Në Shqipëri nuk tregtohet asnjë nga shurupet e rrezikshëm për fëmijë që referoi Organizata Botërore e Shëndetësisë këtë fillim tetori. Agjencia Kombëtare e Barnave konfirmoi zyrtarisht për Faktoje se katër shurupet e cilësuar si të pasigurtë nga OBSH, nuk janë të autorizuar për tregtim në Republikën e Shqipërisë. Edhe nga një vëzhgim i Faktoje në farmaci të ndryshme të Tiranës rezultoi se këto produkte nuk kanë qenë ndonjëherë pjesë e tregut shqiptar të barnave. Megjithatë publiku duhet të jetë i informuar se cilët janë 4 shurupet e rrezikshëm të kollës sipas OBSH.
“Produktet nën standarde të referuara në këtë sinjalizim janë të pasigurta dhe përdorimi i tyre, veçanërisht te fëmijët, mund të rezultojë në lëndime serioze ose vdekje.” Me këtë paralajmërim serioz Organizata Botërore e Shëndetësisë ngriti alarmin më 5 tetor mbi rrezikshmërinë e lartë në përbërjen e katër shurupeve të kollës për fëmijë.
Referuar njoftimin zyrtar të OBSH-së bëhet fjalë për shurupe të prodhuara në Indi që mbajnë këto emra : “Promethazine Oral Solution”, “Kofexmalin Baby Cough Syrup”, “Makoff Baby Cough Syrup” dhe “Magrip N Cold Syrup”.
“Analiza laboratorike e mostrave të secilit prej produkteve konfirmon se ato përmbajnë sasi të papranueshme të dietilen glikolit dhe etilen glikolit si ndotës. Deri më sot, këto katër produkte janë identifikuar në Gambia, por mund të jenë shpërndarë, nëpërmjet tregjeve informale, në vende ose rajone të tjera.”- vijon më tej njoftimi i OBSH-së.
Alarmi i OBSH-së mori jehonë ndërkombëtare dhe brenda 24 orëve lajmi mori titujt kryesorë të gazetave, televizioneve dhe portaleve online. Ndonëse OBSH saktësonte se produktet e rrezikshme ishin identifikuar në Gambia, sërish ngrinte shqetësimin për shpërndarjen e tyre nëpërmjet tregjeve informale. Ndaj, nisur nga rëndësia dhe përmasat që mori kjo çështje, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Agjencisë Kombëtare të Barnave, Ministrisë së Shëndetësisë dhe zyrës së OBSH-së në Tiranë për të mësuar nëse këto produkte të rrezikshme tregtoheshin në vendin tonë.
Screenshot nga kërkesa për informacion drejtuar Agjencisë Kombëtare të Barnave
Screenshot nga kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë
Screenshot nga emaili drejtuar zyrës së OBSH-së në Tiranë
Më 10 tetor, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, në një përgjigje zyrtare për Faktoje sqaron se asnjë nga produktet e kategorizuara si të rrezikshme nga OBSH nuk është i autorizuar për tregtim në Republikën e Shqipërisë.
“Ju bëjmë me dije se shurupet për të cilat referon OBSH nuk janë të autorizuara për tregtim në Republikën e Shqipërisë.” – shkruan në përgjigjen e saj, Agjencia Kombëtare e Barnave.
Përgjigja zyrtare e Agjencisë Kombëtare të Barnave, 10 tetor 2022
Faktoje bëri një vëzhgim edhe në disa farmaci të ndryshme në Tiranë, për të pyetur mbi këto produkte. Farmacistët pohuan se shurupet për të cilat ngre alarmin OBSH nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e tregut të barnave në Shqipëri.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin