Lajmi për thyerjen e embargos ndaj Rusisë për shkak të ardhjes në Durrës të një anijeje të ngarkuar me gaz natyror, rezulton jo i vërtetë. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se gazi natyror vijon ende të jetë në përdorim në vendet e BE-së dhe nuk është pjesë e sanksioneve aktuale të miratuara nga qeveria shqiptare.
Jona Plumbi
Në 12 tetor portali “Gazeta Jonë” publikoi një investigim mbi udhëtimin e një anije të ngarkuar me gaz rus, e cila po i drejtohej portit të Durrësit. Titulli i lajmit “Një anije me gaz rus drejt porteve tona, kompania shqiptare financon vrasjen e ukrainasve nga Rusia”, mund të ngjallë indinjatë tek çdo lexues që nuk ka mundësi të thellohet më tej në detajet dhe ka tërhequr vëmendje në rrjet.
Pak ditë më pas, më 17 tetor, i njëjti portal vijoi hetimin e tij duke publikuar edhe të dhëna të mëtejshme të anijes, bazuar mbi informacionin e rrugëtimit të anijeve ndërkombëtare, të publikuar në disa faqe të specializuara online. Titulli i shkrimit të dytë, lajmëron përsëri shkeljen e sanksioneve të vendosura nga vendi ynë, pas nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës.
Artikujt akuzojnë një kompani shqiptare të importit të gazit se “ka thyer embargon ndaj Rusisë si dhe VKM-në për ndalimin e importit të gazit nga Rusia” duke porositur anije çisternë me gaz rus. Në fakt, edhe në rast se anija e përmendur në artikull ka sjellë gaz rus në portin e Durrësit, nuk është e vërtetë që ky veprim thyen embargon apo ndonjë Vendim të Këshillit të Ministrave për ndalimin e importit të gazit nga Rusia. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se gazi natyror vijon ende të jetë në përdorim në vendet e BE-së dhe në Shqipëri pavarësisht sanksioneve të vendosura pas agresionit në Ukrainë.
Nga nisja e sulmit rus në shkurt 2022, Bashkimi Europian ka miratuar tetë paketa sanksionesh prej nisjes së luftës, por asnjëra prej tyre nuk ndalon importin e gazit rus në Bashkimin Europian. Edhe sanksionet e ndërmarra nga Shqipëria, për Masat Kufizuese Ndërkombëtare, bazohen mbi vendimet e Këshillit të Bashkimit Europian dhe rrjedhimisht nuk përfshijnë një embargo ndaj gazit natyror rus.
Përsa i përket destinacionit dhe itinerarit të ndjekur nga anija në fjalë ka ende disa pasaktësi për t’u saktësuar. Portali denoncon se “Fillimisht anija ka ardhur nga Rusia në Spanjë dhe anija në fjalë [Eco Nical] e ka ngarkuar gazin në një tjetër anije, tashmë me flamur të ishujve Marshall.” –duke pretenduar se ky është një “rreng” i përdorur për të shmangur kufizimet e BE-së për gazin rus, si dhe për të humbur gjurmët nga autoritetet shqiptare.
“Faktoje” verifikoi të dhënat e itinerarit të anijes “Eco Nical”, sipas pretendimit në artikull, dhe bazuar mbi të dhënat publike, itinerari i shfaqur në VesselFinder, faqen online ku është bazuar shkrimi, tregon se anija ka lundruar nga Maroku drejt Shqipërisë, ku është ankoruar në Porto Romano në 20 Tetor. Për të patur një version zyrtar të itinerarit të anijes, ne iu drejtuam me një kërkesë zyrtare për informacion Autoritetit Portual të Durrësit, por deri në publikimin e këtij shkrimi kërkesa nuk ka marrë ende një përgjigje.
Bazuar në këto fakte publike, rezulton se artikulli ka keqinterpretuar sanksionet e vendosura nga Bashkimi Europian dhe Shqipëria ndaj Rusisë.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin