Nga Jona Plumbi
Më 20 janar presidenti amerikan Donald Trump firmosi një urdhër që pezuloi të gjitha ndihmat financiare ndërkombëtare për 90 ditë. Qëllim ishte rishikimi i tyre në përputhje me politikat e reja të administratës së SHBA.
“Pauzë 90-ditore në ndihmën për zhvillimin e jashtëm të Shteteve të Bashkuara për vlerësimin e efikasitetit programor dhe konsistencës me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”, shkruhet në urdhër.
Nga momenti që ky informacion u bë publik, disa media, faqe në rrjet dhe opinione të ndryshme në studio televizive apo me shkrim, kanë keqinformuar, dhënë informacion të pjesshëm dhe përdorur situatën në favor të tyre.
Opozita demokrate i dha zë pretendimit të saj të vjetër se qeveria shqiptare është e varur nga George Soros dhe se urdhri i Trump është vetëm fillimi i fundit për të. Mediat nxituan të shpërndanin lajme që jepnin, në rastin më të mirë, informacion të pjesshëm dhe pa kontekst. Narrativa më pas u shumëfishua si pasojë e gazetarisë “copy-paste”.
Keqinterpretimi në media
Një nga keqinterpretimet që zuri më shumë vend në media ishte ndërprerja e ndihmës financiare për SPAK.


Aktorë të ndryshëm në Shqipëri, përfshi opozitën, e interpretuan vendimin e Presidentit Trump si një heqje fondesh për institucionet shqiptare, veçanërisht Prokurorinë e Posaçme SPAK. Kjo u nxit edhe më shumë nga një njoftim i Ambasadës Amerikane drejtuar Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme ku listohej një numër institucionesh të cilat nuk do të asistoheshin më nga SHBA.



Por, në fakt njoftimi i Ambasadës Amerikane flet për pezullimin e programeve të asistencës të financuara nga SHBA dhe jo për financim të drejtpërdrejtë të tyre.

Verifikimi i Faktoje tregoi me detaje sesi SPAK, si çdo institucion tjetër shqiptar, është i pavarur dhe financohet nga buxheti i shtetit. Mbështetja e SHBA-së për SPAK dhe BKH vinte vetëm në formën e trajnimeve, vizitave studimore, pajisjeve teknike etj.
Kjo nuk ndaloi median të shpërndante tituj abuzivë lidhur me atë çfarë ky urdhër nënkuptonte për Prokurorinë e Posaçme, SPAK.



Pas konfuzionit të krijuar, SPAK reagoi dhe njoftoi se mbështetja amerikane ndaj tyre nuk vjen në formë financimi. Kjo deklaratë u përcoll nga disa media me qesëndi, duke e keqcituar SPAK-un me qëllim nxitjen e reagimit të lexuesve për nivelin e lartë të pagave të prokurorëve.

Narrativa për “drejtësinë sorosiane”
Narrativa që shoqëroi pretendimin për “ndërprerjen e fondeve ndaj SPAK” ishte se reforma në drejtësi është financuar nga George Soros dhe se për këtë arsye Presidenti Trump ka ndaluar financimin.


Ky është edhe pretendimi i opozitës demokrate që SPAK-un e konsideron si organizatë që zbaton politikat e George Soros.


Përhapja e kësaj teze i intereson veçanërisht opozitës, e sidomos përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, pasi njëkohësisht me “projektin e Trump për desorosizimin” e shteteve, ajo, opozita, ka paralajmëruar edhe një heqje të mundshme nga Amerika të cilësimit si “non grata” të kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

Në fund, ardhja në Tiranë e drejtuesit të fushatës së Donald Trump, Chris LaCivita për të punuar me Partinë Demokratike gjatë fushatës elektorale përpara zgjedhjeve të 11 Majit 2025, plotëson kuadrin që opozita po mundohet të pikturojë për veten e saj në publik, si forca politike më pranë SHBA-së.

Por ndërsa opozita këtë narrativë e ka tezë të saj politike, pretendimi se SPAK nuk është një organizatë e pavarur u përhap edhe në media pa ndihmën e politikanëve demokratë.

Sulmi ndaj organizatave jo-fitimprurëse
Vendimi i Trump për pezullimin e ndihmave amerikane shkaktoi edhe një vale tjetër keqinformimi.
U desh vetëm një deklaratë e Elon Musk që USAID nga një organizatë me reputacion të lartë në Shqipëri, të kthehej në një “abuzuese fondesh” në retorikën publike.
Kur Musk, kreu i DOGE – Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë i Shtëpisë së Bardhë, i krijuar nga Trump më 20 janar për të ulur shpenzimet federale – e quajti USAID-in një “organizatë kriminale”, mediat, në disa raste, edhe me ndihmën e opozitës, nxitën urrejtje ndaj grupimeve sociale që nuk mbështeten nga politikat e administratës Trump, por edhe individëve të veçantë që drejtojnë organizata në Shqipëri që janë mbështetur nga këto fonde.



Publikimi i të dhënave që ekzistonin prej vitesh në faqen e USAID u shit si “zbulim të dhënash” dhe shifrat që vetë USAID ka shpërndarë përmes projekteve të saj, u përdorën për të ndezur reagimin e qytetarëve.

Në Shqipëri situata vajti deri në një “gjueti shtrigash” ku faqe të ndryshme në rrjete sociale publikuan emrat dhe pagat e drejtuesve të ndryshëm të organizatave të shoqërisë civile që financohen nga USAID, në shkelje të plotë të ruajtjes së të dhënave personale. Kjo nxiti një valë komentesh agresive dhe me tone urrejtjeje ndaj personave të listuar në publikime.


Së fundmi, kryetari i PD-së, Sali Berisha, e ka përfshirë Shqipërinë në një nga vendet kryesore në skemën e shpërdorimit të fondeve ndërkombëtare. Ai deklaroi se paratë e taksapaguesve amerikanë janë përdorur për pasurimin e elitave të majta dhe për kapjen e sistemit të drejtësisë. Berisha i bëri thirrje FBI-së të ndërmarrë një hetim me përparësi në Shqipëri për të nxjerrë të gjitha ato që ai i cilësoi “si shpërdorimet e mëdha në nivelin më të lartë qeveritar të Shqipërisë me paratë e taksapaguesve amerikanë”.
Përfundim
Ardhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe marrja e pushtetit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pritej të sillte ndryshime në raportet gjeopolitike dhe ndërkombëtare. Urdhrat e parë të firmosur nga Trump nxitën valë të forta reagimesh që shpesh u përcollën si informacion i cunguar në rastin më të mirë, ose si dezinformata me qëllim mbështetjen e tezave dhe pretendimeve të caktuara në rastin më të keq.