Faktoje është anëtare aktive e Rrjetit Ndërkombëtar Fact-Checking (IFCN) që prej janarit të vitit 2020 dhe firmëtare e Kodit të Parimeve, pjesë e Anti Disinformation Network në Ballkan prej datës 2 prill të vitit 2020 dhe anëtare e EFCSN Rrjetit Europian i Stadardeve të Fact-Checking). Faktoje është e dedikuar në luftën ndaj dezinformimin jo vetëm përmes fact-checking, por edhe përmes edukimit mediatik, trajnimeve, punës kërkimore dhe bashkepunimit me qytetarë, media, organizata të shoqërisë civile dhe kompani. (Kliko këtu për projektet tona).
Lexo më shumë për metodologjinë e tonë (këtu)
Misioni i “Faktoje” është të kontrollojë vërtetësinë e premtimeve, deklaratave dhe veprimeve të zyrtarëve publikë (dhe subjekteve që përfitojnë nga fondet publike) dhe më pas t’i thotë publikut të vërtetën
Vizioni
“Faktoje” kërkon një shoqëri që refuzon mashtrimin e zyrtarëve publikë ose subjekteve private.
Vlerat tona themelore janë: Përgjegjësia, saktësia, bashkëpunimi dhe puna në ekip, kurajo, pavarësia, integriteti, transparenca dhe besueshmëria. Përtej vlerave themelore, puna dhe vendimmarrja në organizatën tonë udhëhiqet nga këto parime: Idealizmi, këmbëngulja, qëndrueshmëria, serioziteti dhe gjithëpërfshirja.
Që prej themelimit të saj në 2018-n, sfidat e “Faktoje” kanë qenë, përzgjedhja e fakteve për t’u verifikuar, paanshmëria dhe vijueshmëria. Ky dokument pasqyron sesi kryhen këto procese.
- Historik i shkurtër i “Faktoje”
- Si financohemi
- Depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri
- Kodi i etikës
- Metodologjia
- Si i kategorizojmë deklaratat
- Si i korrigjojmë gabimet tona
- Fakto edhe ti!
- Dokumentet e auditit 2019 & 2020, 2021, 2022, 2023, 2024.
- Pasqyra financiare 2022, 2023, 2024.
- Udhëzime për Advokim
Historik i shkurtër i “Faktoje”
“Faktoje.al”, shërbimi parë fact-checking në Shqipëri nisi aktivitetin në vitin 2017. Themelimi i “Faktoje” u bë i mundur përmes fondit të granteve të USAID-it dhe nën kujdesin e Aleancës Gjinore për Zhvillim (GADC), me mbështetje nga Qendra Kombëtare e Studimeve Sociale (NCSS). Ekipi i “Faktoje” përbëhet nga redaktorë dhe gazetarë, që në fokus kanë verifikimin e deklaratave, premtimeve dhe veprimeve të zyrtarëve publikë si dhe institucionet më të rëndësishme të vendit. Prej korrikut 2019, “Faktoje” është regjistruar në gjykatë me nipt dhe funksionon si organizatë mediatike jo qeveritare, plotësisht e pavarur. (Kliko këtu për statutin dhe përditësimin e anëtarëve të bordit (përditësimi 1 dhe përditësimi 2).
Faktoje është pjesë e International Fact-Checking Network (IFCN) që prej janarit të vitit 2020 si anëtare firmëtare dhe pjesë e Anti Disinformation Network në Ballkan prej datës 2 prill të vitit 2020. Faktoje është e angazhuar të luftojë dezinformimin jo vetëm përmes verifikimit të deklaratave të zyrtarëve publikë, por edhe përmes trajnimeve, punës kërkimore dhe bashkepunimit me qytetarë, media,organizata të shoqërisë civile dhe kompani. (Kliko këtu për projektet tona).
Çfarë është “fact-checking”
“Fact-checking” ose verifikimi i fakteve është një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë. Qëllimi i fact-checking është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave të bëra në publik, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje të rëndësishme.
Si financohemi
Ne jemi transparentë në lidhje me burimet tona të financimit. Nëse pranojmë fonde nga organizata të tjera, sigurohemi që financuesit (donatorët) të mos kenë ndikim mbi përfundimet që arrijmë në raportet tona. Ne japim detaje mbi prejardhjen profesionale të të gjitha figurave kryesore në organizatën tonë dhe shpjegojmë strukturën tonë organozative dhe statusin ligjor. “Faktoje” për vitin 2022 financohet përmes projekteve: Programi MATRA nga Ministria e Punëve të jashtme e Mbretërisë së Vendeve të Ulta, IREX, NED dhe EU.
Dokumentet e auditit 2019 & 2020, 2021, 2022, 2023, 2024. Pasqyra financiare 2022, 2023, 2024.
Depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri
“Faktoje” është një organizatë e cila nuk angazhohet në aktivitete politike. Përzgjedhja për “fact-check” e deklaratave dhe premtimeve të politikanëve, zyrtarëve publikë dhe subjekteve që përfitojnë nga fondet publike, bëhet në bazë të ndikimit që ato kanë në jetën e qytetarëve. Ne e bëjmë kontrollin e fakteve duke përdorur një mënyrë standarde duke zbatuar metodologjinë, e cila është publikuar në faqen tonë zyrtare “Faktoje.al”, nënkategoria “Rreth nesh”. “Faktoje” përpiqet të jetë e balancuar dhe të verifikojë deklarata dhe premtime të përfaqësuesve nga i gjithë spektri politik (qeveria dhe nga opozita) dhe institucione të tjera publike. Ne ua lemë në dorë provave të diktojnë përfundimet tona.
Faktoje nuk punëson asnjë person që mban një pozicion të paguar apo të spikatur në një parti politike, në qeveri, apo në një kompani publike nën kontrollin e drejtpërdrejtë të një partie politike apo të qeverisë. Në asnjë rast “Faktoje” nuk do t’u kërkojë apo këshillojë lexuesve të votojnë për ndonjë parti politike, kandidat për post publik, apo politika të tjera përveç atyre që kanë lidhje me verifikimin e fakteve.
Faktoje i kërkon punonjësve që të mos bëjnë deklarata politike në emër të organizatës dhe të mos pranojnë dhurata, favore apo shërbime me kushte të favorshme në një mjedis pune që tejkalojn normat e zakonshme të sjelljes sociale dhe mirësjelljes.
Faktoje nuk do të lidhë asnjë marrëveshje apo partneritet me asnjë parti politike dhe do të adresojë çdo konflikt të arsyeshëm interesi apo njëanshmërie politike nga ekspertët apo organizatat që ka cituar apo përdorur.
Metodologjia
Metodologjia e “Faktoje” udhëheq ekipin redaktues dhe gazetarët në përzgjedhjen e temave, kryerjen e kërkimeve, strukturimin e artikujve ose videove, vlerësimin e pretendimeve dhe më e rëndësishmja, dhënien e verdiktit bazuar mbi fakte.
- Procesi i përzgjedhjes
- Ne mbledhim dhe verifikojmë deklaratat e zyrarëve publikë nga i gjithë spektri politik duke monitoruar:
- gazetat kryesore print ose online, kombëtare dhe lokale;
- agjencitë kryesore të lajmeve;
- faqet e internetit dhe profilet e rrjeteve sociale të përfaqësuesve politikë;
- faqet e internetit të partive
- faqet e internetit të ministrive dhe qeverisë
- Youtube dhe platforma të tjera video.
- Metodologjia e “Faktoje” udhëheq ekipin në përzgjedhjen e deklaratave për verifikim bazuar në rëndësinë dhe rezonancën e tyre në debatin publik dhe politik. Shmangim njëanshmërinë dhe përqendrimin në një politikan apo parti të vetme.
- Zgjedhim vetëm deklarata që bazohen në fakte ose të dhëna të verifikueshme.
- Citojmë deklaratën pikërisht ashtu siç është raportuar nga burimi duke e ilustruar me lidhjet e artikullit/videos/screenshot në mënyrë publiku të kontrollojë vetë deklaratën.
- Kur verifikojmë të dhënat citojmë burimet mbi të cilat bazojmë vlerësimet tona, në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi t’i kontrollojnë
- Metodat kërkimore
- Pyesim personin që ka bërë deklaratën se mbi ç’fakte e bazon atë
- Është e drejtë themelore ta vësh në dijeni subjektin se po verifikon deklaratat e tij/saj. “Faktoje” përzgjedh për “fact-checking” vetëm deklarata të bëra publikisht.
- Kërkojmë informacion zyrtar nga institucionet publike
- “Faktoje” kontakton institucionet publike bazuar në ligjin nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”.
- U referohemi mediave për fakte mbi çështjen
- Kërkojmë se çfarë kanë gjetur mediat e tjera para nesh. Ky kërkim mund të ndihmojë me fakte apo prova të reja në lidhje me verifikimin e deklaratës.
- Përdorim motorët e kërkimit online
- Gjatë verifikimnit kërkojmë për të dhëna në Google dhe motorë të tjerë.
- Verifikojmë në terren
- Verifikimi në terren është thelbësor për kategorizimin e premtimeve dhe deklaratave.
- Kërkojmë mendimin e ekspertëve
- Ekspertët kontribuojnë në një shpjegim shterues dhe të qartë të fakteve gjatë verifikimit.
Kategorizimi i deklaratave
Faktoje” përdor 4 kategori për deklaratat/ premtimet e verifikuara:
- E VËRTETË – Deklarata është e saktë dhe nuk i munungon fakt domethënës.
- GJYSMË E VËRTETË – Deklarata është pjesërisht e vërtetë dhe i mungojnë detaje të rëndësishme që lidhen me kontekstin
- E PAVËRTETË – Deklarata nuk është e saktë.
- PA KATEGORI – Deklarata rezulton çorientuese për mungesë ose mospërputhje faktesh, ndaj nuk mund të arrihet në një verdikt.
Publikimi i artikullit fact-checking
Pas rishikimit dhe miratimit nga redaktori përgjegjës artikulli publikohet në web dhe kanalet e tjera të komunikimit të Faktoje.
Si i korrigjojmë gabimet tona
“Faktoje” korrigjon gabimet (nëse ka) në lajmet e publikuara.
Faktoje është e angazhuar të korrigjojë gabimet në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme. Kur korrigjimi është i nevojshëm dhe publikimi origjinal nuk mund të editohet, korrigjimi shpërndahet në të njëjtin format dhe përmes të njëjtave kanale si publikimi origjinal, për të siguruar që audienca të njoftohet për informacionin e përditësuar.
Nëse një publikimi i shtohet një informacion i ri ai njoftohet me një shënim përditësues në të njëjtin publikim.
Në rastet kur gabimi është i rëndësishëm—pra ndryshon ndjeshëm përfundimet e hetimit ose devijon nga metodologjia e Faktoje-s—korrigjimi përfshin informacionin e saktë si dhe një shpjegim për rrethanat që çuan në gabim. Çdo informacion i ri i shtuar në një artikull shoqërohet me një shënim për përditësim brenda të njëjtit publikim.
*Lajmet e korrigjuara gjenden tek nënkategoria “Ankesa dhe Korrigjime”
Si vlerësohen kërkesat për korrigjim – pjesë e politikës së korrigjimeve të Faktoje
Faktoje merr seriozisht çdo kërkesë për korrigjim dhe i trajton ato në mënyrë të paanshme, të shpejtë dhe transparente. Çdo kërkesë për korrigjim mund të dërgohet nëpërmjet emailit zyrtar info@faktoje.al. Kërkesa duhet të përmbajë informacion të qartë mbi artikullin ose përmbajtjen në fjalë, si dhe sqarime mbi informacionin që konsiderohet i pasaktë, bashkë me burime që mbështesin korrigjimin e propozuar.
Pas marrjes së kërkesës, ekipi editorial i Faktoje e shqyrton atë brenda një afati të arsyeshëm, zakonisht jo më shumë se 5 ditë pune. Gjatë vlerësimit, verifikohen faktet përmes burimeve të besueshme dhe, nëse është e nevojshme, kontaktohen palët e përfshira. Nëse kërkesa rezulton e justifikuar, bëhet një korrigjim i qartë në përmbajtjen origjinale (nëse është e mundur) ose publikohet një korrigjim i veçantë në të njëjtat kanale si publikimi fillestar. Në çdo rast, Faktoje informon kërkuesin për rezultatin e vlerësimit. Kjo procedurë synon të garantojë integritetin e përmbajtjes së publikuar dhe të ruajë besimin e publikut.
Nëse dyshoni se ka ndonjë shkelje nga ana jonë e parimeve të gazetarisë apo kodit të etikës, ju mund t’i drejtoheni me ankesë edhe EFCSN duke plotësuar formularin që e gjeni në këtë link ose IFCN duke përdorur këtë link.
Fakto edhe ti!
Ju mund të dërgoni denoncimet, mesazhet dhe sugjerimet për “fact-check” duke klikuar rubrikën “Fakto dhe ti”. Për denoncimet e dërguara “Faktoje” merr të mirëqenë se jeni dakord t’i publikojmë ato, përveç rasteve kur ju vetë kërkoni mospublikimin ose ruajtjen e anonimitetit.
Udhëzime për Advokim – Faktoje
- Mbrojtja e Lirisë së Shprehjes
Promovojmë lirinë e shprehjes si një shtyllë themelore e demokracisë, duke kundërshtuar me vendosmëri gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin. Mbrojmë të drejtën për t’u shprehur, por edhe të drejtën për të mësuar të vërtetën. - Promovimi i Edukimit Mediatik
Advokojmë për edukimin mediatik në shkolla dhe komunitete. Thjeshtojmë temat komplekse dhe fuqizojmë qytetarët që të vënë në dyshim burimet, të dallojnë manipulimin e informacionit dhe të angazhohen në mënyrë kritike me median. - Mbështetja e Gazetarisë Etike
Promovojmë gazetarinë e bazuar në fakte, transparente dhe të përgjegjshme. Bashkëpunojmë me gazetarët, ofrojmë trajnime dhe denoncojmë praktikat joetike me fakte. - Forcimi i Qendrueshmërisë së Publikut ndaj Dezinformimit
Rrisim ndërgjegjësimin mbi mënyrat se si përhapet dezinformimi dhe si ndikon në opinionin publik. Përdorim artikuj, vizualizime dhe raste konkrete për të bërë të dukshëm kërcënim që vjen nga manipulimi i informacionit. - Barazia Gjinore
Përdorim një gjuhë gjithëpërfshirëse, fuqizojmë zërat e grave në media dhe vëmë në pah se si dezinformimi ndikon në mënyrë disproporcionale.