Pretendimi: Kjo video tregon një telefon iPhone13 në shtëpinë e një profesori japonez 38 vite më parë
Verdikti: Mungon konteksti
Një video e ndarë në rrjetet sociale së fundi njoftohet si prova e gjetjes së një telefoni iPhone 13 në shtëpinë e një profesori japonez plot 38 vite më parë.
“Një iPhone i filmuar në Japoni në 1980”-thuhet në përshkrimin që shoqëron këtë video.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Në këtë video duket një person, i cili mban në dorë një iPhone, që e sheh dhe e rrotullon në të gjitha anët. Por, në fund ai mendon se objekti i çuditshëm për të është një pasqyrë.
Për ndarësit e kësaj video qëllimi është të tërheqin vëmendjen me ngjarje anormale apo edhe të mbështesin teori të udhëtimit në kohë të njerëzve dhe objekteve.
Ne vendosëm të bëjmë një verifikim të këtyre pamjeve, për të kuptuar realisht se çfarë është kjo video dhe kur është publikuar ajo. Nëpërmjet mjeteve të verifikimit të fotove dhe videove konstatuam se pamjet janë pjesë të një seriali të shkurtër japonez me 5 episode, me titull: “The Woman Who Knew Too Much-The Woman Called ‘Kiyoko Onoguchi”. (përkthyer nga japonishtja në anglisht).
“Kjo video është prodhuar në qershor 2023 dhe është një trillim. Video nuk lidhet në asnjë mënyrë me njerëz të vërtetë, emra vendesh, organizata apo ngjarje reale”, sqarohet krahas pamjeve të shpërndara në Youtube.
Në minutën 03:40 të këtij seriali, të publikuar në qershor të vitit 2023, mund të shohim edhe skenën e burrit me iPhone në dorë.
Pra, ndryshe nga çfarë pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë, nuk është zbuluar asnjë iPhone në vitin 1980.