dhe produktet që shiten në rrugë nuk kanë asnjë lloj license. Por sipas ligjit, duhet kontrolluar çdo ushqim që përbën problem për shendetin e konsumatorit, përfshirë ato pa licensë. Për më tepër, policia bashkiake duhet të jetë më e rregullt me kontrollet lokale.

Νjë tjetër projekt që ka në fokus mbrojtjen e konsumatorit dhe sjelljen e praktikave më të mira të kontrollit të cilësisë dhe garantimit të sigurisë ushqimore është  ‘The Food Safety Project‘, financuar nga BE. Ai udhëhiqet nga Autoriteti i Sigurisë Ushqimore të Irlandës (FSAI) dhe mbështet Shqipërinë në përmirësimin e standardeve të sigurisë ushqimore nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme.

Edhe pse drejtuesit e këtij projekti nuk mund të japin një vlerësim lidhur me politikat aktuale të sigurisë ushqimore në vend dhe efektivitetin e tyre, ai i vjen në ndihmë vendit, në plotësimin e kritereve të BE-së dhe arritjen në nivelin e duhur për garantimin  e sigurisë  ushqimore. Sidoqoftë, progresi dhe arritjet  e synuara mbeten ende për t’u parë.

 

Ky shkrim është zhvilluar nga studentet në kuadër të projektit” Forcimi i kapaciteteve mbi verifikimin e Fakteve dhe anëtarësimi i Shqipërisë në EU i mbështetur nga Ambasada Suedeze.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img