Pretendimi: Kjo video tregon një të ri që humbi bastin dhe i del përpara kamionit në autostradë

Verdikti: Video e manipuluar

——————————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjete sociale duket se tregon një djalë të ri, i cili shtrihet në autostradë ndërsa dy kamionë i kalojnë përsipër.

Përpara se dikush të frymëzohet nga i riu në video dhe të përpiqet të bëjë një veprim të ngjashëm, duhet saktësuar se gjasat janë që video e mësipërme është e manipuluar.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video daton në vitin 2018. Në videon e plotë, djaloshi i flet kameras rusisht duke thënë: “Ai momenti kur humb bastin se Rusia do futej në gjysmëfinale,” duke iu referuar Kampionatit Botëror të Futbollit të vitit 2018.

Treguesit kryesorë që kjo video është manipuluar janë fakti që kamionët nuk frenojnë apo përpiqen të devijojnë kur i riu u del përpara. 

Më tej, duket se kamioni i parë, i cili duket sikur i kalon sipër të riut të shtrirë në mes të rrugës, është tepër i ulët. Nëse video do të ishte reale, i riu nuk do të kishte evituar, edhe i shtrirë, përplasjen me të.

Pasi kamioni i parë i kalon sipër, i riu i shtrirë rrotullohet për të ikur, por përpara se të mundet një kamion i dytë kalon mbi të. Në video duket sikur i riu kalon tej për tej rrotave të kamionit të dytë, i padëmtuar. Kjo gjë do të ishte e pamundur nëse video nuk do ishte manipuluar.

Video me gjasa është prodhuar me programe kompjuterike, duke kombinuar dy video të xhiruara në të njejtin vend, nga i njejti kënd, por në kohë të ndryshme. Gjeni më poshtë një demonstrim nga Youtuberi Captain Disillusion.