Lajmi se ka rënë tavani i qendrës tregtare Prishtina Mall është i rremë. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se video që po qarkullon në rrjet tregon shembjen e tavanit në një qendër tregtare në San Salvador, në El Salvador.
————————————————–
Një llogari në TikTok, e quajtur @gilan_zerro6 ka postuar një video që më pas është shpërndarë dhe në rrjete të tjera sociale shqipfolëse si Facebook në 19 prill.
Në video tregohet shembja e tavanit të një godine nga brenda saj, dhe ajo shoqërohet me përshkrimin “Bjen Tavani në Prishtina Mall Tmerr”.

Duke qenë se nuk ka patur asnjë raportim nga mediat lokale të Prishtinës për këtë incident, “Faktoje” vendosi të verifikojë vërtetësinë e videos.
Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, “Faktoje” zbuloi se pamjet në video janë xhiruar nga brenda godinës Millenium Plaza në San Salvador në Republikën e Salvadorit në Amerikën Qendrore.
Mediat lokale të Salvadorit raportojnë se në 16 prill 2023, një stuhi e fortë e papritur goditi kryeqytetin San Salvador. Si pasojë e prurjeve të mëdha të shiut, një pjesë e tavanit të Millenium Plaza u shemb.
Fatmirësisht nuk ka patur viktima apo të lënduar si pasojë, por incidenti ka ngjallur kritika kundrejt ndërtuesve të godinës, e cila është e sapopërfunduar.
Lajme të tilla, të pakonfirmuara dhe të pabazuara në burime shërbejnë si burim dizinformimi dhe përhapin panik për lexuesit.
Kjo video është përgënjeshtruar dhe nga kolegët e Hibrid.info.