.

.

BallinaPremtimeShqipëria përballet me pandeminë “COVID-19” me orare të kufizuara dhe pasiguri në furnizimin me ujë të pijshëm

Shqipëria përballet me pandeminë “COVID-19” me orare të kufizuara dhe pasiguri në furnizimin me ujë të pijshëm

MARJO BRAKAJ

“Reforma Kombëtare e Ujit” ishte ndër nismat e para në mandatin e parë të qeverisë “Rama”. Qeveria premtoi riorganizimin tërësor të sektorit të ujit dhe investime që do jepnin impakt të drejpërdrejtë në furnizimin dhe cilësinë e ujit. Por si paraqitet situata në sektorin e ujit, i cilësuar si nevojë jetike për përballimin me pandeminë “COVID-19”.

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

Shqipëria prej më shumë se dy javësh po përballet me pandeminë “COVID-19”. Përveç masava kufizuese për lëvizjen, Instituti i Shëndetit Publik vijon të ripërsërisë thirrjen për kujdesin e higjenës personale. Nga ana tjetwr, vetizolimi i qytetarëve rrit nevojën për furnizim me ujë të pijshëm.

Në një takim që kryeministri Rama zhvilloi me drejtues të pushtetit vendor më 30.04.2016, duke e konsideruar ujin si “një sfidë kombëtare” u zotua për mbështetje dhe sukses të reformës.

Shqipëria është një nga vendet më të pasura në Europë për burimet ujore për frymë. Kapaciteti aktual i burimeve ujore të Shqipërisë e tejkalon me herë, nevojën që ka Shqipëria për ujë. Sistemi i furnizimit me ujë prodhon 28% më shumë ujë, sesa është nevoja. Për rreth 67% të prodhimit të ujit në vend nuk arkëtohen të ardhura. Ne nuk do të lejojmë që ndërmarrjet e ujësjellësit të jenë fole parazitësh, hajdutësh dhe njerëzish pa profesionin e duhur për të punuar aty. Ne do t’ju japim të gjithë mbështetjen tonë për të ndryshuar rrënjësisht situatën në menaxhimin e shërbimit, për të ndryshuar performancën financiare, për të rritur orët dhe cilësinë e furnizimit.”-tha Rama.

Por, edhe pse Shqipëria është një ndër vendet më hidrikë në Europë, furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë konsiderohet ende një luks.

Siç e tregon edhe raporti i ERRU, furnizimi me ujë në rang kombëtar mbetet në kuota të ulëta. Praktikisht, qytetarët furnizohen mesatarisht me 13,2 orë në ditë.

Sipas raportit, disa nga shoqëritë e ujësjellësve veprojnë pa licencë, gjysma e volumit të ujit në Shqipëri nuk matet, ndërsa në shumë qytete, rreth 40 për qind e atij të përdorur nuk arkëtohet. Kriza e ujit edhe ndihet në qytetet turistike duke shtuar problemet sidomos gjatë sezonit.

Një nga pikat ku kryeministri Rama u zotua se do jepte mbështetjen më të madhe ishin investimet nga qeveria. Por siç edhe rezulton nga raporti i ERRU, investimet mbeten në kuota minimale. Sipas Direktivës Evropiane të Ujit të Pijshëm dhe Ujërave të Ndotura, sektori i ujësjellës kanalizimeve në vendin tonë ka nevoja të mëdha për investime fizike të cilat shkojnë deri në 5 miliardë euro. Gjatë vitit 2019, në total kontributi nga buxheti i qeverisë dhe nga donatorët e huaj llogaritet rreth 70 milion Euro.

Reforma Kombëtare e Ujit nënkuptonte njëherazi edhe ristrukturimin e ujësjellësve, licencimin e tyre si dhe formalizimin e sektorit në tërësi. Por siç rezulton edhe nga raporti i ERRU, në vendin tonë janë ende 8 shoqëri të ujësjellësve që veprojnë të palicencuar, në kundërshtim me ligjin.

Në projektin e Reformës Kombëtare të Ujit të prezantuar nga kryeministri Rama, përfshihej edhe rritja e nivelit të arkëtimit. Por sipas raportit të Entit Rregullator të Ujit, niveli i arkëtimit kundrejt faturimeve gjatë vitit 2019 ishte 79 për qind, po aq sa në vitin 2018, ndërkohë që në zona si, Kukës, Divjakë, Kavajë, Gjirokastër, Fier, Elbasan, Durrës dhe Vorë, ky tregues është nën 60 përqind. Sipas raportit të ERRU, gati gjysma (48 përqind) e volumit të ujit në Shqipëri raportohet si e vlerësuar në mënyrë aforfe. Treguesit për vitin 2019 flasin për përkeqësim të mbulimit të kostove të veprimit dhe mirëmbajtjes, krahasuar me vitin 2018, dhe për arkëtim të ulët në shumë shoqëri të ujësjellësve.

Raporti vlerëson se gjatë vitit 2019 pati rritje të personelit me 254 punonjës dhe “Shoqëritë e Ujësjellësve janë të mbingarkuara me punonjës të pajustifikuar, shtimi i të cilëve është i dukshëm sidomos në vitet zgjedhore, siç ishte 2019-a”. Sipas raportit, sektori paraqitet me probleme të mëdha në drejtim të treguesve financiarë ku vetëm 13 shoqëri arrijnë të paraqesin mbi 100 përqind të mbulimit të kostove të veprimit dhe mirëmbajtjes, ndërsa vetëm 4 prej tyre arrijnë të mbulojnë edhe kostot totale.

Edhe pse u konsiderua si një nga reformat më të rëndësishme të ndërmarra nga qeveria e kryeministrit Rama në mandatin e parë qeverisës, Reforma Kombëtare e Ujit nuk i ka përmbushur pritshmëritë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img