Pesë ambientalistët që vdiqën në një aksident ajror në ShBA nuk kishin lidhje me hetimet e dëmeve të shkaktuara nga përplasja e një treni mallrash në Ohio, duke rrëzuar kështu lidhjen që bëhet nga disa grupe konspiracioniste për një aksident të qëllimshëm për të fshehur gjurmët e dëmeve ekologjike.
—————————–
Më 23 shkurt në rrjetet sociale është publikuar një postim ku pretendohet se pesë shkencëtarë humbën jetën gjatë një aksidenti ajror, teksa po shkonin të studionin katastrofën mjedisore në Ohio, ku një tren mallrash doli nga shinat duke shpërndarë lëndët kimike që po transportonte.
“5 shkencëtarë ambientalistë që po shkonin të studionin katastrofën mjedisore në Ohio, humbën jetën gjatë fluturimit me avion. Me siguri rrëzimi i avionit është aksidental”, shkruhet me ironi në postimet e shpërndara në rrjetet sociale.
Screenshot, postimi i shpërndarë në rrjetet sociale
Por, si qëndon e vërteta e këtij lajmi? “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të tij, duke iu referuar burimeve të besueshme të informacionit.
Sipas “Associated Press”, një aeroplan me pesë punonjës të CTEH, një firmë konsulence për mjedisin u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga Little Rock, Arkansas më 22 shkurt.
Siç ka raportuar edhe më herët AP ata po udhëtonin nga aeroporti “Little Rock” për në Aeroportin Ndërkombëtar “John Glenn Columbus”, në Columbus.
Punonjësit e CTEH punuan në East Palestine (fshat në Ohio) pas daljes nga shinat të trenit më 3 shkurt, sipas Akron Beacon Journal. Megjithatë, ekuipazhi në bordin e avionit nuk ishte në mesin e tyre.
“Ata po i përgjigjeshin një incidenti në fabrikën e metaleve ‘Schumann & Company’ në Bedford, Ohio,” tha zëdhënësi i CTEH, Denver Peacock. Të gjithë personat që ishin në bord për fat të keq humbën jetën. Shpërthimi në fjalë, ndodhi në një fabrikë metalesh në periferi të Cleveland, më shumë se 60 milje larg nga Ohio.
Sipas zëdhënësit të Zyrës së Sherifit të Qarkut Pulaski, Cody Burk, aeroplani u rrëzua disa milje në jug të Aeroportit Kombëtar Bill dhe Hillary Clinton. Mediat e huaja raportuan se shkak për aksidentin ajror mund të jenë bërë kushtet e këqija të motit, por çështja është në hetim.
As përplasja e aeroplanit dhe as shpërthimi i fabrikës së metaleve nuk kanë lidhje me daljen nga shinat e të trenit në 3 shkurt në Palestinën Lindore në Ohio. Sipas zyrës së guvernatorit të Pensilvanisë, CTEH u punësua si kontraktor për operatorin hekurudhor “Norfolk Southern” për të rishikuar të dhënat e mostrave për ujërat sipërfaqësore.
Banorët vendas dhe disa zyrtarë kanë shprehur shqetësime për rreziqet mjedisore të shkaktuara nga dalja e trenave nga shinat dhe djegia që shoqëron më pas këtë proces.
Keqinformimet për daljen e trenit nga shinat janë përhapur gjerësisht në internet. Ndërkohë, përdoruesit e mediave sociale kanë keqinterpretuar një hartë, duke aluduar se të gjthë ata që jetojnë në pellgun e lumit Ohio duhet të shqetësohen për cilësinë e uit të pijshëm pas incidentit të ndodhur.