Më 11 nëntor të vitit 2024, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, zgjodhi sërish skenën e tij të preferuar, rrjetet sociale për njoftimin e rradhës. Me emoji zemrash dhe me ton optimist, ai premtonte rindërtimin e shkollës “Edith Durham” brenda një kohe rekord.

9 muajt që vijnë do të jenë një sprint pune për ne”,  deklaronte Veliaj, duke i lënë të gjithë me idenë se në shtator të 2025-s, fëmijët do të hynin në klasat e reja.

Tenderi ishte hapur më 2 gusht 2024, kontrata u fitua nga kompania “Inerti SHPK” në shtator, dhe sipas dokumenteve, punimet do të zgjasnin 10 muaj. 

Më 12 nëntor, vetëm një ditë pas publikimit të projektit të shkollës, Veliaj u shfaq në kantier për t’u siguruar që publiku e pa momentin e parë të shembjes së ndërtesës së vjetër, duke njoftuar se kishte nisur puna.

Në janar 2025, ai u kthye aty bashkë me ministren (atëkohë) të Financave, Delina Ibrahimaj, për të dhënë edhe njëherë këtë afat: Shtatori i 2025-s. “Mezi pres t’i japim një çikë gaz këto kohë, që çunat dhe gocat, engjëjt e vegjël të Njësisë 5, në shtator të futen te shkolla e re”,  tha ai.

Por korriku solli një tjetër skenar. Bashkia Tiranë i tha Faktojes se punimet ishin vetëm 80% të përfunduara, megjithatë premtoi se “ambientet mësimore do të jenë në dispozicion të fëmijëve për vitin shkollor 2025-2026”.

Shtatori erdhi dhe në oborrin e shkollës “Edith Durham” nuk u dëgjuan zëra fëmijësh, por zhurma punimesh. Mësuesit u njoftuan se do të vijonin mësimin në orët e pasdites te shkolla “Emin Duraku”, pa një datë kthimi.

*Shkolla Edit’ Durham në datën 8 shtator 2025

Ndërkohë kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet në qelinë e paraburgimit prej datës 10 shkurt 2025, pas një urdhër arresti të kërkuar nga SPAK në kuadër të hetimeve për disa vepra penale. Në krye të Bashkisë së Tiranës momentalisht është komansuar Anuela Ristani.

Në ditën e parë të shkollës, deputeti socialist Erjon Braçe publikoi një video në Instagram, ku së bashku me ndërtuesin “Flori” premtuan një tjetër afat: 30 tetor 2025. Në video, “Flori” sigurohej të sqaronte se punimet kishin nisur më 1 janar, duke anuluar praktikisht njoftimin e Veliajt në nëntorin e një viti më parë.

Pra, sipas një zyrtari, punimet nisën në nëntor 2024. Sipas një tjetri, në janar 2025. Dhe sipas ndërtuesit punimet duket se do të zgjasin deri në fund të Tetorit.

Fëmijët e “Edith Durham” nuk e dinë ende kur do të kthehen në klasat e tyre, por janë të detyruar të besojnë se tetori, ose ndoshta nëntori, do të sjellë më shumë se sa thjesht një tjetër njoftim në rrjete sociale. Deri atëherë, premtimin e kryebashkiakut Veliaj se shtatori do i gjente nxënësit e shkollës Edith Durham në shkollën e re, e kategorizojmë të pambajtur.