Barbara Halla
Në tetor, në portalet shqiptare qarkulloi lajmi i bujshëm se: “Një në 50 shqiptarë në Britaninë e Madhe ndodhet në burg.” Ky pretendim nuk bazohet në të dhënat zyrtare të qeverisë Britanike, por nga një studim i gazetës The Telegraph. Ky studim, metodologjia e të cilit nuk është qartësuar, nuk është i besueshëm për shkak të natyrës së gazetës Telegraph. Dhe për më tepër, ajo përmban probleme të tjera statistikore të cilat nuk janë vënë në dukje në pjesën kryesore të artikullit, por vetëm në shënimet tek tablat e ndryshme që mund ti humbasin vëmendjes së publikut.
Burim: Dosja
Burim: Shqiptarja
Me datë 4 tetor, britanikja The Telegraph publikoi një artikull ku pretendon se 1 në 50 shqiptarë (pra 2% e popullsisë shqiptare) që ndodhen në Britaninë e Madhe është në burg. Sipas gazetarit Charles Hymas, The Telegraph e ka përpiluar këtë tabelë duke u bazuar tek të dhënat zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë dhe Censusit të 2021. Shifrat e përmendura, tregojnë, sipas The Telegraph, se “1200 shqiptarë janë në burg, kur popullsia e shqiptarëve britanike është tek 53,000”. Duke pjestuar këto dy numra së bashku, ato arritën në përfundimin matematikor se 1 në 50 shqiptarë, është i burgosur.
Është e vërtetë që qeveria britanike publikon këto të dhëna në censusin e saj. Për shembull për vitin 2023, 1273 shqiptarë janë në burgjet e Britanisë ku përfaqësojnë 12% të të huajve të burgosur, por 1,4% të popullsisë totale të burgjeve (87,869 persona).
Burim: Parlamenti Britanik
Problemi i metodologjisë të Telegrafit qëndron tek numri i popullsisë shqiptare në Britani. Së pari, siç e pranojnë dhe ata vetë, “Analiza ka të ngjarë të ketë nënvlerësuar numrin e popullsisë shqiptare pasi nuk merr parasysh emigrantët e paligjshëm.” Në fakt, numri total i shqiptarëve në Britani sipas censusit është diku tek 67,957 por vetëm rreth 53,000 kanë nënshtetësinë britanike dhe ky i fundit është numri që kanë përdorur zyra e Telegraph për të bërë llogarinë e e saj.
Burim: Censusi i Britanisë së Madhe (2021)
Për më tepër, censusi flet vetëm për shqiptarët që kanë lindur në Shqipëri, por nuk merr parasysh gjeneratat e dyta (si fëmijët që kanë lindur në Britani të Madhe). Sipas një raporti të 2023-it të paralamentit anglez, mund që rreth 140,000 shqiptarë të jetojnë në Britani, që është diku tek dyfishi i numrit të përdorur nga The Telegraph për llogaritë e tyre. Pra numri i shqiptarëve në fjalë nuk mund të përcaktohet me kaq lehtësi, dhe sidomos të bëhet krahasimi me ata që janë në burg.
Siç e ka parashtruar Faktoje edhe më parë, lajme të publikuara nga tabloidet angleze për numrin e migrantëve apo frika se ato po rrisin kriminalitetin në Britani, janë pjesë e një fushate të së djathtës dhe sidomos të djathtës ekstreme në vend kundra migrantëve dhe refugjatëve. The Telegraph, si dhe Daily Mail apo dhe The Star, kanë qënë epiqendër e këtyre betejave për opinion publik.
Nga ana tjetër, The Guardian, për shembull, i ka hedhur poshtë shumë nga dizinformatat e politikanëve si Nigel Farage, partia e së cilit ka kandiduar shumë here, me një politikë kundra emigrantëve. Gjatë verës u panë qartazi pasojat e kësaj fushate, kur banorët në qytete të ndryshme u ngritën kundra emigrantëve, pasi gabimisht, vrasja e disa vajzave të vogla, iu atribua një emigranti
Edhe ky artikull i The Telegraph bën pjesë e kësaj fushate, duke e quajtuar punën e tyre si “hera e parë që një analizë e tillë kryhet mes pretendimeve se ka pasur një “mbulim institucional” mbi publikimin e shkallës së krimit të migrantëve.” Këto ankesa bëhen pas fitores së Partisë Laburiste të cilët po quhen nga The Telegraph si pro-emigracionit, edhe pse politikat e Keir Stamer nuk kanë ndryshuar radikalisht nga ato të qeverisë së mëparshme. Dhe vetë The Telegraph e përpiloi tabelën me të dhëna zyrtare, që janë lehtësisht të gjetshme online.
Sipas All-Side, një organizatë që mat bindjet politike të mediavë të ndryshme, The Telegraph, ka bindje të forta të djathta. Për më tepër, organizata “Media Bias/Fact Check” e cila mat besueshëmërinë e gazetave dhe mediave, e cilëson punën e bërë nga Daily Telegraph si “Mostly Mixed” – pra një histori e përzier midis fakteve dhe gënjeshtrave, të cilës nuk mund ti zëshë besë pa e verifikuar më tej.
Edhe pse numrat që tregon The Telegraph, nuk pasqyrojnë situatën, ato janë shqetësuese, pasi ushqejnë retorikat të cilat i përshkruajnë shqiptarët si kriminelë të natyrshëm dhe të rrezikshëm.