Pretendimi: Edi Rama thyen heshtjen dhe zbulon lajmin e madh për familjen e Shpat Kasapit
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————————
Vdekja e papritur e këngëtarit shqiptar Shpat Kasapi më 26 nëntor 2025 vazhdon të përdoret në mënyrë jo etike nga portalet shqipfolëse për të mbledhur klikime.
Kështu, një postim që ka marrë mbi 800 pëlqime në Facebook, pretendon se kryeministri shqiptar Edi Rama ka zbuluar një lajm të madh për familjen e Kasapit, ndërsa i fton lexuesit të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë.

Kujtojmë se Shpat Kasapi ishte shqiptar i Maqedonisë së Veriut, jo qytetar shqiptar, familja e të cilit nuk mund të marrë pension shtetëror nga shteti shqiptar, me kryeministër Edi Ramën.
Ndërkaq, në brendinë e artikullit të referuar në komente, nuk përmendet aspak Rama, apo ndonjë lajm i madh për familjen e tij. Në vend të kësaj, flitet për debate që reagimi ndaj vdekjes së Kasapit ka shkaktuar mes artistëve të tjerë shqiptarë.
Titulli i artikullit keqinformon në mënyrë jo etike mbi dikë që ka ndërruar jetë, me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve ndërsa familjarët dhe të afërmit e tij po përjetojnë momente tejet të vështira.
Faktoje ka përgënjeshtruar dhe lajme të mëparshme nga i njejti portal, i cili ka botuar artikuj të trilluar mbi vdekjen e Kasapit dhe të politikanit shqiptar Azem Hajdari.






