Shtëpia franceze e modës, “Dior” nuk e ka zëvendësuar modelen amerikano-palestineze Bella Hadid me modelen izraelite May Tager, siç pretendohet në artikuj të shpërndarë në rrjet. Verifikimet tregojnë se Bella Hadid i ka përfunduar kontrata me “Dior” që në vitin 2022 dhe se ajo e ka shprehur mbështetjen për Palestinën, edhe kur ishte pjesë e shtëpisë luksoze të modës.
Shkrime të shpërndara në portale pretendojnë se shtëpia franceze e modës “Dior” ka zëvendësuar modelen e njohur Bella Hadid me një tjetër modele, pasi ka shprehur mbështetjen e saj për popullin e Palestinës.
“Mbështeti Palestinën, ‘Dior’ zëvendëson Bella Hadid me një modele izraelite”-raportohet në disa portale shqiptare si TV Klan, Gazeta Metro, GazetaeRe, Mexhlis.com. Ky lajm është bërë viral në rrjet duke ngjallur edhe thirrje për bojkotin e prodhimeve të markës “Dior”, duke e cilësuar atë si pjesë të kompanive që mbështesin Izraelin.
Artikujt e shpërndarë në portale
Bella Hadid është një supermodele amerikane, vajza e ish-modeles holandezo-amerikane, Yolanda van den Herik dhe manjatit amerikan të pasurive të paluajtshme Mohammed Hadid, i lindur në Nazaret, Palestinë. Në vitin 2016 Bella Hadid u zgjodh si ambasadore e make-up-it për shtëpinë franceze të modës Dior.
Në gjithë këto vite, supermodelja e ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për popullin palestinez dhe ka kritikuar qeverinë izraelite, edhe pse ishte ambasadore e “Dior”. Ajo shprehu mbështetjen edhe pas përshkallëzimit ushtarak në Lindjen e Mesme, i cili filloi me sulmin e 7 tetorit 2023 nga Hamasi ndaj Izraelit dhe bombardimet pasuese nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës.
Megjithatë, lajmi se Bella Hadid u zëvendësua nga “Dior” për shkak të komenteve të saj për konfliktin e armatosur mes Hamasit dhe Izraelit është jo i saktë.
I kontaktuar nga kontrolluesit e fakteve të Associated Press, një person i informuar për këtë çështje, i cili kërkoi të mbetej në kushtet e anonimitetit, e mohoi lajmin e përhapur në internet, duke shpjeguar se kontrata e Hadid me “Dior”, ka përfunduar në mars 2022, dhe nuk u zgjat më tej për arsye komerciale. I njëjti burim gjithashtu vuri në dukje se Hadid është zëvendësuar nga modele të ndryshme për rolet e saj me “Dior”, por asnjëra prej tyre nuk është izraelitja Tager.
Modelja izraelite, e cila shihet në disa reklama të fushatës së re të Krishtlindjeve të shtëpisë së modës ‘Dior’, ka kohë që bashkëpunon me ta. Ajo është shfaqur edhe një një reklamë të Krishtlindjeve të “Dior” në vitin 2022, pra përpara nisjes së konfliktit të fundit.
Shkrimi është verifikuar edhe nga kolegët e verifikimit të fakteve në botë, të cilët arritën të zbulonin se kontrata e Bella Hadid me shtëpinë luksoze të modës ka përfunduar përpara se të niste konflikti dhe para se Bella të bënte postimet e fundit në mbështetje të Palestinës.
Shënim:
Data 21 nëntor 2023 website tvklan.al dhe faqja e saj në Facebook e ka korrigjuar pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.