BallinaAktiviteteMbajtja e premtimeve dhe transparenca, Faktoje prezanton rezultatet e raportit të monitorimit në Bashkinë Krujë

Mbajtja e premtimeve dhe transparenca, Faktoje prezanton rezultatet e raportit të monitorimit në Bashkinë Krujë

Në Bashkinë e Krujës u prezantuan gjetjet e raportit mbi transparencën dhe llogaridhënien, në kuadër të projektit “40 premtime, 10 bashki”, që Faktoje zhvillon për të tretin vit radhazi në bashkëpunim me organizatën National Endowment for Democracy (NED). Sipas raportit, këtë vit Bashkia e Krujës renditet në vendin e pestë me 68.7% të transparencës, duke përmbushur 11 nga 16 indikatorët që rrjedhin nga detyrimet ligjore për funksionimin e pushtetit vendor dhe ai për të drejtën e informimit. Për sa i përket mbajtjes së premtimeve të bëra nga kryebashkiaku Artur Bushi rezulton se dy prej tyre janë pjesërisht të mbajtura dhe dy të tjerë të pambajtur.

Faktoje prezantoi këtë të premte, 24 shkurt 2023, përpara përfaqësuesve të Bashkisë Lezhë dhe gazetarëve lokalë gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas monitorimit të kryer në harkun kohor të një viti mbi punën e kësaj bashkie.

Ky monitorim vjen në zbatim të Projektit “40 premtime, 10 bashki”, e mbështetur për të tretin vit radhazi nga organizata National Endowment for Democracy (NED).

Pjesë e monitorimit për vitin 2022 ishin 10 bashki; Shkodra, Lezha, Dibra, Durrësi, Vora, Rrogozhina, Lushnja, Shijaku, Kruja dhe Kurbini; 6 prej të cilave u përzgjodhën si bashki të prekura nga tërmeti i vitit 2019 dhe pjesa tjetër për arsye të mbajtjes së zgjedhjeve të pjesshme vendore në mars 2022.

Monitorimi është bazuar në dy elementë krysorë: nivelin e transparencës së pushtetit vendor, si dhe përmbushjen e premtimeve elektorale të dhëna gjatë fushatës.

Nisur nga ky monitorim, niveli i transparencës për Bashkinë Krujë arrin në 68.7%, duke e renditur atë në vendin e 5, nga 10 bashki të monitoruara në total. Kjo përqindje është llogaritur përmes 16 indikatorëve të matjes së transparencës që rrjedh nga kuadri ligjor vendas.

Sa i takon mbajtjes së premtimeve, Bashkia e Krujës ka përmbushur pjesërisht dy nga katër premtimet elektorale, ndërsa dy të tjerat rezultojnë të pambajtura.

Prishja/demolimi i pallateve të dëmtuara nga tërmeti- Premtim pjesërisht i mbajtur

Ndërtimi i 13 objekteve arsimore për vitin e ri shkollor- Premtim pjesërisht i mbajtur

Ndërtimi i ujësjellësit të Krujës dhe Fushë-Krujës, Ujë +16 orë-Premtim i pambajtur

Zgjerimi i rrugës së Spitalit të Krujës-Premtim i pambajtur

Përfaqësuesit e Bashkisë së Krujës vlerësuan gjetjet e raportit, duke dhënë edhe detaje për secilin prej këtyre premtimeve.

Në lidhje me premtimin e bërë për demolimin e pallateve, ata sqaruan se aktualisht janë shembur të gjithë dhe pritet ndërtimi i objekteve të reja.

Ndërkohë, për sa i përket mosmbajtjes së premtimit për disa nga 13 objekteve arsimore, Bashkia renditi si arsye disa detaje teknike që lidhen me ndryshime të vendimmarrjes së donatorëve.

Për ndërtimin e ujësjellësit në Krujë dhe Fushë-Krujë ata bënë të ditur se po vijon puna në këto dy zona dhe pritet që të përfundojë para verës së këtij viti.

Ndërkohë, zgjerimi i rrugës së spitalit është praktikisht i pamundur të realizohet sipas përfaqësuesve të Bashkisë, duke shtuar se është investuar në asfaltimin e saj.

Synimi i projekti “40 premtime, 10 bashki” për vitin 2022, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) ishte monitorimi i bashkive sa i përket mbajtjes së premtimeve dhe transparencës, me qëllim që t’i ndihmojë bashkitë e monitoruara të rrisin transparencën, të nxisin llogaridhënien si dhe të përmiresojnë shërbimet për qytetarët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img