Mbyllja e detyruar e kufijve nga pandemia, vetëm sa e përkeqësoi situatën e shkëmbimit tregtar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Shifrat zyrtare dëshmojnë se edhe para shfaqjes së krizës nga Covid-19, Shqipëria renditej në vendin e 18 për eksporte dhe në të 26-in për importet me Maqedoninë, edhe pse jemi fqinjë. Këto tregues raportohen me shqetësim edhe nga dhoma tregtare e Maqedonisë së Veriut, me të cilën Shqipëria numëron mbi 20 marrëveshje bashkëpunimi.
Tregtia ka qenë një nga sektorët më të goditur të ekonomisë jo vetëm shqiptare, por edhe rajonale e mbarë botërore gjatë periudhës së pandemisë. Kufizimet drastike si mbyllja e kufijve dhe masa të tjera shtrënguese, për të parandaluar përhapjen e virusit, lanë pasoja të rënda ekonomike.
Referuar të dhënave të tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT në Shqipëri, rezulton se në Mars 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 18 mld lekë, duke u ulur me 36,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 29,0 %, në krahasim me Shkurtin 2020.
*Grafik krahasues mbi nivelin e import/eksporteve në Shqipëri
E njëjta tendencë është konstatuar edhe me importet. Importet e mallrave arritën vlerën 42 mld lekë, duke u ulur me 25,4 %, në krahasim me një vit më parw dhe me 19,3 %, në krahasim me Shkurtin 2020. Deficiti tregtar i këtij muaji është 24 mld lekë, duke u ulur me 14,9 %, krahasuar me Marsin 2019 dhe me 10,2 %, në krahasim me Shkurtin 2020.
Tregtia e Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut është një ndër sektorët kryesorë të goditur nga kriza e pandemisë gjatë kësaj periudhe, edhe pse në faqen zyrtare të “Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme” citohet e kundërta.
*Marrë nga faqja zyrtare e Minsitrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme
Çfarë dëshmojnë shifrat?
Nga të dhënat zyrtare të bëra publike në faqen e INSTAT, të ardhurat nga niveli i importeve dhe eksporteve me Maqedoninë nga viti 2019 në vitin 2020 kanë shënuar rënie.
Përkatësisht në mars të vitit 2020 importet kanë shënuar 332 milionë lek më pak sesa në vitin paraardhës dhe e njëjta situatë përsëritet edhe për eksportet. Në mars të 2020-s janë shënuar 67 milionë lekë më pak të ardhura në këtë sektor.
*Tregtia sipas vendeve për muajin mars 2020,të dhënat nga INSTAT
Po sipas INSTAT, në muajin Mars 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Marsin 2019 janë: Spanja (25,7 %), Gjermania (9,2 %),dhe Hollanda (20,8 %).
E njëja situatë përsëritet edhe në muajin Prill 2020 ku niveli i importeve dhe eksporteve me Maqedoninë ka vazhduar të ulet ndjeshëm.
*Tregtia sipas vendeve për muajin prill 2020,të dhënat nga INSTAT
Niveli i ulët i tregtisë mes dy vendeve fqinje theksohet edhe në një raport të vitit 2020 të ‘Dhomës së Tregtisë’ në Maqedoni.
*Raporti nga Oda e Maqedonisë veri-perëndimore
Sipas të njëjtit raport, tregtia me Shqipërinë është e ulët për një vend fqinj të drejtpërdrejtë të Maqedonisë së Veriut. Madje republika e Shqipërisë nuk paraqet një partner të rëndësishëm në shkëmbimin tregtar, duke zënë vendin e 18-të në eksporte dhe vendin e 26-të në importin e mallrave dhe shërbimeve me RMV, në vitin e fundit të analizuar, 2019.
*Të dhënat për shkëmbimin tregtar mes RMV dhe vendeve të tjera
Pavarësisht se mes dy vendeve rezultojnë mbi 20 marrëveshje të nënshkruara bashkëpunimi, niveli i shkëmbimeve tregtare dëshmon një situatë aspak optimiste.
*Marrëveshjet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të bëra publike në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme.