MERXHAN DACI
Hyrja në fuqi e ndryshimeve ligjore që e trajtojnë shishan njësoj si duhanin solli një paradoks, të paktën në Tiranë. Që prej korrikut sipas QKB janë hapur të paktën 3 shisha bar, të cilat kanë frekuentues të rregullt të miturit.
————————————————————————————————————————————————————-
Në 18 korrik të këtij viti, Kuvendi miratoi disa ndryshime në Ligjin e Duhanit, ku përfshihet për herë të parë termi shisha apo nargjile, çështje e raportuar dhe ndjekur me prioritet nga “Faktoje”.
Në maj të këtij viti, “Faktoje” investigoi se si funksionon shisha si biznes në kurriz të të miturve, kulturë e cila sjell dëme të mëdha sociale, shëndetësore por edhe financiare.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu lajmëroi në një dalje për mediat dy javë pas investigimit, nismën e re për të ndryshuar Ligjin e Duhanit.
“Produktet novatore të duhanit që kanë hyrë së fundmi në tregun shqiptar dhe që kanë qenë tërësisht të parregulluara, si cigarja elektronike dhe duhani me ngrohje do të konsiderohen produkte duhani dhe do të trajtohen si të tilla”, tha Manastirliu.
Në fillim të korrikut, ministrja Manstirliu paraqiti në Komisionin e Shëndetësisë draftin me ndryshimet që do të rregullonin çështjen e cigareve elektronike dhe shishave.
Në seancën e fundit të 18 korrikut, Kuvendi miratoi ndryshimet në ligj. 15 ditë pas votimit, ndryshimet hynë në fuqi.
Çfarë ndodh sot?
Inspektoriati Shtetëror i Shëndetësisë, institucioni përgjegjës për kontrollin e zbatimit të Ligjit të Duhanit, tha në përgjigjen për “Faktoje” se shisha tashmë trajtohet si duhani.
“Me ndryshimet e fundit, në rastet kur vërehet ose ka denoncim për konsum të shishas dhe cigares elektronike në ambiente të mbyllura publike aplikohen të njëjtat rregulla si për format konvencionale të duhan pirjes”.
ISHSH tha po ashtu se gjatë kësaj periudhe ka pasur inspektime dhe gjoba, por meqë shisha trajtohet njësoj si produktet e duhanit, shifrat nuk specifikohen.
“ISHSH ka kryer 928 inspektime për monitorimin e zbatimit të ligjit nr. 9636 në periudhën korrik-shtator dhe janë marrë 14 masa administrative për subjektet dhe individët që janë gjetur në shkelje të ligjit”.
Sot, pas tre muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit, pikat e shishave kanë filluar të shtohen. Qendra Kombëtare e Biznesit konfirmoi për “Faktoje” se janë të paktën tre pika të reja të hapura vetëm gjatë kësaj periudhe.
“Në periudhën korrik-tetor janë regjistruar tre subjekte. Nga tre subjektet e hapura dy janë në Tiranë dhe një në Kamëz”, tha në përgjigjen zyrtare QKB.
“Faktoje” sjell një prej rasteve të një shisha bari i cili është hapur rishtazi duke konfirmuar zgjerimin e shishës si kulturë, kryesisht tek të miturit dhe të rinjtë të cilët kanë shumë pak ose asnjë informacion për pasojat në shëndet.
Liqeni i Thatë, foto: Viola Keta
Ashtu siç kemi raportuar edhe më herët, shumë prej shisha bareve në kryeqytet janë afër shkollave dhe ditën për diell dhe në mjedise të mbylluara, shisha konsumohet edhe nga të mitur.
Shkolla “Kosova”
50 metra më poshtë
Shkolla Edith Durham
10 metra ngjitur, shisha bar
A bënë punë ndryshimet në ligj?
Roland Shuperka, ekspert i kontrollit të duhanit dhe hartues i një pjese të ndryshimeve tha për “Faktoje” se ligji nuk e përmirëson situatën e shishave apo shëndetit publik në përgjithësi.
“Megjithëse ligji e ndalon shishën në ambjentet e mbyllura, situata është problematike. Në ligj shisha është bërë bashkë me cigaret elektronike, gjë që nuk është pozitive. Ligji nuk i jep zgjidhje situatës kaotike të shishës. Ne e kemi të ndaluar që personat nën 18 vjeç të frekuentojnë këto ambjente, por a zbatohet kjo?”, pyet eksperti.
Shuperka shtoi se shisha baret duhen mbajtur nën kontroll dhe se shisha duhet të ishte specifikuar, pasi ka raste kur ajo konsumohet me kanabis duke rrezikuar të rinjtë.
Nga studimet shkencore, siç ka konfirmuar më herët për “Faktoje” toksikologu Zihni Sulaj, konsumimi i shishas për një orë është i barabartë me 200 cigare.
Foto kryesore: Skicë e Inva Hasanaliaj