Rajmond Kola
Viti 2024 do të mbahet mend gjatë në Shqipëri për numrin e lartë të zjarreve dhe dëmet masive të tyre, kryesisht në pyje dhe kullota. Ndërkohë, jo pak komunitete lokale, përjetuan gjatë verës së këtij viti, pasigurinë e jetës dhe pronës së tyre, në shumë rajone të vendit, ku zjarret u shfaqën rrezikshëm afër zonave të banuara si në disa fshatra të Gjirokastrës, Delvinës, Finiqit, Sarandës, në jug dhe në zona të Tropojës, Zadrimës, Thethit, zonës bregdetare të Shëngjinit, në veri të vendit.
Të dhënat europiane për zjarret shqiptare tregojnë se gjatë vitit 2024 (nga janari deri më 1 tetor) u prekën rreth 46.442 hektarë pyje dhe kullota nga rreth 164 zjarre masive që u shënuan në të gjithë Shqipërinë.
Sipas të dhënave nga Sistemi Europian i Informacionit për Zjarret në Pyje, EFFI, Shqipëria nuk i kishte njohur këto përmasa të zjarreve që nga vitit 2012.
Sistemi satelitor i monitorimit i Bashkimit Europian regjistron zjarret në zona mbi 30 hektarë dhe sjell për Shqipërinë të dhëna, që nga viti 2007, i cili mbahet si viti rekord me dëmin më të madh në sipërfaqet pyjore dhe kullosore të vendit me rreth 127 mijë hektarë të përshkuar nga zjarret.
Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako tha gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Sigurinë Kombëtare mbajtur në shtator se gjatë vitit 2024 sipërfaqja e dëmtuar nga zjarret rezulton në rreth 43.466 hektarë me 1077 vatra zjarri.
Shifrat e zjarreve, sipas zotit Çako, ishin gati dyfishi i vitit 2023 kur në Shqipëri u raportuan 544 vatra zjarri.
Të dhënat e autoriteteve zyrtare shqiptare për sipërfaqete dëmtuara nga zjarret këtë vit në Shqipëri janë shumë afër të dhënave europiane, ndërsa gjatë viteve të shkuara ka pasur diferenca të mëdha të raportimeve të Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT) dhe Sistemit Europian të Monitorimti Satelitor.
Lidhur me këto mospërputhje domethënëse të dhënash shqiptare dhe europiane Instituti shqiptar i statitistikave (INSTAT) përmes një përgjigje të një kërkese për informim tha se “informacioni për zjarret sigurohej nga burime administrative që merren nëpërmjet shkresave zyrtare, ndërsa aktualisht institucioni përgjegjës për këto të dhëna është Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.” IKMT nuk komentoi për mospërputhjen e shifrave mbi zjarret dhe sipërfaqet e djegura dhe deri në shkrimin e këtij raporti nuk u përgjigj një kërkese për informacion për numrin e zjarreve të këtij viti.
Ekspertët : Zjarret në pyje dëmi më makabër që i bëhet natyrës
Zjarret në pyje janë dëmi më makabër që mund t`i bëhet natyrës”, thotë inxhinieri i pyjeve Kleanthi Mandi. Sipas tij “këtë vit është shkrumbuar thuajse gjithë pjesa e Malit të Gjerë në Gjirokastër nga të dy krahët, e pyllëzuar në mjaft zona, me pisha në vitet shtatëdhjetë”.
“Bashkë me florën digjet edhe fauna, lepuri, dhia e egër, sorkadhja që nuk i largohen dot zjarrit, thotë zoti Mandi.
Menjëherë pas zjarreve për herë të parë në Gjirokastër një sorkadhe e vetmuar me shenja djegiesh në trup u shfaq afër Liqenit të Viroit që ndodhet “në këmbët” e Malit të Gjerë.
Sipas inxhinierit të pyjeve, me përvojë mbi 40 vjecare “zjarret për t’u rikuperuar duhen disa vite, sepse bashkë me ta dëmtohet e gjithë sipërfaqja e parë e tokës”.
“Shtresa e tokës në një thellësi 10 cm nga kalimi i një flake zjarri dëmtohet pothuajse plotësisht pasi digjen elementët bazë azoti dhe fosfori. Ajo që shekujt e kanë krijuan centimetër për centimeter, do të duhet shumë vite që të rigjenerohet”, thotë zoti Mandi.
Bashkitë, thotë zoti Mandi, nuk po punojnë për rigjenerimin e pyjeve megjithëse ato vjelin të ardhura nga qeratë e kullotave dhe shfrytëzimi i pyjeve që kanë në administrim.
Ndërsa ka sipas tij shumë propagandë me mbjelljet e reja ku sipërfaqja nuk kalon as 100 hektarë në vit në mbarë vendin , sipërfaqja e dëmtuar vetëm nga zjarret në pyje është në disa mijëra hektarë në vit.
Inxhinieri i pyjeve Kleanthi Mandi thotë se masat ligjore duhet të jenë më të ashpra ndaj zjarrvënieve. Dëmi ekonomik nga zjarret sipas tij është kolosal për pyjet të cilat kanë pësuar vitet e fundit pasoja të mëdha nga prerjet e pakontrolluara dhe keqmenaxhimi dhe ndëshkimet për zjarrvënësit numërohen me gishta.
Sipas deklarimit të kreut të emergjencave civile Haki Çako në komisionin parlementar të sigurisë 98% e rasteve të zjarreve gjatë vitit 2024 janë shkaktuar nga “dora e njeriut”.
Në një mesazh ndërgjegjësues në korrik ministria e Mbrojtjes tha përmes rrjetit social X se dënimi i zjarrvënies në pyje parashikohej në kodin penal me deri në 15 vjet burg dhe shprehu vendosmërinë e institucioneve për të vepruar ndaj këtij veprimi kriminal.
Por sipas raporteve të policisë për periudhën qershor -shtator tw kwtij viti, që njihet si më problematike në shfaqjen e zjarreve në Shqipëri, janë evidentuar 84 raste zjarresh të qëllimshme me 4 persona të arrestuar dhe disa të tjerë nën hetim të dyshuar për zjarrvënie.
Abdulla Diku, një tjetër inxhinier i pyjeve thotë se ”zjarret e këtij viti kanë shpyllëzuar shpatet e pjerrëta dhe degradimi i menjëhershëm i tokës, zhveshja e saj nga bimësia pyjore do të rrisë rrezikun për përmbytje. ”Pasojat do të ndihen sidomos në pjesën e Ultësirës Perëndimore të Shqipërisë thotë më tej zoti Diku. Qeveritë vendore, sipas tij, kanë pak personel të kualifikuar për menaxhimin e pyjeve ku 75 % e punonjësve nuk janë specialistë pyjesh. Shtimi i personelit të bashkive në këto vite nuk ka ndihmuar në mirëmenaxhimin e pyjeve dhe emergjencave civile, tha zoti Diku.
Vëzhgues të pavarur thonë se emërimet partiake vijojnë të dëmtojnë administratën bashkiake të pyjeve ku mungojnë specialistët por edhe repartet e emergjencave ku rekrutimet nuk ndjekin kriteret profesionale.
Një tjetër specialist pyjesh me përvojë Glidor Dushi,që drejton sektorin e mjedisit në bashkinë e Dropullit thotë se situata e këtij viti pati një rrezikshmëri të madhe nga zjarret për banorët e kësaj bashkie.
Sipas tij “nuk pati dëme në njerëz dhe në banesa, por fshatrat e Dropullit rrezikohen nga rënia e zjarreve pasi banorët kanë ikur në emigracion dhe shtëpitë e braktisura kanë shumë mbetje të thata bimore që përbëjnë një potencial për zjarre”.
Zoti Dushi thotë se bashkia u kishte bërë thirrje banorëve përmes mjeteve të komunikimti dhe rrjeteve sociale të pastrojnë oborret rreth shtëpive të banimit dhe pronave nga bimësia e thatë sa herë kthehen nga emigrimi.
Rreth 4270 hektarë ku 510 hektarë janë vetëm pyje dëm u përshkuan nga zjarret vetëm në Dropulll dhe përbëjnë një dëm të konsiderueshëm mjedisor që do të kërkojë vite të rikuperohet” thotë zoti Dushi.
Përgjegjësi i mjedisit në bashkinë e Dropullit Gligor Dushi thotë se ky vit ka provuar pasojat e ndryshimeve klimatike, pasi që në maj nuk ra shi dhe temperaturat në korrik dhe në gusht në shifra record , të pandeshura më pare, mbi 40 gradë celsius.
Ndryshimet e klimës kanë bërë që zjarret të jenë më agresive thotë profesori i shkencave të natyrës në Universitetin e Tiranës Lulëzim Shuka. “Ndryshimet klimatike tani janë të prekshme për një brez, më parë ishin disa breza që të shihje dicka ndryshe në efektet e klimës , thotë zoti Shuka.
“Është tashmë e dukshme që niveli i lagështirës në tokë në 20 cm thellësi është tre herë më i ulët se minimalja që ka qenë 10 vite më përpara. Temperaturat janë dukshëm më të rritura dhe mungesa dëborës në zonat malore nuk mundëson lagështirën në thellësi të tokës. Sipërfaqja e tokës është në vlim”, shpjegon zoti Shuka.
Sipas tij Shqipëria duhet të përgatitet për zjarre edhe më të mëdha nga ndryshimet e klimës dhe për ndërhyrjet për shuarjen e e tyre, parësore duhet të ketë, ngritjen e një flote ajrore për shkak të terrenit të vështirë që ka dhe mbështetetjes me mjete të reja zjarrfikëse sidomos në bashkitë me sipërfaqe të mëdha pyjore.
Shumica e bashkive në përgjigje të kërkesave për informim thanë se kanë fonde të kufizuara që nuk u lejojnë blerje mjetesh të reja zjarrfikëse dhe kanë pak mjete financiare në dispozicion, për të përmirësuar pajisjet e reparteve zjarrfikëse.
Emergjencat shqiptare në emergjencë për njerëz, mjete dhe pajisje
Kreu i emergjencave shqiptare Haki Çako tha në Komisionin e Sigurisë Kombëtare se këtë vit 27880 forca operacionale vendore dhe kombëtare dhe 2635 mjete morën pjesë në shuarjen e zjarreve, ndërsa gjatë këtij viti u aktivizua një helikopter ‘Cougar’ i Forcave të Armatosura” si dhe 4 herë, avionë për shuarjen e zjarreve nga Mekanizimi Evropian i Mbrojtjes Civile.
Aktivizim i ndihmës europiane ndodhi sipas tij në menaxhimin e zjarreve në Dropull, në Vlorë, në Lezhë, dhe në Malin e Moravës me kontributin e partnerëve italianë, grekë dhe rumunë.
Të dhënat në terren flasin se operacionet u përballën me mjaft sfida që nga mungesa e mjeteve zjarrfikëse, terreni i vështirë, pajisja e mangët e reaparteve të ndërhyrjes me veshje antizjarr dhe mjete, pamundësia për të shfrytëzuar burime ujore pasi shumë ujëmbledhës u zbrazën dhe vështirësitë e sigurimit të ujit në hidrante që mungojnë pothuajse plotësisht në zonat rurale.
Shumica e zjarreve u evidentuan sipas specialistëve të pyjeve kur kishin marrë përmasa dhe duket se sistemi i sinjalizuesve që paguhen nga bashkitë si punonjës me kontratë disa mujroe gjatë verës nuk ishte efikas për ndërhyrjet në kohë për kontrollin e zjarreve.
Zoti Çako pranoi para Komisionit parlamentar të Rendit dhe Sigurisë se nevojitet dhe një trajnim profesional i zjarrfikësve pasi ata kanë njohuri dhe përgatitje për ndërhyrje për zjarret urbane, por jo për zjarret në pyje.
Vatrat e zjarrit u përhapën këtë vit edhe në disa Parqe kombëtare të vendit . Kështu në Parkun Kombëtar të Alpeve, në Çerem të Tropojës, Parkun Kombëtar në Theth, atë në Lurë të Dibrës, Malin e Tomorit si dhe parkun arkeologjik të Finiqit në Parkun Kombëtar të Prespës, në Malin e Thatë. Në fund të korrikut zjarret në sipërfaqet pyjore rrezikuan edhe një numër resortesh turistike në bregdetin e Shëngjinit.
Zoti Çako tha se bashkitë më të prekura këtë vit nga zjarret dhe dëmete tyre janë Vlora, Shkodra, Selenica, Fieri, Lushnja me një sipërfaqe totale të dëmtuar nga zjarret prej 4200 hektarësh”.
Sipas ministrisë së Brendshme Shërbimi Zjarrfikës i bashkive ka sot 190 automjete zjarrfikëse (duke përfshirë këtu edhe automjete zjarrfikëse mbështetëse si autoshkalla, autobote, etj” ku vitet e fundit janë blerë rreth 30 automjete dhe rreth 15 automjete janë dhuruar nga shërbime zjarrfikëse homologe.
Një bazë të dhënash mbledhur në bashkitë e Shqipërisë përmes kërkesave për informim për kapacitet e emergjencave flet se shumica e mjeteve janë të vjetëruara që u përkasin viteve 1970-2010.
Automjetet kërkojnë fonde të mëdha për mirëmbajtje dhe shumë prej tyre nuk kalojnë procedurat ekontrollit Teknik. Edhe shumica e stacioneve zjarrfikëse janë në kushte të mjeruara të godinave dhe trajtimit të efektivëve zjarrfikës.
Siaps përgjigjeve të kërkesave për informim vetëm 16 bashki planifikojnë të blejnë mjete të reja dhe 5 prej tyre të përmirësojnë gjendjen e stacioneve zjarrfikëse por pa specifikauar burimin e fondeve.
52 bashki iu përgjigjën kërkesës për informim mbi kapacitetet e emergjencave , ndërsa të dhënat nga bashkitë e tjera u siguruan nga burimet vendore dhe raportimet e tyre pranë ministrisë së Financave.
Sipas ministrisë së Brendshhme në 61 bashkitë në vend janë instaluar 70 stacione zjarrfikëse, nga 38 që ishin në 2014, me 1,315 punonjës, të cilët u shtuan gjatë periudhës së decentralizimit të pushtetit vendor. Në vitin 2014 kur nisi reforma administrative territoriale ky numër ishte 749 punonjës.
Ministria e Brendshme thotë se “Ligji 152 /2015 ‘Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi’ përcakton një punonjës për 1500-2000 banorë dhe se çdo stacion duhet të ketë jo më pak se 14 zjarrfikës, personel profesionist. Sipas këtyre standarteve ligjore, sistemit i mungojnë gati 250-300 punonjës për një popullsi prej 2.8 milionë banorë” .
Sipas raportit nga Drejtoria e Zjarrfikses pranë Ministrisë së Brendshme, për gjithë vitin 2023 në Shqipëri u evidentuan 9,248 raste ndërhyrjesh, ndër to 7,020 janë ndërhyrje në raste zjarresh, pjesa tjetër janë ndërhyrje për shpëtim të jetës së njeriut, apo pronës.
Zonat e Mbrojtura pak mbështetje për ndërhyrjet kundër zjarreve
Sipas raportit të vitti 2023 për Pyjet dhe Biodiversitetin të INSTAT-it Zonat e Mbrojtura në Shqipëri zënë një sipërfaqe prej 626 mijë hektarë që përbën 44 % të fondit kullosor dhe pyjor të vendit.
Parqet kombëtare me 50,3% zënë pjesën më të madhe të ëktyre zonave , Rezervatet Natyrore 35,5% , Peisazhet e Mbrojtura 13,9 % dhe Monumentet Natyrore 0,3%.
Administrata e zonave të Mbrojtura nuk ka automjete për fikjen e zjarreve dhe ka pajisje të vogla modeste ku punonjësit e saj angazhohen me forcat e tjera në terren për fikjen e zjarreve.
Në përgjigje të një kërkese për informim, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura tha se Agjencitë Rajonale të Zonave të Mbrojtura (ADZM) kanë plane veprimi për zjarret ndërkohë që këto struktura në Vlorë, Gjirokastër dhe Fier nuk iu përgjigjën kërkesave për informim lidhur me kapacitetet për menaxhimin e zjarreve.
Olsi Nika, biolog mjedisi thotë se Zonat e Mbrojtura, patjetër që duhet të kenë pjesën e Planit të Menaxhimit për pyjet dhe të presioneve që vijnë qoftë nga zjarret , prerjet e paligjshme etj. Por shumica e Zonave tona të Mbrojtura nuk kanë një Plan të tillë Menaxhimi, thotë zoti Nika. Edhe Plani i Menaxhimit të parkut më të ri Kombëtar të Vjosës, sipas tij është në proces.
Vitin e shkuar një zjarr masiv përfshiu me ditë të tëra zonën e Pishë Poros në Fier. “ Zjarri u fik kur donte perëndia dhe jo qeveria tha profesori Taulant Bino. Sipas tij, zjarri me ditë të tëra në zonën e pishave në Pish Poro të Fierit, dëshmonte tendencat për të tjetërsuar zonën dhe për ti hapur rrugën investimeve ndërtimore për turizëm.
Edhe specialist i shpendëve Zydjon Vorpsi thotë se shpesh moskontrolli i zjarreve lë hapësira për të dyshuar për uljen e statusit të zonave të mbrojtura kur ato dëmtohen, me humbje të vlerave të tyre natyrore për të shkuar më pas në ndryshimin ligjor të shkallës së mbrojtjes.
Sipas Agjencisë Kombëtare e Zonave të Mbrojtura zjarri i shtatorit të vitit të shkuar në zonën e mbrojtur natyrore të Pish Poro në Fier dogji plotësisht një sipërfaqe pyjore me pisha prej 365. 78 hektarë që përbën një nga dëmet më të mëdha në sipërfaqet pyjore të vendit gjatë viteve të fundit.
Siaps AKZM vlera e dëmit të përllogaritur, sipas akteve ligjore, është në rreth 1,2 milionë dollarë. AKZM tha se zjarri që nisi më 23 shtator dhe vijoi disa ditë përshkoi një sipërfaqe të përgjithshme prej 818.5 hektarë.
E ardhmja e zymtë e rrezikut të zjarreve për Shqipërinë
Instituti shqiptar i Gjeoshkencës raporton se krahasuar me mesataret historike, temperatura mesatare maksimale njeh rritje me +1.9 gradë Celcius, numri i ditëve me reshje ka pësuar rënie me të paktën 12%, numri i orëve me diell është shtuar me 10 për qind.
Sipas Planit Kombëtar të Përshtatjes së Shqipërisë (2021) të gjitha studimet ekzistuese tregojnë se Shqipëria ka të ngjarë të bëhet më e ngrohtë sipas skenarëve të IPCC.
Tendencat e parashikuara në të ardhmen përcaktojnë temperaturat në rritje të vazhdueshme. Zona bregdetare nuk ka gjasa të përjetojë temperatura mesatare më pak se 25°C deri në verën e vitit 2050.
Temperaturat mesatare deri në 30°C do të dominojnë në të gjitha pjesët e kësaj zone deri në vitin 2100. Rritja e parashikuar e nivelit të detit do të rezultojë në rreziqe më të larta përmbytjeje për shumicën e zonave urbane përgjatë bregdetit dhe në kërcënime në rritje të erozioni bregdetar.
Sipas raporteve studimore ndërkombëtare për Shqipërinë rritja e temperaturave të lidhura me ndryshimet klimatike gjatë muajve të verës dhe reduktimi i reshjeve, praktikat e paqëndrueshme të përdorimit të tokës dhe ndryshimi i ekologjisë pyjore pritet të rrisin edhe më tepër rrezikun zjarreve.
Shqipëria më e rrezikuar në Europë nga fatekqësitë natyrore
Raporte të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare dëshmojnë se valët e të nxehtit, thatësirat, rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet nw Shqipëri, janë përkeqësuar nga viti në vit prej ndryshimeve klimatike.
Sipas një raporti botëror që llogarit Indeksin e Rrezikut të Fatkeqësive Natyrore Shqipëria renditet e para në Evropë dhe e 61-ta në botë, ndër 180 vende. Shqipëria renditet e 41-ta për rrezikun e rrëshqitjeve të dheut, vendi i 43-të për tërmetet dhe i 58-i për thatësirat.
Raporti bazohet në ekspozimin, ndjeshmërinë, cënueshmërinë, dhe kapacitetet përballuese dhe përshtatëse ndaj fatkeqësive natyrore. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore rreth 86% e territoreve shqiptare janë të ekspozuar ndaj dy ose më shumë fatkeqësi natyrore dhe pikërisht kjo hapësirë e prekur gjeneron 88.5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të vendit.
Përgjatë periudhës 1995–2015, mesatarisht 30,000 persona në vit janë prekur nga fatkeqësitë natyrore në Shqipëri dhe mbi 95 për qind e bashkive shqiptare janë prekur të paktën nga një fatkeqësi natyrore.
Sipas të dhënave zyrtare humbjet mesatare vjetore për shkak të fatkeqësive natyrore në Shqipëri janë rreth 2.5 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, ose rreth 68.7 milionë dollarë në vit.
Sipas Bankës Botërore gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë edhe Shqipëria duhet të investojnë të paktën 37 miliard dollarë gjatë dhjetë viteve në vijim me për një mbrojtje eficente të popujve dhe pasurive të tyre nga ndikimet dëmtuese dhe në përshkallëzim të ndryshimeve klimatike.
Sipas vlerësimit të Bankës Botërore Shqipërisë i duhet një shumë prej 6 miliardë dollarësh në vitet në vijim, për të zbutur ndikimet e klimës.
“Investimet për përshtatjen me ndryshimet klimatike, veçanërisht në ekonomitë me të ardhura të ulëta dhe të mesme, sjellin përfitime të konsiderueshme, ku çdo 1$ i investuar përkthehet në rreth 4$ përfitime”, thotë Banka Botërore në raportin e saj të fundit për pasojat e ndryshimeve klimatike në Ballkan. Grupet më të cënueshme ndaj këtyre fatkeqësive janë të moshuarit, invalidët,fëmijët, dhe gratë.
Shqipëria ka ndërmarrë veprime për përshtatjen klimatike, të mbështetura kryesisht nga donatorët ndërkombëtarë. Këto veprime, sipas raportit zyrtar monitorues të Planit Kombëtar të Përshtatjes nuk kishin koordinim dhe një qasje shumë-sektoriale për të adresuar dobësitë klimatike mbarëkombëtare.
E ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshme natyrore duke përfshirë tërmetet, përmbytjet, rrëshqitjet e dheut, zjarret në pyje dhe thatësirat, Shqipëria ndonëse përballet me nivelet më të larta të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore në Evropë vazhdon të ketë kapacitetet më të ulta të mjeteve dhe burimeve njerëzore të emergjencave civile për t`i përballuar ato.
Ky artikull u mundësua me mbështetjen nga skema e granteve “BAT Civil Society”, e zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në partneritet me Faktoje dhe Center for Research and Policy Making (CRPM), mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.