Shpërndarja e tabletave të jodit popullsisë në Zvicër po prezantohet nga konspiracionistët si ogur i kanosjes së një lufte bërthamore. Verifikimi i Faktoje zbuloi se shpërndarja e tabletave të jodit është një masë parandaluese që merret çdo dhjetëvjeçar nga qeveria zvicerane për banorët që jetojnë deri në 50 km nga stacionet bërthamore në Zvicër.

——————————————————

Në tetor 2023, rreth 4 milionë banorëve zviceranë u erdhi në postë një kuti me tableta jodi. Kjo ka frymëzuar konspiracionistët, gjithmonë të etur për ndonjë ogur të ndonjë lufte apo fatkeqësie.

Shpërndarja e këtyre tabletave, megjithatë, nuk duhet marrë si tregues se një luftë bërthamore është në horizontin e afërm. 

Qeveria zvicerane u shpërndan këto tableta jodi çdo banori që jeton brenda një rreze 50 km nga një impiant bërthamor. Për momentin, janë tre impiante bërthamore operacionale në Zvicër: Beznau, Leibstadt dhe Gosgen. Harta e mëposhtme tregon zonën e shpërndarjes.

Zonat me portokalli janë zona e shpërndarjes, ndërsa pikat blu janë impiantet bërthamorë operacionalë

Kjo është një masë parandaluese. Në rastin e ndonjë aksidenti serioz në një nga impiantet, këto tableta parandalojnë thithjen e jodit radioaktiv nga gjendra tiroide, diçka që mund të shkaktojë kancerin e tiroides.

Tabletat janë për t’u marrë vetëm në raste emergjence.

Në të vërtetë, shpërndarja e tabletave të jodit në Zvicër nuk është e pazakontë. Ajo ndodh çdo dhjetë vite. Kështu, e njejta gjë ndodhi në 2014

Qeveria zvicerane ka vënë në dispozicion informacion të mëtejshëm për tabletat e jodit këtu, edhe në shqip.