Pretendimi: Ky ilaç që blihet online kuron kancerin dhe leukeminë

Verdikti: E paprovuar

———————————————————

Në rrjete sociale shqipfolëse po qarkullon një postim që reklamon një “Ilaç për Shërimin e Sëmundjeve Malinje”, i cili pretendohet se shëron kancerin dhe leukeminë.

Ajo çka duhet të bëjë lexuesin të dyshojë menjëherë është mungesa e një liste përbërësish të këtij ilaçi të pretenduar, një shishe e të cilit kushton 30 euro.

Së dyti, lexuesit skeptik duhet t’i ngjallë dyshime çfarëdo medikamenti apo kure qe reklamohet si çudibërëse. Nëse diçka duket shumë e mirë për të qenë e vërtetë, gjasat janë që nuk është e vërtetë.

Ky dyshim rritet në mënyrë domethënëse kur kemi të bëjmë me një ilaç çudibërës që premton të kurojë kancerin, një shkak kryesor i vdekjes në mbarë botën, duke shkaktuar gati 10 milionë vdekje në vitin 2020, ose gati një në gjashtë vdekje.

Dr. Orges Spahiu, Shef i Njësisë së Radioterapisë pranë Shërbimit Onkologjik, QSUT, ka konfirmuar më parë për Faktoje se “trajtimet e bazuara tek evidencat shkencore janë ato që sigurojnë trajtimin efektiv te kancerit. Avancimet e shkencës në fushën e Radioterapisë, Kimioterapisë dhe Kirurgjisë kanë siguruar sot një shërueshmëri të konsiderueshme që për disa lloje tumoresh arrin deri në 99% në varësi dhe të stadit të sëmundjes”. 

Doktor Spahiu tha gjithashtu se dy terapitë kryesore të provuara shkencërisht dhe të çertifikuara ndërkombëtarisht për të luftuar tumoret janë radioterapia dhe kimioterapia. E para përdor rrezatime me energji të ndryshme për të eleminuar qelizat tumorale, duke shmangur në maksimum indet dhe organet e shëndosha përreth. Ndërsa kimioterapia konsiston në barna antitumorale, të cilat nëpërmjet gjakut udhëtojne në gjithë trupin duke luftuar qelizat kanceroze.

Në fund, doktori nuk harron këshillën kryesore për të gjithë lexuesit: “Drejtohuni tek mjeku për çdo shqetësim apo dyshim që keni, dhe mos u beni pre e alternativave të gënjeshtërta. Kurat e kësaj sëmundje janë vetëm ato të provuara shkencërisht”. 

Megjithëse këto ‘metoda alternative’ mjekësore mund të jenë ngushëlluese për disa pacientë të prekur nga kanceri apo familjarët e tyre, të cilëve i ofrohet një rrugëzgjidhje e lehtë për një sëmundje aq të komplikuar sa tumori, në realitet, pasojat e këtyre veprimeve mund të jenë vdekjeprurëse.