.

.

BallinaNë lupën e FakteveShqipëria “përgatitje” në vendnumëro për zjarret, 5 telefonata për të aktivizuar 2 helikopterët tanë

Shqipëria “përgatitje” në vendnumëro për zjarret, 5 telefonata për të aktivizuar 2 helikopterët tanë

Sipas ekspertëve të klimës rreziku i përhapjes së zjarreve rritet jashtëzakonisht shumë me lagështinë e ulët dhe temperaturat në rritje. Bazuar në këtë parashikim pritet edhe shtim i “vatrave të zjarrit” kudo në botë. Rreziku vijon të rritet ndërsa kriza klimatike përparon. Shqipëria rezulton të mos ketë shtuar asnjë masë apo kapacitet përveç faktit që ka aktivizuar disa herë Mbrojtjen Civile Europiane ku jemi pjesë nga qershori i këtij viti.

 

Klara Dervishi

Menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, qeveria shqiptare ndërmori një nismë, për modernizim të emergjencave civile, që sipas qeverisë u kapën në befasi të plotë me fatkeqësinë natyrore. Por sot, 3 vite pas këtij zotimi dhe pas publikimit të statusit të kryeministrit se: PAS TËRMETIT TË 26 NËNTORIT VIJON MODERNIIZIMI I EMERGJENCAVE TONA CIVILE, SIPAS STANDARDEVE MË TË MIRA NDËRKOMBËTARE, rezulton se flotat që shuajnë zjarret e bëjnë këtë me mjete rrethanore.

 

Në videon e filmuar këto ditë gjatë një operacioni për shuarjen e zjarrit shihet qartë se punonjësit e mbrojtjes ndërhyjnë me mjete rrethanore, në këtë rast me shkurre. Klikoni këtu për linkun e videos

Kur aktualisht Shqipëria u përball me 25 vatra zjarri dhe mjetet me “standarde ndërkombëtare”  duken se janë vetëm çantat e shpinës në rastin më të mirë apo lopatat, kazmat dhe shkurret siç rezulton situata në shumë vatra ku automjetet e zjarrëfikëseve e kanë të vështirë të hyjnë për shkak të terrenit.

Për Faktoje.al kreu i sindikatës së punonjësve të mbrojtjes nga zjarri  Bledar Bajrami thotë se deri tani gjatë këtij viti janë djegur 10 ha pyje dhe se ky dëm nuk është për fajin e punonjësve të zjarrfikëseve që paguhen minimalisht 200 euro më pak sesa kolegët e tyre në rajon dhe punojnë me mjete të amortizuara.

Zjarret në pyje po luftohen me lopata dhe çanta shpine. Por nuk mund të ndalet zjarri në zona të thella me këto mjete. Zjarri ndalohet me mjete ajore, ashtu siç bëjnë të gjitha vendet, edhe ato fqinje. Ku ka tokë ku mund të hyjë zjarrfikësja, ne nuk e kemi problem. Problem është që në Agjencinë e Emergjencave Civile nuk ka njerëz të aftë. Për ne Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është një drejtor i një zyre që dalin vetëm në media, ndërsa zjarrfikësit luftojnë pa mjetet bazë. Ne duhet të jemi vendi i vetëm në Botë që luftojmë me flakët me pajisje prej 50 vitesh të vjetra.”- thotë Bajrami.

Edhe ish kreu i emergjencave Shemsi Prençi thotë për Faktoje.al:  ”Me rastin e tërmetit të 26 Nëntorit 2019, strukturat shtetërore shqiptare treguan se janë të paorganizuara, të patrajnuara dhe pa pajisjet e duhura sipas llojit të fatkeqësisë që godet rajone të veçanta të Shqipërisë. Ndaj dhe për ironinë e kohës shfaqen zjarrfikësit dhe ushtarët shqiptarë, duke luftuar me zjarret në pyje duke përdorur vetëm kazma, lopata dhe degë pemësh...!”

KLSh evidentoi në vitin 2021 se Emergjencat Civile në varësi të Bashkive kanë ende në dispozicion mjete që datojnë që nga vitet ’60.

Nga 4 helikopterë ‘cougar’ që kanë Forcat e Armatosura vetëm njëri është funksional, ndërsa forcat zjarrfikëse nuk kanë veshje dhe pajisje e makinat zjarrfikëse janë të viteve 1960-1970Niveli qendror dhe lokal nuk ka burimet njerëzore dhe teknike të mjaftueshme për reagim ndaj situatave emergjente/zjarret. Nga 61 Bashki në shkallë Republike, janë marrë të dhëna në 55 prej tyre, në të cilat raportohen 152 zjarrfikëse. Nga këto 131 në gjendje pune, 8 me defekte të vogla, 3 me defekte të konsiderueshme, 10 jashtë përdorimit dhe 36 të pa targuara (pa dokumentacion). Shumë nga zjarrfikëset në dispozicion janë të vjetruara (disa që datojnë nga vitet gjashtëdhjetë), janë në gjendje të keqe dhe nuk janë të ndërveprueshme sepse janë dhuruar nga vende të ndryshme.”- vlerëson KLSH.

A i përdor Shqipëria helikopterët dhe si funksionon zinxhiri deri në operacionin e shuarjes së zjarrit?

Përfshirja e helikopterëve  në operacione për shuarjen e zjarreve u bë e mundur nga mesi i muajit korrik edhe pse Shqipëria ka aktivizuar të drejtën për të kërkuar ndihmë nga shtete fqinje apo nga Mbrojtja Civile Europiane. Por sipas Kreut të sindikatës së punonjësve të mbrojtjes nga zajrri, deri te ngritja e helikopterit duhet të bëhen 5 telefonata që eventualisht janë kohë e humbur.

Helikopterët duhet të jenë në varësi të zjarrfikëseve dhe të dinë të lëvizin në zonë dhe taktikën e shuarjes së zjarreve. Për të dalë një helikopter në aksion, së pari shërbimi zjarrfikës duhet të marrë prefektin,  ai merr Emergjencat Civile, emergjencat kontakotojnë Ministrin e Mbrojtjes dhe është ai që vendos. Duhen minimalisht 5 telefonata. Psh. me zjarrin në Dukat në 11 gusht, nëse helikopteri do kishte dalë që në fillim ai do ishte shuar e nuk do kishte përparuar.” – thotë Bledar Bajrami.

Ish kreu i Emergjencave Civile Shemsi Prençi thotë:

“Shqipëria ( Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia për Mbrojtjen Civile të Republikës), prej vitit 2019 e ka “flotën” ajrore për operimet nga ajri për fikjen e zjarreve në gadishmëri 0…!

 Jemi i vetmi vend në rajon dhe në Evropë e më gjerë, që nuk kemi flotë ajrore për operacione në lidhje me emergjencat civile si:  Për  fikjen e zjarreve në zonat malore dhe zonat e mbrojtura ku mungon infrastruktura rrugore për operacione tokësore apo për operacionet e kërkim-shpëtimit në raste përmbytjesh, vërshimit të lumenjve, orteqeve, zjarreve, tërmeteve etj. Tashmë puna e helikopterëve për fikjen e zjarreve në Shqipëri është kthyer në telenovelë…! Kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes apo kreu i Agjencisë për Mbrojtjen Civile thonë i kemi helikopterët por nuk është nevoja dhe momentin për t’i përdorur…!”

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile e pyetur nga Faktoje.al tha se nuk ka në varësi struktura operacionale si p.sh zjarrfikës, pasi është autoritet koordinues që bashkërendon dhe drejton strukturat e Mbrojtjes Civile.

“AKMC nuk disponon mjete si ato tokësore dhe ajrore operacionale të specializuara për ndërhyrje. Në rast të një fatkeqësie fillimisht duhet të përdoren kapacitetet e njësisë së vetëqeverisjes vendore të prekur nga fatkeqësia, e në rast se këto janë të pamjaftueshme kërkohen kapacitete shtesë nga njësitë e vetëqeverisjes vendore fqinje. Në fund, nëse edhe këto kapacitete rezultojnë të pamjaftueshme, kërkohet angazhimi i kapaciteteve të tjera shtetërore, duke përfshirë Policinë e Shtetit dhe Forcat e Armatosura, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe të akteve të tjera ligjore e nënligjore në fuqi (përgjigja e AKMC për Faktoje.al)

Sipas një raporti vjetor të rrezikut botëror (Bündnis Entwicklung Hilft dhe RUB 2019), i cili llogarit Indeksin e Rrezikut të Fatkeqësive për 180 vende bazuar në ekspozimin, ndjeshmërinë, cenueshmërinë, dhe kapacitetet përballuese dhe përshtatëse, Shqipëria renditet e para në Evropë dhe e 61-ta në botë. Nga territori i përgjithshëm i Shqipërisë, 86% është e prirur ndaj fatkeqësive. Një fakt të tillë e ka raportuar edhe Banka Botërore në raportin e vitit 2021 ku kërkohet rritja e kapaciteve për të reaguar në raste fatkeqësish.

 

Edhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile për vitin 2022 ka bërë 0 shpenzime në funksion të situatave emergjente. Linku më poshtë tregon se AKMC ka bërë shpenzime vetëm për bojë printeri, mirëmbajtje automjetesh apo për siguracionin e automjeteve.

 

Sistemit të shërbimit zjarërfikës në rang vendi i mungojnë 600 punonjës

Shërbimi i zjarrfikësave është në varësi të bashkive, por duket se kjo nuk ka dhënë asnjë zgjidhje për problemin. Kreu i shoqatave të bashkive Agron Haxhimali tha për Faktoje.al:

“Për vitin 2021, numri i punonjësve në këtë shërbim ishte afro 1300 në të gjitha stacionet e bashkive. Ligji 152 /2015 ‘Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi’ përcakton një punonjës për 1500-2000 banorë, pra sistemit i mungojnë gati 600 punonjës për një popullsi prej 2.8 milionë banorë.”

AKMC e pyetur për këtë tha:

“Procesi i plotësimit organik është i lidhur ngushtësisht me procesin e funksionalizimit (krijimit të mjediseve dhe sigurimit të pajisjeve të punës) i cili është ende në vijim. Gjithashtu, procedurat e rekrutimit kërkojnë 30-45 ditë kohë për t’u realizuar.”

 

Si është kapaciteti organizativ në Bashki?

Kreu i shoqatës së Bashkive Agron Haxhimali thotë:

“Një problem tjetër është edhe kapaciteti organizativ nëpër bashki, sidomos vendosja e mbrojtjes cilive në prioritet dhe shpenzimi i buxhetit si detyrim ligjor prej 4% në funksion të mbrojtjes civile. Edhe mungesa e mjeteve financiare për të blerë pajisje, mjete teknlogjike, veshje zjarrduruese, dhe trajnim për shërbyesin, janë problem i evidentuar qartësisht gjatë vitit 2021. Jo më pak problem në këto pika janë edhe paqartësitë që kanë shkaktuar përplasje bashki-qeveri, përsa i përket çështjes së kompensimit të dëmeve dhe të drejtës se kush e shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore në nivel vendor, qoftë nga zjarret apo rastet nga përmbytjet.”

Këtë e ka vërtetuar edhe raporti i fundit i KLSH. Nga një auditim i tij në 7 Bashki në vitin 2021 rezulton se aty mungojnë fondet dhe strukturat e dedikuara për hartimin e politikave mjedisore. Sipas raportit të publikuar në fillim të muajit gusht rezulton se vetëm një përqindje e vogël e buxhetit shkon për mjedisin, ndërkohë që politikat hartohen nga specialistë të fushave të tjera.

Auditimi nënvizon se pavarësisht se mbrojtja e mjedisit është një përparësi kombëtare dhe është e detyruar për të gjitha organet shtetërore, rezulton se këto 7 bashki nuk e kanë pasur prioritet çështjen e mjedisit.

“Thuajse në të gjitha NJVQV-të e audituara mungojnë struktura të dedikuara për të prodhuar politika mjedisore, si dhe qartazi ka munguar mbështetja me fonde buxhetore” thuhet në raport.

Burimi KLSH

Edhe Bashkia Tiranë që është bashkia më e madhe në vend rezulton se ka një indeks në ulje të shpenzimeve për mjedisin nga viti në vit.

 

Burimi KLSH

Shemsi Prençi ish kreu i Emergjencave Civile thotë:

Akoma më keq paraqitet situata në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, pasi që prej vitit 2019 edhe pse janë shtuar në numër më shumë se 8 herë, nuk punësohet ose rekrutohet asnjë specialist e profesionist, por vetëm nga organizata e Forumit Rinor të Partisë Socialiste dhe patronazhistë e ndaj është katandisur mbrojtja civile në nivelet më të ulta planifikuese, koordinuese dhe menaxhuese…!”

 

Lidhur me ndikimet klimaterike qeveria dhe Agjencia e Emergjencave Civile duhet të kishte prioritet politikat që do t’i vinin në ndihmë situatës.

“Si institucion i ri, në rrugën drejt reformimit dhe ngritjes sipas standardeve të Mbrojtjes Civile Europiane, përsa i përket planeve të emergjencave dhe dokumentave strategjikë në fushën e parandalimit të riskut,  përveç Planit Kombëtar të Emergjencave Civile dhe planeve të harmonizuara në nivel qarku dhe lokal, aktualisht janë në proces hartimi dokumentat strategjkë, si Plani Kombëtar i Emergjencave Civile, Vlerësimi i Riskut nga Fatkeqësitë, Strategjia Kombëtare, për të cilat kanë dalë tre Urdhra të Kryeministrit për ngritjen e grupeve ndërinstitucionale për hartimin e këtyre dokumentave.”- thuhet në përgjigjen e AKMC.

 

Klima dhe mjedisi kanë qënë gjithmonë të renditur në kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë edhe në procesin e integrimit në BE, por sipas raporteve Shqipëria ka përafruar legjislacionin ndërkohë që në praktikë me zbatimin e prioriteteve është ende larg.

Raporti 2019 KE la si prioritet:

Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet:

-të marrë masa të menjëhershme për të rishikuar dhe përmirësuar vlerësimet e ndikimit mjedisor dhe strategjik në projektet, planet dhe programet ekzistuese dhe të planifikuara, veçanërisht në sektorët e hidrocentraleve, ndërtimit, turizmit dhe minierave;

-të fillojë zbatimin e Marrëveshjes së Parisit duke miratuar një strategji dhe legjislacion kombëtar për ndryshimet klimatike dhe duke filluar të zhvillojë Plane Kombëtare të Energjisë dhe Klimës të integruara në përputhje me detyrimin e Komunitetit të Energjisë.

Raporti i KE per Shqipërinë 2021

Shqipëria është e përgatitur mesatarisht në shumicën e fushave që lidhen me Axhendën e Gjelbër dhe lidhjen e qëndrueshme, përkatësisht rrjetet trans-evropiane, energjia, mjedisi dhe ndryshimet klimatike.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img