.

.

BallinaProjekteQendra Kundër Dezinformimit e Ballkanit PerëndimorSi e përdorën mediat artikullin e New York Times në favor të Kryeministrit

Si e përdorën mediat artikullin e New York Times në favor të Kryeministrit

Lajmet për çështjen Mcgonigal dhe lidhja me Kryeministrin Rama ka mbushur titujt kryesorë të mediave prej javësh. Mes tyre dhe shumë spekulime kanë qarkulluar lirshëm në media dhe rrjet duke përhapur informacion të pavërtetë.  I tillë është lajmi i publikuar nga mediat shqiptare me titull “New York Times rrëzon akuzat: McGonigal s’e fshehu marrëdhënien me Ramën, kontaktoi me email e telefon zyrtar”. “Faktoje” sjell faktet nga dosja hetimore për të vërtetuar pasaktësitë në këtë artikull.

Jona Plumbi

Çështja McGonigal dhe përfshirja e kryeministrit shqiptar në aktakuzat e prokurorisë amerikane vijon të mbetet temë “e nxehtë” në Shqipëri. Kjo sidomos për shkak të faktit se kryeministri nuk është përgjigjur ende për shumë pyetje që lindin pas leximit të dy aktakuzave të FBI-së drejtuar McGonigal, ish-shefit të FBI-së të akuzuar për thyerje të sanksioneve ndaj Rusisë dhe për disa akuza të tjera. Pjesa më e madhe e artikujve të publikuar në rrjet lidhur me këtë çështje, e bëjnë të dukshme se autori i artikullit, nuk e ka lexuar dokumentin zyrtar mbi të cilin bazohet lajmi.

Kjo ka ndodhur edhe me lajmin që citon një tjetër media mbi lajmin, në këtë rast New York Times, dhe jo dokumentat zyrtare që janë publike. Ky lajm është publikuar fillimisht më 29 janar nga ZgjohuShqiptar dhe Konica.al, dhe më pas është botuar edhe ne 3 Shkurt nga RTSH, Shqiptarja.com, Gazeta Tema dhe lexo.al.

Është lehtësisht e dallueshme që një pjesë e shkrimeve përsërisin tezat që kryeministri ka thënë në mbrojtje të tij, i pyetur nga gazetarët në studio televizive.

McGonigal nuk fshehu marrëdhënien me Ramën

Në fakt, pavarësisht nga çfarë thotë opozita shqiptare, fshehja e takimeve mes McGonigal dhe Ramës, që në disa prej artikujve të sipërcituar është vendosur në thonjëza (“fshehur”), është fakt i verifikueshëm lehtësisht në dokumentat e prokurorisë amerikane. Madje, fshehja e informacionit për udhëtime drejt Shqipërisë, takimet me kryeministrin Rama dhe arsyet e këtyre takimeve përbëjnë një nga akuzat e drejtpërdrejta ndaj McGonigal. “Faktoje” ka zbardhur dokumentin e prokurorisë amerikane ku theksohet se McGonigal ka fshehur disa herë në formularët e FBI-së takimin me Kryeministrin Rama.

Artikujt mundohen të argumentojnë pretendimin e ngritur në paragrafin e parë, duke dhënë si mbështetje shkrimin e botuar nga New York Times. “Në fakt kjo rrëzohet nga një shkrim i botuar sot nga prestigjiozja amerikane ‘New York Times’, që e bën të qartë se z. McGonigal ka përdorur kredenciale zyrtare, emailin zyrtar dhe telefonin zyrtar për të komunikuar me Ramën dhe qeverinë shqiptare dhe kjo është shumë e qartë se ai nuk kishte si qëllim ta fshihte këtë marrëdhënie.” – shkruan gazeta shqiptare.

Një lexim i thjeshtë i aktakuzës tregon se takimin e shtatorit 2017, McGonigal e njoftoi paraprakisht si një udhëtim “jozyrtar” në Shqipëri.

*faksimile e aktakuzës së Columbias për McGonigal

Njëkohësisht, si u përmend më sipër, McGonigal pasi u kthye nga ky udhëtim gënjeu mbi takimin e kryer me Kryeministrin Rama në formularin e FBI-së.

*faksimile e aktakuzës së Columbias ku F.B.I. tregon se McGonigal fshehu prej tyre takimin me Ramën

Pavarësisht kësaj, një pjesë e mediave zgjodhën të theksojë faktin se komunikimi për të lënë takimin McGonigal-Rama u bë nga emaili zyrtar i FBI-së, dhe kjo sipas artikullit tregon që McGonigal nuk po e fshihte marrëdhënien me Ramën. Kjo edhe pse FBI-ja e ka faktuar se McGonigal ka gënjyer në formular kur raportonte udhëtimin për në Shqipëri, duke mos njoftuar takimin me kryeministrin Rama.

Shkrimi i New York Times për çështjen McGonigal, të cilës i referohen artikujt e mësipërm, në fakt, ngre një akuzë tjetër për Kryeministrin Rama kur shkruan se “Ndërsa McGonigal ishte ende në F.B.I., ai zhvilloi një marrëdhënie me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe ndërmori hapa në dobi të politikanit…

Se cilat hapa ndërmori McGonigal në dobi të kryeministrit shqiptar, mbetet në dorë të drejtësisë shqiptare dhe asaj amerikane për t’u zbardhur.

Takimi normal McGonigal – Rama – Neza

Artikujt gjithashtu pretendojnë se New York Times ka faktuar vërtetësinë e deklaratave të kryeministrit Rama në daljet televizive. Sipas lajmeve “Rama ka treguar edhe faktin e rëndësishëm se ka qenë pikërisht zyrtari i FBI që e ka kontaktuar i pari atë duke i kërkuar takim. Dhe në takim është biseduar për çështjet të rajonit dhe interesave ruse, ndërkohë që në takim i ka prezantuar edhe Agron Nezën si një shqiptaro-amerikan që e njihte.”

Ajo që këto media nuk përkthyen nga artikulli i New York Times është fakti se, gjatë takimit që kryeministri thotë se u fol për çështje të rajonit dhe interesave ruse, McGonigal i nxitur prej Agron Nezës, i kërkoi kryeministrit Rama të merrte një vendim qeveritar në përfitim financiar për të dhe Agron Nezën.

Dukshëm, përmbajtja e këtij takimi nuk ka të bëjë aspak me punët e Byrosë Federale të Hetimit Amerikan. Aq më pak është shpjeguar kërkesa e zyrtarit të FBI-së drejtuar kryeministrit Rama, një kërkesë e bërë në takimin jozyrtar të McGonigal në Shqipëri, të cilin e fshehu nga autoritetet. Një gjë është e sigurt, që pas hetimit të kryer dhe zbulimit të takimeve të fshehura, FBI-ja nuk e ka konsideruar një marrëdhënie normale atë mes McGonigal dhe kryeministrit Edi Rama.

Paratë që Mcgonigal i mori borxh Nezës

Një tjetër shtrembërim informacioni në artikujt e sipërcituar, që përputhet plotësisht me tezën e përdorur nga Kryeministri Rama, është ajo që në lajm quhet “mosdeklarim borxhi”.

Në fakt, aktakuza e FBI-së ndaj Mcgonigal flet për skemën që ka përdorur i akuzuari lidhur me këto para. Sipas aktakuzës, skema e përdorur nga McGonigal synonte fshehjen e natyrës së marrëdhënies së tij me Agron Nezën dhe faktin se ai i kërkoi dhe i mori 225,000 dollarë në tre pagesa të ndryshme, një prej të cilave e mori në parkingun e makinave.

FBI thekson në aktakuzë se McGonigal jo vetëm fshehu marrjen e parave nga Agron Neza, por fshehu edhe disa udhëtime në Europë që i kreu bëshkë me Nezën. McGonigal dhe Neza ishin bashkëpunëtorë në biznes që prej kohës kur McGonigal shërbente ende si zyrtar i FBI-së, gjë që e bën të detyrueshme deklarimin e marrëdhënies mes të dyve për shkak të konfliktit të interesit.

Për këto arsye, interpretimi i marrjes së parave si “mosdeklarim borxhi” është plotësisht i nxjerrë nga konteksti pasi e vlerëson marrjen e parave si të shkeputur nga faktet e tjera të fshehura të kësaj marrëdhënieje mes të dyve.

McGonigal nuk punoi për oligarkun rus

Një pjesë e mediave ofrojnë edhe një tjetër informacion të gënjeshtërt, që në mungesë të kontekstit është i pamundur për t’u kuptuar nga lexuesit.

Sipas tyre “në një shkrim tjetër, New York Times shkroi se nuk ka asnjë tregues që të provojë edhe akuzën tjetër ndaj McGonigal se punonte për oligarkun rus, Oleg Deripaska gjatë kohës që ishte në detyrë. Pra kjo akuzë e ngritur ndaj Mc Gonigal mund të bie pasi nuk provohet asnjë lidhje e tij me oligarkun rus gjatë kohës që ishte shefi i sektorit të kundërzbulimit në FBI.”

Ky pretendim është publikuar si lajm edhe në media të tjera, pa kryer as verifikimin më të vogël të informacionit të ofruar.

Në fakt, aktakuza e New Yorkut nuk akuzon aspak McGonigalin për shkeljen e ligjit në favor të oligarkut Deripaska gjatë kohës kur punonte në FBI. Aktakuza thekson se McGonigal, në shkelje të sankioneve të vendosura nga SHBA ndaj Oleg Deripaskaës, i ka ofruar shërbime Deripaskës dhe ka kryer pastrim parash për t’u paguar prej tij gjatë viteve 2019 – 2021, pra të paktën një vit pasi Mcgonigal ishte larguar nga FBI-ja në 2018-ën.

Ndaj, edhe pse është e vërtetë që McGonigal nuk ka punuar për oligarkun rus gjatë kohës që punonte për FBI-në, është gjithashtu e vërtetë se akuzat e prokurorisë amerikane nuk mund të bien për këtë arsye, pasi Mcgonigal akuzohet paligjshmëri në favor të oligarkut pasi është larguar nga FBI-ja.

Përfundimi

Është e dukshme se përfundimi i arritur nga artikujt e mediave shqiptare, që interpretojnë vetëm pjesë të informacionit të ofruar nga “New York Times”, është i pasaktë. Ballafaqimi i informacioneve të servirura nga ZgjohuShqiptar, Konica.al, RTSH, Shqiptarja.com, Gazeta Tema dhe lexo.al janë të nxjerra jashtë kontekstit dhe sjellin keqinformim për lexuesit.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img