Një lajm i përkthyer nga anglishtja dhe i kopjuar gjerësisht në mediat online shqiptare pretendon se seriali amerikan vizatimor “The Simpsons” ka arritur të parashikojë arrestimin e ish-presidentit amerikan Donald Trump. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se kësaj here parashikimi i autorëve të famshëm për këto udhëtime në kohë, nuk është dhe aq i saktë.

—————————————–

Një sërë portalesh shqipfolëse kanë shpërndarë së fundmi si fakt interesant se seriali vizatimor The Simpsons ka parashikuar arrestimin e ish-presidentit amerikan Donald Trump para 29 vitesh.

Artikujt raportojnë se The Simpsons ‘parashikoi’ arrestimin e Trump në një episod të vitit 1994, të quajtur “Lisa vs. Malibu Stacy”. 

Si fakt për këtë pretendim sillet një nga skenat e episodit, ku spikeri i lajmeve Kent Brockman, pasi ka folur për 28 minuta për kukullën Malibu Stacy, përfundon edicionin duke thënë si një lajm të parëndësishëm përpara përshkrimit të kukullës: “Oh, dhe presidenti u arrestua për vrasje. Do të flasim më shumë për këtë nesër mbrëma”. 

Donald Trump u arrestua në 4 prill 2023, tre vite pasi ai la detyrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai u arrrestua nën akuzën e falsifikimit të dokumentave të biznesit me anë të një skeme të dizenjuar për të fshehur informacion dhe aktivitete të paligjshme që mund ta dëmtonin imazhin e tij përpara zgjedhjeve të 2016. Pika kyçe e padisë është një rryshfet prej $130.000 që ai i pagoi aktores së filmave për të rritur Stormy Daniels në shkëmbim të heshtjes së saj mbi marrëdhënien e tyre.

Kështu, seriali vizatimor ‘parashikoi’ se një president do të arrestohesh për vrasje. Në të vërtetë, Donald Trump u arrestua kur ai nuk ishte më president, por ish-president. Për më tepër, ai nuk u arrestua për vrasje, por për falsifikim dokumentash.

Megjithatë, më parë, seriali “The Simpsons” ka ‘parashikuar’ disa ngjarje, duke përfshirë këtu zgjedhjen e Donald Trump si president i ShBA në 2016, fituesin e një çmimi Nobel, dhe një grip të rrezikshëm që filloi në Azi, ndër të tjera

Kjo, sipas vetë autorëve të serialit, nuk vjen si pasojë e ndonjë aftësie mbinatyrore për të parë të ardhmen por thjesht si pasojë e faktit që seriali ka mbi 700 episode dhe transmetohet që nga viti 1989. “Nëse bën më shumë episode për më shumë dekada se gjithë serialet e tjera, do të parashikosh më shumë gjëra saktësisht,” tha autori Matt Selman. Ajo që duhet theksuar si vlerësim për ata që ndajnë këto lajme online është fakti që arrijnë të identifikojnë episode të tilla të parëndësishme në një seri të shfaqur 29 vite më parë nga filmi i famshëm vizatimor.