Shërbimet e munguara për të moshuarit në Elbasan, të ngritura si shqetësim në një artikull të Faktoje.al, kanë bërë që zyra e Avokatit të Popullit të nisë një hetim administrativ.

Në muajin qershor të këtij viti, Faktoje.al raportoi se shumë të moshuar në Elbasan po hasnin vështirësi për të përfituar shërbimet sociale, ndonëse ishin premtuar nga kryebashkiaku Gledian Llatja.

Verifikimet e Faktoje.al tregonin se Elbasani, një ndër 8 bashkitë me plakjen më të madhe të popullsisë, ofronte fare pak shërbime dhe jo gjithëpërfshirëse për moshat e treta, edhe pse në fushata zgjedhore, ky komunitet joshet me premtime.

Artikulli solli raste konkrete të të moshuarve, të cilët po përballen me burokraci dhe për shkak të moshës së thyer, situata bëhet edhe më e vështirë.

Një nga rastet ishte ai i Zanës, 71-vjeçe, e cila jeton e vetme në një shtëpi përdhese në periferi të qytetit të Elbasanit.

“Unë detyrohem të paguaj taksën e shtëpisë e vetme pasi djali e ka të pamundur të më mbulojë librezën e ujit ku janë të gjitha taksat që paguajmë. Unë i paguaj të gjitha një më një! Fillimisht paguaj ujin dhe energjinë dhe çfarë ngelet nga pensioni e përdor për të jetuar për vete. Që unë të përfitoj lehtësira duhet të ndahem nga trungu familjar i çunit. Ai duhet të vijë të bëjë dokumentat këtu, gjë që e ka të pamundur, sepse djali është në Angli”, ngrinte shqetësimin e moshuara.

Feriti, 71 vjeç, frekuenton qendrën sociale “Balashe”, por ka nevojë për ndihmë në shtëpi. Agim V. 73 vjeç kalon kohën në lulishten “Qemal Stafa”, pasi nuk ka vende në qendra shërbimi.

Nisur nga këto shqetësime të ngritura nga pensionistët nëpërmjet Faktoje.al, zyra e Avokatit të Popullit ka nisur një hetim administrativ.

“Në kuadër të hetimit administrativ lidhur me këtë rast, i jemi drejtuar zyrtarisht Bashkisë Elbasan për informacion të plotë, gjithëpërfshirës e konkret lidhur me problemet e evidentuara në lidhje me shërbimet për të moshuarit në Elbasan”, njofton zyra e Avokatit tw Popullit.

Nisja e një hëtimi administrative nga Avokati i Popullit në këtë rast ka si qëllim të shqyrtojë ankesat, dhe pretendimet që lidhen me veprimet, mosveprimet ose shkeljet e mundshme të të drejtave nga ana e institucioneve shtetërore, në këtë rast Bashkia e Elbasanit.

Institucioni i Avokatit të Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të tretëve që veprojnë për llogari të saj. Ai ka si mision të tij parandalimin e konflikteve të mundshme midis administratës publike dhe individit.

Avokati i Popullit vepron në bazë të ankesës apo kërkesës së paraqitur pranë tij. Ai vepron edhe me nismën e vet, për raste të veçanta, të bëra publike, por gjithmonë duhet të marrë më vonë pëlqimin e të interesuarit ose të dëmtuarit.

Në nenin 12 në Ligjin për Avokatin e Popullit thuhet: “Çdo individ, grup individësh ose organizata joqeveritare, që pretendojnë se u janë shkelur të drejtat dhe liritë dhe interesat e tyre të ligjshme nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, kanë të drejtë të ankohen ose të njoftojnë Avokatin e Popullit dhe të kërkojnë ndërhyrjen e tij për vënien në vend të së drejtës ose lirisë së shkelur.

Avokati i Popullit duhet të ruajë fshehtësinë nëse e sheh të arsyeshme si dhe nëse kjo kërkohet nga personi që bën ankesën, kërkesën apo njoftimin”.

Ndërsa në nenin 13 të këtij ligji theksohet se: “Në mbrojtje të interesave të një komuniteti të gjerë, të cilët mund të preken nga proçedimi administrativ, Avokati i Popullit ka të drejtë të fillojë një procedim administrativ dhe të marrë pjesë në të, në përputhje me kërkesat e Kodit të Procedurës Administrative”.

Aktualisht, institucioni i Avokatit të Popullit është në kontakt me Bashkinë e Elbasanit në lidhje me rastet e mësipërme.