.

.

BallinaPertejSfida e të prekurave nga tumori i gjirit gjatë pandemisë

Sfida e të prekurave nga tumori i gjirit gjatë pandemisë

Pandemia e COVID-19 dha efekte ‘anësore’ edhe tek kategoritë e të sëmurëve me tumore, sëmundja e dytë shkaktare e vdekshmërisë. Gjatë periudhës së pandemisë, raportohet se numri i vizitave diagnostikuese për tumorin e gjirit tek grate apo ofrimi i shërbimeve të tjera që lidhen me trajtimin e kësaj sëmundjeje, ra në mënyrë drastike, duke rënduar edhe më shumë problematikat e kësaj kategorie. Prej vitesh në Shqipëri, vendi me numrin më të ulët të mjekëve onkologë në rajon, mungon regjistri kombëtar për gratë e sëmura me kancerin e gjirit.

Në Shqipëri kanceri është shkak për vdekjen 16.5% të shqiptarëve dhe kanceri i gjirit zë 13-14%, thënë ndryshe, një në 7 vdekje vjen nga ky lloj tumori. Rreth 80% i grave që preken nga kanceri i gjirit I pëket moshës mbi 45 vjeç.Të dhënat nga Instituti I Statistikave në Shqipëri e rendisin këtë sëmundje të dytën në rendin e shkaqeve të vdekjeve për të paktën 5 vitet e fundit në vendin tonë.

 

Të dhënat e paraqitura janë deri në vitin 2019, pasi INSTAT ende nuk ka përmbyllur raportin për 2020-n.

Ne i dërguam Ministrisë së Shëndetësisë një kërkesë për informacion ku pyesnim:

-Sa është numri i grave të diagnostikuara me kancer gjiri nga janari i vitit 2015 deri në tetor 2020? (specifikisht për secilin vit)

-A ka sot një regjistër për gratë me kancer gjiri?

-Sa gra me kancer gjiri janë diagnostikuar me Covid-19 Sa prej tyre kanë humbur jetën?

-Sa është numri i vizitave rutinë të kryera tek gratë me kancer gjiri nga viti 2017 deri në vitin 2020? (specifikisht për secilin muaj).

Edhe pse ka kaluar një muaj, që prej dërgimit të kësaj kërkese, ende nuk kemi një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë.

Deri më sot, Shqipëria nuk ka ende një regjistër zyrtar për sa i përket numrit total të grave që vuajnë nga kanceri i gjirit.

 

Çfarë paraqesin të dhënat nga institucionet ndërkombëtare?

Të dhënat nga ‘International Agency for Research on Cancer’ e rendisin Shqipërinë në vendin e parw, sa i përket incidencës së kancerit të gjirit në të gjithë rajonin e Ballkanit. Po ashtu vërehet se numri i mjekëve onkologë në Shqipëri është më i ulëti në rajon (përveç Kosovës).

 

Çfarë ndodhi gjatë pandemisë me të prekurat nga kanceri i gjirit?

 

Në datën 11/03/2020 Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu urdhëroi ndërprerjen e përkohshme të ndërhyrjeve kirurgjikale të planifikuara në të gjithë strukturat spitalore publike dhe jo publike, për shkak të pandemisë.  Përjashtim nga ky rregull bënë vetëm ndërhyrjet kirurgjikale për patologjitë malinje, të cilat do zhvilloheshin sipas planifikimit. Ky urdhwr u shfuqizua në datën 15/03/2020.

Kjo masë jo vetëm uli numrin e operacioneve, por ndikoi edhe në pakësimin e vizitave diagnostikuese. Burime nga spitalet private dhe Qendrën Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, na konfirmuan se numri i vizitave ka rënë në mënyrë drastike.

“Padyshim që ka rënie jo vetëm në depistim, por edhe në diagnostikim, gjë që rrit numrin grave të cilat do të shfaqin rëndim të gjendjes, nëse më vonë diagnostikohen me kancer gjiri”- u shpreh Prof Asoc. Arianit Kokobobo.

“Pandemia Covid 19 ka patur një ndikim jo vetëm në parandalim, trajtim, diagnozë dhe ndjekje te kancerit te gjirit por te të gjithë llojet e tumoreve .Sëmundjet tumorale renditen të dytat pas atyre kardiovaskulare për nga shpeshtësia dhe janë një problem madhor global, pasi kanë një shkallë të lartë vdekshmërie dhe për ta ulur këtë shkallë vdekshmërie ndërmerren masa të ndryshme mjekësore duke ndërhyrë në etapat e sëmundjes.”-na informoi Dr.Daniela Bega.

 

Gjatë kërkimeve tona, mësuam se gjatë periudhës së pandemisë problem për këtë kategori të sëmurësh ka qenë edhe mungesa e medikamenteve specifike, të cilat nëse nuk merren në kohën e duhur, ndikojnë në përshpejtimin e sëmundjes. Një prej medikamenteve që shumë paciente kanë hasur vështirësi për ta gjetur në spitalin Onkologjik të Tiranës ka qenë ‘TAXOLIN’.

“Nuk është në spitalin Onkologjik, aty ku sipas rregullave duhet ta marrim falas.Na kanë thënë gjendet vetëm në farmaci private”-na informoi Z.H 52 vjeçe e cila kurohet prej më shumë se një viti nga kanceri i gjirit.

Çfarë thonë shifrat e ISHP (Instituti I Shëndetit Publik)

Çdo vit, Instituti i Shëndetit Publik ofron kryerjen e mamografisë falas në çdo qytet të Shqiperisë, përmes mamografive të lëvizshme. Shifrat tregojne një rënie drastike nga viti 2019 ne vitin 2020.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img