.

.

BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriInflacioni si në ’97-n! Ekspertët këshillojnë masa për kategoritë vulnerabël për të shmangur konfliktin social

Inflacioni si në ’97-n! Ekspertët këshillojnë masa për kategoritë vulnerabël për të shmangur konfliktin social

Rritja e shpejtë e çmimeve këtë vit i ka vënë familjet shqiptare në vështirësi. Në shtator kosto e jetesës u shtrenjtua me 8.1%, gati njëlloj si në vitin e errët 1997.  Faktoje bëri një analizë të situatës dhe verifikim në terren ku konstatoi se përballë çmimeve të rritura, familjet kanë pakësuar blerjet për ushqimet bazë, ndërsa për pensionistët mbijetesa është edhe më e vështirë. Ekspertët e ekonomisë sugjerojnë masa urgjente për grupet në nëvojë për të shmangur konfliktin social.

Esmeralda Topi

“Ne parashikojmë që gjatë këtij viti të kemi një nivel mesatar inflacioni në nivelin 6.5%. Sigurisht që do të duhet të shohim se si do të zhvillohen ngjarjet gjatë pjesës së fundit të vitit, kryesisht të ndikuar nga kriza pan-evropiane.”– deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me përfaqësuesit e FMN-së dhe Bankës së Shqipërisë.

Konferenca në ministrinë e Financave, 10 tetor 2022

Rritja e çmimeve të ushqimeve bazë dhe transportit e kanë shtyrë inflacionin në Shqipëri në nivelin më të lartë të 25 viteve të fundit. Instituti i Statistikave raportoi se inflacioni në shtator arriti në 8.1%, në një kohë që për herë të fundit këto nivele i takojnë dhjetorit të vitit 1997, ku indeksi i çmimeve bazë të konsumit ishte 8.7%.

Referuar INSTAT, çmimet e ushqimeve dhe pijeve janë rritur me 14% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë që në produktet të tjera të shportës rritja ka qënë edhe më e ndjeshme. Vaji është rritur me 30%, bulmeti dhe vezët me 24%, buka dhe drithërat me 17.3%, mishi me 12% dhe zarzavatet me 8.5%.

Zyrtarisht kostoja e jetesës është më e lartë se një vit më parë, por jo të gjithë e ndiejnë njësoj. Për disa faturat janë rritur shumë më tepër.

Ferhat Koçi, një pensionist 85 vjeçar nga Tirana thotë se pa ndihmën financiare të vajzës së tij, nuk do të arrinte të ushqehej.

“Kam 30 vite në pension dhe marr 16.000 lekë. S’më dalin as për ilaçe, për të ngrënën jo e jo, tani që çmimet janë rritur shumë. 1200 lekë një kg mish?! S’e mbaj mend se çfarë shije ka! Edhe këto rrobat që m’i sheh të veshura m’i kanë dhënë nipërit e mbesat, për të ushqyer më ndihmon ime bijë se unë vetë, me vdek s’kam pare me u varros ”– thotë gjithë trishtim ai për Faktoje.

Çifti Brahimaj në mensën ku ofrojnë edhe ushqim falas, Tiranë 10 tetor 2022

 

Ermir Brahimaj është pronar i një mense të vogël pranë rrugës “Frosina Plaku” në Tiranë.

“Të gjitha çmimet janë rritur, nga kripa e deri tek produktet kryesore të tjera që ne përdorim këtu.”- thotë ai për Faktoje, duke theksuar se ka qenë i detyruar që një pjesë të kostove të shtuara t’i faturojë tek klientët.

“Ka rënë shumë puna, dua të iki jashtë por im shoq nuk do. Unë i lutem të ikim jashtë tek njerëzit tanë, pasi kjo është mosha që ne kemi fuqi e duam të punojmë. Këtu mezi po nxjerrim muajin, paguajmë qira për shtëpinë, qira për dyqanin…me pak fjalë punojmë shumë dhe në fund mezi shlyejmë faturat e rritura.”- shton bashkëshortja e tij.

Rritja e kostove të jetesës po gërryen buxhetet e familjeve, me çmimet që po rriten më shpejt se pagat dhe pensionet.

“Produkti më i shitur janë kockat, kushtojnë 150 lekë kilogrami. Familjarët vijnë dhe veç ato marrin. Pensionistët po e po.” – na thotë një tregtar mishi tek Pazari i ri.

Shpëtim Karaj, është një tjetër tregtar mishi pranë Pazarit të Ri në Tiranë. “Unë shes mish të bagëtive të imta që kanë çmime pak më të larta se mishi i viçit. Dhe siç mund ta shohësh këtu njerëzit afrohen pyesin dhe ikin, nuk blejnë.”- shton ai për Faktoje.

Edhe Pëllumb Dafku, një tregtar fruta – perimesh në Tiranë thotë se çdo produkt është rritur me të paktën 20 deri në 30 lekë nga viti kaluar.

“Ajo që vëmë re është se familjarët mendohen shumë përpara se të blejnë. Marrin dy speca, një tufë sallatë dhe pyesin direkt sa shkojnë. Më parë konsumatorët mbushnin qeset dhe në fund bënim llogaritë, ndërkohë tani llogaritë bëhen pa u blerë malli se s’kanë lekë.”- thotë ai për Faktoje.

Edhe në dy anketa të zhvilluara në rrjetet tona sociale mbi blerjet e familjeve në kushtet e krizës, ndjekësit kanë pohuar se po ulin konsumin për shkak të çmimeve të larta. 90% e të anketuarve pohojnë se po blejnë më pak, ndërkohë që 54% e tyre thonë se produkti që po blejnë më pak këtë kohë krize është mishi.

                                     Rezultatet e anketave, 12 tetor 2022

Për ekspertët e ekonomisë kjo situatë është e pritshme, në kushtet kur ushqimet zënë thuajse gjysmën e shpenzimeve për familjet.

“Efekti i të ardhurave nxit rritjen e mallrave të lira të domosdoshme për konsum. Mbështetja e të varfërve është e domosdoshme për të ruajtur nivelin e konsumit. Dalja nga kriza duhet të shoqërohet me dy mekanizma: projekte strategjike që nxisin produktivitetin tërësor si dhe mbeshtetje më të fortë të grupeve vulnerabël që të mos nxisin konfliktin social.” – thotë eksperti i ekonomisë dhe financave Enton Duro për Faktoje.

Në fund të vizitës zyrtare në Tiranë, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i rekomandoi qeverisë më shumë mbështetje për shtresat në nevojë. E pyetur nga Faktoje mbi këtë ccështje, përfaqësuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, Yan Sun tha:

“Ne kemi rekomanduar që kjo mbështetje të jetë më e targetuar në mënyrë që ta marrin ata që realisht kanë më shumë nevojë, jo të gjithë. Duke pasur parasysh që kemi rritje të inflacionit, duke patur parasysh që kemi një politikë monetare që shkon në vijim me të, atëherë edhe politika fiskale duhet të shkojë në një linjë. Është shumë e nevojshme që kjo ndihmë, kjo mbështetje të jetë e targetuar dhe e shenjestruar tek ata që realisht kanë më shumë nevojë për ta marrë këtë mbështetje.”

 Konferenca e përbashkët e FMN, Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, 10 tetor 2022

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img