Xhevahir Zhabina
Retorika e një prej personazheve kryesore të tragjedisë së 21 janarit ka ndryshuar ndër vite. Lulzim Basha, në kohën kur drejtonte opozitën i cilësonte si shpifje hetimet e nisura nga drejtësia e vjetër, ndërsa riçeljen e hetimeve nga SPAK pak javë më parë e shikon si mundësi për të zbardhur ngjarjen. Pas vendimit detyrues të Gjykatës së Lartë, SPAK tashmë po kryen hetim për vrasjen e Aleks Nikës si dhe plagosjen e disa personave që mbetën të plagosur 13 vite më parë. Krahas hetimit të veprimeve të Gardës së Republikës, SPAK kërkon të hetohen edhe veprimet e personave politik të kallëzuar.
Ndryshimi i retorikës
“Shpifjet dhe akuzat e lodhura e të vjetra të planifikuesve të dhunës ndaj institucioneve, të të njëjtëve që sot kanë kriminalizuar institucionet”- kështu deklaronte Lulzim Basha, 10 prillin e 2015, ditë kur Ministria e Brendshem në atë kohë e kallëzoi për ngjarjet e 21 janarit.
Pas 9 vitesh, më 16 korrik 2024, tashmë vetëm në pozicionin e deputetit të parlamentit të Shqipërisë ai do të shprehej:
“Të hetojë gjithçka, plotësisht në mënyrë të paanshme dhe profesionale. Ky ka qënë mesazhi im në këto 13 vite dhe ky mbetet mesazhi im dhe natyrisht në funksion të këtij mesazhi kam qënë dhe mbetem në dispozicion të çdo akti të drejtësisë për të bërë zhbardhjen e plotë dhe drejtësinë e plotë për 21 janarin.” – Lulzim Basha, deputet.
Dukshëm nuk ka ngarkesa në deklaratën e tij, duke ofruar mbështetje për SPAK i cili vendosi të rihapë hetimet për këtë çështje, pas vendimit detyrues të Gjykatës së Lartë.
13 vite politikë dhe ping pong me dosjen
Prokuroria e Tiranës gjatë hetimeve pas ngjarjes arriti të zbardhë dy nga katër vrasjet e 21 janarit. Për ekzekutimin e Ziver Veizit u dënua me gardisti Agim Llupo, ndërsa ish drejtuesi i gardës Ndrea Prendi u dënua me 1 vit burg për vrasjen e Faik Myrtajt. Akuza e prokurorisë për vrasje me dashje u hodh poshtë nga gjykata, duke bërë që për katër vrasje në bulevard të jepeshin vetëm 4 vite burg. Për shkak të dëmtimit të predhës që vrau Aleks Nikën nuk u bë e mundur të përcaktohet, arma që e qëlloi. Ndërsa Hekuran Deda, u vra nga një plumb tejshpues dhe predha nuk u gjet. Pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste në 2013 herë pas herë janë bërë kallëzime në prokurori, por pa u paraqitur asnjë provë e re duke bërë që çështja të përdoret politikisht në momente të caktuara apo në përvjetore të kësaj tragjedie.
Roli i Bashës dhe Berishës sipas kallëzuesve dhe mos hetimi përtej gardistëve
Familjarët e viktimave të 21 janarit me anë të një kallëzimi kërkuan nga Prokuroria e Posaçme të rihetohej kjo çështje. Ata akuzojnë ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e brendshëm Lulzim Basha, ish-kreun e Gardës së Republikës, Ndrea Prendin dhe ish-gardistin Agim Llupo se kanë funksionuar në formën e një organizate kriminale për të kryer vrasje në rrethana cilësuese kundër dy, ose më shumë personave.
Kallëzimi nuk u mor parasysh nga Prokuroria e Posaçme e cila ia delegoi Prokurorisë së Tiranës, me argumentin se atje po kryhet një hetim dhe se nuk janë identifikuar zyrtarë të lartë të përfshirë në paligjshmëri.
Por, ndryshe ka argumetuar në vendim Gjykata e Lartë, e cila thotë se në kallëzim janë të identifikuar personat, pozicioni i tyre dhe SPAK duhet të hetojë pretendimet e ngritura nga familjarët e viktimave.
VENDIMI (https://faktoje.al/wp-content/uploads/2024/08/gjykata-e-larte.docx)
Për gjykatën është rasti që prokuroria të shtrijë hetimet përtej ekzekutuesve të krimit efektivevë të Gardës së Republikës, përfshirë edhe nivelin komandues të saj. Kjo për faktin se asnjëherë këto 13 vite nuk është tentuar për të shkuar tek përgjegjësitë e drejtuesve politik në atë kohë.
“Të paballafaquar minimalisht (në të njëjtën kohë) me indiciet individualizuese, evidentuese të implikimit të nivelit më të lartë drejtues shtetëror,përfshirë Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm të kohës përtej atij të mirëfillte ekzekutues të vëna në dispozicion të organit të procedimit.” – Vendimi i Gjykatës së Lartë.
Kritikat për shkelje të ligjit nga SPAK dhe dy gjykatat e posaçme
Me argumentin se kjo ishte një çështje që po hetohej nga Prokuroria e Tiranës drejtuesi i SPAK, Altin Dumani vendos ta dërgojë çështje në këtë prokurori. Pa kryer asnjë verifikim apo veprim hetimor, 8 ditë pas kallëzimin dosja përfundon në një prokurori normale.
“Prokuroria e Posaçme thotë që ka një çështje penale të hapur , kallëzimi juaj nuk më sjell asgjë më tepër, kështu që unë po pres prokurorinë e Tiranës. Në rast se ajo konkludon që vrasjet janë kryer nga zinxhiri komandues duke shpërdoruar detyrën për shkak të cilësive të veçanta atëherë procesi hetimor do të kalojë në SPAK.”– thotë për Faktoje, Eugen Beçi, ish-Prokuror.
Vendimi i SPAK ankimohet në Gjykatën e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Ales Nikës, por kjo gjykatë i jep të drejtë SPAK-ut. E njëjta gjë ndodh edhe në Apelin e Posaçëm.
Gjykata e Lartë është e shumë e ashpër në argumentimin e saj kur thotë se dy vendimet janë të paligjshme.
“Kolegji konsideron vendimmarrjen e dy gjykatave, gjyqtarit për hetimet paraprake të vesuar prej paligjshmërisë, zbatimit të gabuar të ligjit procedural penal.” – Vendimi i Gjykatës së Lartë.
“Gjykata e Lartë argumenton drejt pasi Prokuroria e Posaçme duhet të merrte në konsideratë në mënyrë empirike kallëzimin nga familjarët e viktimave për të kryer një hetim që mund të çonte në ngritjen apo jo të akuzave.”- Eugen Beçi , ish-Prokuror.
Strasburgu: Hetim i mangët nga prokuroria shqiptare
Gjykata e Lartë sjell si argument tjetër edhe Vendimin e Gjykatës Evropiane për Drejtat e Njeriut, e cila ka konstatuar se në hetimin e vrasjes së Aleks Nikës nga prokuroria shqiptare ka mangësi të shumta, që lidhen se kush ka dhënë urdhërin për të qëlluar, kush fshiu filmimet dhe pse është qëlluar në lartësinë e njeriu nga oficerët e gardës.
Sipas Strasburgut, deklaratat publike të nënpunësve të lartë pas ngjarjes kanë ndikuar në hetim. Në atë kohë ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se bazuar në të dhënat paraprake të ekspertëve dhe mjekëve protestuesit ishin qëlluar nga afër dhe armë të lehta.
VENDIMI (https://faktoje.al/wp-content/uploads/2024/08/Ceshtja-Nika-kunder-Shqiperise.docx)
“Deklaratat publike të nxituara më pas, të bëra nga nëpunës të lartë, se viktimat ishin qëlluar nga një distancë e afërt dhe me armë që ishin të ndryshme nga ato që përdoreshin nga Garda ose policia, ngrenë dyshimet nëse autoritetet ekzekutive ishin të përkushtuara që në fillim për të zbardhur plotësisht ato ngjarje të rënda dhe për të mos devijuar apo ndërhyrë në mënyrë të papërshtatshme në hetimin penal.” – Vendimi i GJEDNJ-së.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut prek dhe një pikë shumë të diskutuar përgjatë këtyre 13 viteve, mosekzekutimi nga ana e policisë i urdhër-arresteve për zinxhirin drejteus të Gardës së Republikës.
“Akoma më i rëndësishëm është fakti që përveç humbjes së kohës së çmuar, autoritetet humbën në mënyrë të pakthyeshme mundësinë për të marrë në pyetje të dyshuarit menjëherë pas ngjarjes, duke minimizuar kështu çdo mundësi për marrëveshje të fshehtë ose shtrembërim të së vërtetës.” – Vendimi i GJEDNJ-së.
Rezultati, nisja e hetimeve nga SPAK, jo për të gjithë vrasjet
SPAK njoftoi në 16 korrik se kishte nisur hetimin pas vendimit detyrues të Gjykatës së Lartë për vrasjen e Aleks Nikës dhe plagosjen e Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papas.
“Dy vrasjet e tjera Ziver Veizit dhe Faik Myrtës, që janë mbyllur me vendim gjykate, ligji shqiptarë nuk mund t’i shohë për rigjykim, sepse rigjykimi në ato raste jepet vetëm për të lehtësuar pozitën e të dënuarve.”- Eugen Beçi , Ish-Prokuror.
Megjithatë hetimi i SPAK në këtë rast pritet të jetë gjithëpërfshirës për të përcaktuar edhe armën që qëlloi mbi protestuesin tjetër Hekuran Deda, vrasje tjetër e pazbardhur e kësaj tragjedie.
Përfundim
Nisur nga verifikimet e kryera, deklaratën ku Lulzim Basha i cilësonte hetimet e 21 janarit si shpifje, do ta kategorizojmë të pavërtetë.