Komiteti për Punët e Jashtme i Parlamentit Evropian miratoi një raport të ri për Shqipërinë, në 4 Qershor 2025 me 57 vota pro, 11 kundër dhe 6 abstenime duke rikonfirmuar statusin e saj si një nga vendet e Ballkanit Perëndimor me mbështetjen më të lartë për anëtarësimin në BE, dhe me një mesazh të qartë: ka ende shumë për të bërë.

Raporti në një anë përshëndet përputhshmërinë e Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe synimin ambicioz për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali e quajti raportin si një konfirmim të qartë që “Shqipëria mbetet një histori suksesi” dhe “një vend pararojë për anëtarësimin në BE”.

“Raporti nënvizon qartësisht angazhimin e qëndrueshëm të Shqipërisë ndaj reformave kyçe, përfshirë forcimin e shtetit të së drejtës, funksionimin e institucioneve të drejtësisë të dala nga reforma, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe të pakicave si dhe përparimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.” – tha Spiropali nga Kryesia e Kuvendit.

Si duhet kuptuar rezoluta

Në thelb, kjo rezolutë përmblodhi të gjitha problematikat që ka Shqipëria, shpjegon studiuesi Afrim Krasniqi – si nevojën për forcimin e institucioneve të pavarura dhe institucioneve të drejtësisë, nevojën për akte ndaj korrupsionit, për reforma të thella, dialog politik dhe për një lloj qasje europiane të shoqërisë dhe jo vetëm përdorim politik të konceptit të europës dhe integrimit europian.

“Për rastin konkret do duhej që parlamenti shqiptar ta trajtonte rezolutën për të hartuar një draft kalendar reformash dhe ndërhyrjesh konkrete. Psh parlamenti ka miratuar udhëzuesin për funksionimin e institucioneve demokratike dhe pothuajse asnjë nga masat që është parashikuar me faza kohore nuk është jetësuar.” – Afrim Krasniqi.

Afrim_Krasniqi_per-Faktoje

Për Gledis Gjipalin, njohës i politikave europiane dhe drejtues ekzekutiv i “Lëvizjes Europiane Shqiptare”, duke e lexuar në vijimësi të raporteve e deklaratave të mëparshme të Komisionit apo Parlamentit Europian, kjo rezolutë nuk ka asgjë të re.

“Përgjithësisht raporti i qëndron vlerësimeve të Komisionit Europian për Shqipërinë ku vlerësohet ecuria pozitive, si dhe identifikohen fushat apo çështjet që duhen trajtuar me përparësi.  Spikat thirrja për urgjencë në thellimin e intensifikimin e reformave, duke qenë se synimi i Shqipërisë është të përfundojë bisedimet për anëtarësim në 2027. Gjithashtu vihet re si dhe herët e tjera vlerësimi jo pozitiv për mungesën e dialogut politik ku vazhdojmë të kemi polarizim dhe retorikë konfliktuale.” – Gledis Gjipali.

Mënyra sesi reaguan institucionet shqiptare mendoj që është e gabuar nga të gjitha palët politike. Secila palë përfitoi nga fakti që anetarë të komisionit janë përfaqësues të partive politike dhe në deklarimet e tyre theksuan afrimitetin që ata kanë me subjete të caktuara në Shqipëri.” – argumenton Afrim Krasniqi .

Në përfundim, rezoluta sipas Krasniqit i përshtatet prioriteteve të shoqërisë shqiptare dhe  duhet përdorur si një planimetri për të projektuar rrugën drejt integrimit europian dhe jo në funksion të axhendave personale dhe afatshkurtra politike.

Çfarë shkruhet në rezolutë

Komiteti për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian mirëpiti “përparimin e bërë në reformën në drejtësi dhe në hetimin e korrupsionit të lartë”, por e sheh ende si sfidë ndërhyrjen politike, duke kërkuar përpjekje të vazhdueshme për ruajtjen e pavarësisë së gjyqësorit.

Komiteti shprehu “nevojën urgjente” për të përmirësuar pavarësinë e gjyqësorit, për të luftuar krimin e organizuar dhe për të mbrojtur të drejtat themelore. Pluralizmi mediatik dhe transparenca institucionale u veçuan në raport si thelbësore.

Ndërhyrjet e huaja, veçanërisht ato të lidhura me Kremlinin, kërcënojnë proceset demokratike dhe ambicien europiane të Shqipërisë – shkruan rezoluta. Në lidhje me procesin zgjedhor, raporti përshkruan zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 si “garuese”, por të zhvilluara në një klimë të tensionuar politike, me shqetësime për përdorimin e burimeve të administratës. Eurodeputetët kërkojnë reforma të thella në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.