Pretendimi: Ish-CEO i Youtube vdiq nga kanceri i shkaktuar nga vaksinat anti-Covid
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————–
Grupet anti-vaksinë në rrjet mbeten të vendosur të lidhin çdo vdekje të bujshme me të ashtuquajturën “vraksinë” anti-Covid. Rasti më i fundit është vdekja e ish-kreut të Youtube Susan Wojcicki, për të cilën aludohet se ishte prekur nga ‘kanceri turbo’, një term që sugjeron tumore me rritje të shpejtë, i shpikur nga skeptikët e vaksinave, si pasojë e vaksinimit kundër Covid-19.
Në të vërtetë,Wojcicki ndërroi jetë më 9 gusht 2024, në moshën 56 vjeçare. Sipas një postimi në Facebook të të shoqit, ajo vdiq “pas 2 vitesh duke jetuar me NSCLC [një lloj kanceri mushkërie].”
NSCLC është lloji më i përhapur i kancerit në mushkëri, duke përbërë 85% të gjithë diagnozave me kancer mushkërie në vit, i hasur kryesisht te duhanpirësit dhe i pamundur për t’u konstatuar paraprakisht nga kontrollet shëndetësore. Kjo e bën atë edhe më të vështirë për t’u trajtuar dhe fatal.
Përveç pretendimeve të paprovuara të konspiracionistëve, nuk ka asnjë tregues se vdekja e Wojcicki kishte lidhje në ndonjë mënyrë me vaksinën anti-Covid.
Sipas koordinatorit të Konsorciumit të Covid-19 dhe Kancerit, një regjistër përkushtuar mbledhjes së të dhënave mbi personat me kancer dhe Covid-19, “që nga fillimi i vaksinimit, nuk ka prova që vaksinat anti-Covid shkaktojnë kancerin, shkaktojnë rishfaqje të kancerit, apo shkaktojnë përkeqësimin e sëmundjes.”
I njejti pohim u përsërit edhe nga një zëdhënës nga Projekti i Njohurisë së Vaksinave në Universitetin e Oksfordit, i cili tha për Reuters se nuk është gjetur një lidhje shkak-pasojë mes vaksinimit dhe kancerit.
Qendra amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) dhe një numër organizatash me fokus kancerin këshillojnë që pacientët me kancer të vaksinohen kundër Covid-19.