Shemben rrugët, Rama në Korçë me helikopter: Ndodh edhe në Itali

Prokuroria e Elbasanit po heton shkaqet, ndërsa Rama e cilësoi fenomen gjeologjik

14

Sebi Alla Orët e gjata të mbetjes në trafik të rënduar dhe udhëtimi në rrugë pa rrugë është stërmundimi dhe kosto e lartë për mijëra qytetarë që e kanë të pamundur prej tre ditësh për të shkuar drejt Librazhdit, Prrenjasit, Pogradecit dhe Korçës.

Shkak është bërë bllokimi total i aksit kombëtar nga rrëshqitja e trasesë së rrugës dhe dëmtimi i një ure në afërsi të “Arrave të Gurrës” në fshatin Dragostunjë të Librazhdit. Krahas bllokimit të rrugës, në të njëtën zonë dëmtime pati edhe në një shtyllë të tensionit të lartë e cila u zhvendos dhe po ashtu traseja e hekurudhës buzë Lumit Shkumbin.

Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për të zbuluar nëse situata ka ardhur për shkak të kushteve atmosferike dhe gjeologjike, apo është nxitur si nga gërryerja e Lumit Shkumbin, ashtu edhe nga cilësia e dobët e punimeve në këtë aks. Situata mbetet shumë problematike duke hedhur dyshime mbi cilësinë në ndërtimin e rrugëve, por për kryeministrin Rama ky është një fenomen gjeologjik dhe situata të tilla me rrëshqitje ndodhin kudo.

Reagimi

Kryeministri Rama mbërriti ditën e sotme mjaft shpejt në Korçë, nëpërmjet helikopterit të Forcës Ajrore Ushtarake, për të mos humbur takimin për hapjen e “Polit të Dijes”, një projekt për zhvillimin e arsimit të lartë.

“Më thonë se qenkan futur në vlim tenxheret politike e mediatike pse unë po udhëtoj me helikopter për Korçë! Në fakt jo vetëm për Korçë, po nga Korça edhe në Vlorë, për të shoqëruar një grup investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë, e për t’iu prezantuar hapësirat e Polit të Dijes në Korçë dhe të kompleksit të ri në Vlorë, si dy destinacione me potencial për të mikpritur universitete të mirënjohura ndërkombëtare”, shkruan Rama në rrjetin social X.

Edhe pse Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet, Rama, dëmtimin e rrugës e lidhi me “fenomenin gjeologjik” duke mohuar akuzat për përgjegjësi të strukturave shtetërore, apo kompanive private të ndërtimit të akseve rrugore në këtë zonë. “Sa për aksin e bllokuar këto ditë, duhet një ligësi e madhe, një dëshpërim i thellë dhe një padije e rëndë, për t’ia faturuar qeverisë problematikën e një rrëshqitjeje gjeologjike të masivit natyror në anë të rrugës së vjetër, që ka impaktuar edhe aksin e ri, por që ka zero lidhje me ndonjë përgjegjësi profesionale a teknike të projektuesve, zbatuesve apo autoriteteve përkatëse”, tha Rama, duke publikuar edhe një fotografi që tregon një fshat në Itali të përfshirë nga erozioni.

“Në Itali po rrëshqet gjatë këtyre ditëve një masiv gjigand që rrezikon të marrë me vete një qytezë të tërë të banuar, po nuk ka ndonjë kanal a qoftë edhe portal në atë vend – parti politike jo e jo – që ta trajtojë fatkeqësinë natyrore me histerinë e këtushme, ku ky avaz është bërë një traditë e ligë”, shkruan ai

Opozita

Kreu i PD-së Sali Berisha, në një postim në rrjetet sociale ironizoi kryeministrin Rama, duke theksuar se pasi akset e juglindjes janë shembur, ai po udhëton drejt Korçës me helikopter. Sipas Berishës, kjo tregon dështimin e qeverisë në infrastrukturë dhe shkëputjen nga realiteti i qytetarëve.

Ndërsa deputetja e PD-së për qarkun Korçë, Ledina Aliolli, nga zona ku është bllokuar ku aks bëri përgjegjëse qeverinë për situatën e krijuar.

“Sot kryeministri Rama do të zbresë me helikopter në Korçë, kurse shqiptarët rropaten maleve për të shkuar në vendet që duhet të shkojnë. Rrugët e florinjta për shqiptarët mbeten rrugëve, kurse për kryeministrin Rama, kabinetin e tij dhe zv.kryeministren Belinda Balluku janë një mjet për të mbushur xhepat”, tha ajo, një deklaratë pjesërisht e vërtetë sa kohë që vetë Rama e pranoi se kishte shkuar me helicopter, porse të pazbardhura arsyet e vërteta.

Akset alternative

Në një njoftim për mediat, Autoriteti Rrugor Shqiptar në dy qëndrime njëra pas tjetrës u ka kërkuar qytetarëve që të përdorin akset alternative. “…ARRSH, për t’i ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve, sugjeron përdorimin e akseve alternative për autoveturat: Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan; Qafthanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë.

Për mjetet e tonazhit të rëndë: Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni – Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbërit. Një aks që e kanë ndjekur edhe shoferët e autoveturave si e vetmja rruge më e shkurtër për të arritur në destinacion.

Ndërsa pritej që të hapej në mesditën e sotme një aks provizor me rrugë dytësore, edhe ajo pësoi dëmtime. “Rruga dytësore e hapur për kalim provizor ka pësuar fundosje dhe rrëshqitje toke, duke dëmtuar punimet e kryera dhe duke e bërë segmentin aktualisht të pakalueshëm. Për arsye sigurie janë tërhequr mjetet e firmës zbatuese dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve”, njofton ARRSH.