BallinaAktualitetBritania e Madhe raporton rënie të fluksit të emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria

Britania e Madhe raporton rënie të fluksit të emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria

Politikat e reja të emigracionit që kanë hyre rishtazi në fuqi në Britaninë e Madhe pas adresimit të përbashkët të problemit në Kanalin Anglez nga kryeministri Rishi Sunak dhe homologu i tij shqiptar Edi Rama, shpresohet të kenë ndryshuar sadopak situatën alarmante të emigrimit të paligjshëm dhe të rrezikshëm drejt Britanisë së Madhe. Ambasada Britanike në Tiranë publikoi këtë të martë të 25 prillit, Komunikatën e Përbashkët Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar ku raportohet se intensifikimi i punës nga agjencitë ligjzbatuese të të dyja vendeve ka parandaluar fluksin e kalimeve të rrezikshme nga brigjet e Francës veriore.

Po ashtu nenvizohet se autoritetet britanike dhe shqiptare kanë punuar së bashku për të parandualuar qëndrimin e emigrantëve të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipa komunikatës, që nga nënshkrimi i marrëveshjes më 13 dhjetor 2022, shifrat tregojnë rritje të numrit të shqiptarëve që janë kthyer në Atdhe.

Mbi 1000 shqiptarë kanë zbritur në Rinas në fluturimet e përjavshme të Home Office dhe këtu përfshihen individë që nuk mund të marrin azil dhe shkelës të ligjit, apo edhe ata që janë kthyer vullnetarisht.

Drejtori i Përgjithshëm për Çështjet e Migracionit në Mbretërinë e Bashkuar, Tony Eastaugh, citohet të ketë thënë: “Shifrat janë dëshmi se partneriteti ynë me Qeverinë Shqiptare për të përshpejtuar largimin e atyre që nuk kanë të drejtë ligjore të qëndrojnë në Britani, po funksionon. Teksa ne i intensifikojmë më tej këto masa, shtetasit shqiptarë që hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe nuk kanë të drejtë të qëndrojnë këtu, nuk duhet të kenë asnjë iluzion, pasi do t’i largojmë me rastin më të parë”. 

Duke iu referuar shifrave të Home Office, raportohet se vetëm 29 shqiptarë kanë kaluar Kanalin e La Manshit gjatë 3 muajve të parë të 2023-t.

Sakaq në funksion të kësaj nisme, një Task Forcë e Përbashkët për Migracionin është ngritur për koordinimin e veprimeve nga autoritetet e të dy vendeve.

Gjithashtu raportohet përforcimi i kritereve të lëvizjes së lirë në Pikat e Kalimit Kufitar në të gjithë vendin, ndërsa kryhen verifikime shtesë për shtetasit shqiptarë që konstatohen se ndodhen ilegalisht në territorin e Britanisë së Madhe.

Vitet 2021-2022 arritën shifra rekord të shqiptarëve që kërkojnë azil, emigrojnë në mënyrë ilegale apo refuzohen nga vendet pritëse, kryesisht nga Anglia. Shifrat e rendisin Shqipërinë mes vendeve që janë në luftë.

Instituti Europian i Statistikave, Eurostat, vlerëson se gjatë vitit 2021, shqiptarët janë populli i dytë jo anëtar i Bashkimit Europian, pas Ukrainës (50 200), me numrin më të lartë të individëve të cilëve u është refuzuar hyrja në BE, me rreth 18 600 të tillë.

Në lidhje me Mbretërinë e Bashkuar, në raportin e Dhjetorit 2022 për azilkërkuesit, Shqipëria listohet mes vendeve me numrin më të lartë të qytetarëve që kërkuan azil në Angli gjatë vitit 2021.

Në 2022-shin, Shqipëria kryesoi edhe përpara vendeve që janë në luftë. Në 2021, Shqiperia renditej e katërta për nga numri i azilkërkuesve në Britaninë e Madhe, krah vendeve në luftë si Iraku dhe Siria. Një vit më pas, në 2022-shin, Shqipëria kryesonte këtë listë.

Në vitin 2022, deri në muajin shtator, shqiptarët zunë vendin e parë për njerëzit që mbërrijnë në Britaninë e Madhe me varka të vogla dhe më pas aplikojnë për azil (24% e totalit). Nga 8,466 shqiptarë që mbërritën me varka të vogla gjatë 9 muajve të parë të 2022-shit, 85% e tyre aplikuan për azil.

Lexo edhe:

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img