Përgjatë dy viteve të fundit, nga nisja e sulmit Rus në Ukrainë, presidentit serb Aleksandar Vuçiç i është dashur të gjejë balancën për të mos u kthyer në “të përjashtuarin” e Europës, duke mbetur i vetmi partner i BE-së që nuk është linjëzuar me politikën e jashtme dhe ato të sigurisë të unionit. Prej vitesh Vuçiç shtyn përpara idenë e anëtarësimit të Serbisë në BE, duke ruajtur njëkohësisht lidhjet miqësore me Kremlinin dhe duke tërhequr investime Kineze në vend. Ekspertët shpjegojnë se kjo “lojë” e Vuçiçit dhe Serbisë është një zgjatim i taktikës së ish-Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore dhe qëndrimit të saj mes dy superfuqive.
Jona Plumbi
Serbia i nisi negociatat e antarësimit me Bashkimin Europian një dekadë më parë, por deri tani, nga 22 kapituj të hapur ka mbyllur vetëm 2 prej tyre. Lëkundja e Serbisë mes dy “botëve” — asaj perëndimore me BE-në dhe SHBA-në në njërën anë dhe asaj lindore me Rusinë dhe Kinën në anën tjetër — është e qëllimtë, strategjike dhe me synim përfitimin e sa më shumë të mirave nga të dyja palët.
Sipas hulumtuesit Arjan Dyrmishi, Serbia është e interesuar të përfitojë strategjikisht nga procesi i integrimit në BE, pasi ajo i ofron mundësi ekonomike. “Por njëkohësisht, Serbia do të ketë marrëdhënie sigurie neutrale dhe të vijojë të mbetet e lidhur me Kinën dhe Rusinë, sa i përket sigurisë.” – vijon ai.
Në të njejtën linjë është edhe studiuesi Geron Kamberi, i cili pozicionimin e Serbisë mes “dy zjarreve” e sheh si mjaft shpërblyese për të. “Serbia ka synuar të përfitojë nga ‘karrota financiare’ e BE-së përkundrejt një serie reformash strukturore e kapaciteteve të brendshme apo burimeve njerëzore që i ka trefishuar, por edhe i ka fuqizuar gjatë këtyre viteve.”
Në anën tjetër – argumenton Kamberi – Serbia po përdor “diplomacinë e heshtjes” duke mos sanksionuar Rusinë me qëllim përfitimin maksimal financiar nga Kina apo atë politik nga Rusia, në momente të caktuara.
Kjo strategji po e shpërblen mjaft mirë Serbinë.
Ndërsa Vuçiç do të marrë një paketë mbështetjeje për energjinë nga Brukseli me vlerë 165 milionë euro (përpos asaj që është pjesë e Planit Ekonomik të Investimeve dhe alokimeve të mundshme nga Plani i Rritjes i Ballkanit Perëndimor), në Maj të vitit 2022 ai firmosi një marrëveshje me Putinin për përfitimin e gazit Rus me kushte të favorshme.
Sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare, shembujt tregues janë disa.
Firmosja e deklaratave të përbashkëta mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së për përparimin e rajonit me njërën dorë, dhe kushtëzimit të këtyre deklaratave me mos-njohjen e marrëveshjeve të arritura, me dorën tjetër; apo angazhimi për bashkëpunim dhe arritje të tregut të përbashkët rajonal përmes procesit të Berlinit në një anë dhe, po atë ditë, angazhimi për marrëdhënie tregëtare me Rusinë.
“Në politikën e jashtme, një nga taktikat e diplomacisë është përkëdhelja diplomatike për ato shtete që mund të konsiderohen kapriçiozë me sjelljet e tyre dhe politikat rajonale” – Geron Kamberi, studiues.
Sipas tij politika rajonale në Ballkanin Perëndimor do të shënjohet nga shpejtësia e shteteve që synojnë të antarësohen në BE, por edhe nga ruajtja e raporteve dinamike me SHBA-në.
“Natyrisht, BE-ja do të synojë që përmes ofertës për anëtarësim sa më të shpejtë ta joshë Serbinë që t’i përafrojë qëndrimet e politikës së saj të jashtme me ato të BE-së.” – argumenton Kamberi.
Problemi, sipas studiuesit Arjan Dyrmishi, përkufizohet tek fakti që Serbia refuzon të njohë Kosovën, ndaj dhe e ka shumë të vështirë të ndahet nga Rusia dhe Kina, të cilat i ofrojnë garancinë që Kosova nuk do të njihet në marrëdhëniet ndërkombëtare.
‘Aftësi diplomatike e trashëguar si vijim i ish-Jugosllavisë’
Këtë “paqëndrueshmëri të qëndrueshme” presidenti serb e shpreh edhe në deklaratat e tij.
“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin se kemi investime Perëndimore dhe se jemi në rrugën europiane. Është budallallëk kur dikush thotë se ne duhet të shkëputemi nga kjo, apo nga të gjitha lidhjet me Rusinë. Kjo nuk mund të jetë Serbia, pasi ne duhet të kujdesemi për shpirtrat e njerëzve, por edhe për interesat e tyre ekonomike” – deklaronte Vuçiç në shkurt të vitit 2023.
Arjan Dyrmishi këtë pozicionim të Serbisë e sheh si aftësi diplomatike dhe administrative të trashëguar.
“Është çështje kulture institucionale dhe mentaliteti që duhet kultivuar, që të japë këtë produkt që ne na duket i çuditshëm, por që është i realizueshëm, sepse është i prekshëm.” – Arjan Dyrmishi, studiues.
Kjo trashëgimi vjen nga tradita e diplomacisë jugosllave e kohës së pas Luftës së Dytë Botërore, argumenton Geron Kamberi.
“Në tërësi Serbia ka krijuar bindjen e saj se si janë pozicionuar aktorët e mëdhenj të politikës globale në rajon si SHBA-ja, BE-ja, Kina dhe Rusia duke lexuar qartë interesat e tyre, veçanërisht në raport me faktorin shqiptar. Në këtë kuadër ajo ka përshtatur një politikë të jashtme në përputhje me këtë qasje.” – shpjegon Geron Kamberi.
Shpesh politika serbe përdor kartën e presionit, apo edhe të të bërit kinse është në lëkundje, për të marrë vëmendjen e njërës apo tjetrës palë.
Kështu ndodhi kur ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç në janar 2023 “entuziazmoi” europianët se “nëse diçka ndryshon në dëm të interesave të Serbisë, atëherë vendimi ynë do të përshtatet në përputhje me rrethanat”.
Shumëkush mendoi se Serbia mund të bashkohej me sanksionet e BE-së kundër Rusisë, por vetëm një vit më pas, Serbia jo vetëm nuk ndryshoi qëndrim, por madje u mburr me faktin se është e vetmja që i ka qëndruar presionit për linjëzim me sanksionet europiane.
“Serbia e vogël është i vetmi vend që nuk ka vendosur asnjë sanksion edhe pse sanksionet ndaj Rusisë janë tema kryesore në çdo ngjarje ndërkombëtare. Ne nuk rrahim gjoksin, por, siç e shihni, përgjigja ime do të jetë e njëjtë në të ardhmen. Ne kemi mundur ta bëjmë këtë për dy vite tashmë. Nuk e di nëse do të vijojmë kështu, por shpresoj për këtë”, deklaroi Vuçiç në 20 shkurt 2024 nga Rusia.
Si e shfrytëzon Serbia rrezikun rus në rajon
Ermal Hasimja, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare, argumenton se Serbia përdor frikën e Europës për ndikimin rus.
“Një pjesë e mirë e opinionit publik serb është pro-europian dhe kjo natyrisht merret parasysh nga Vuçiç. Është vështirë të mendohet se Serbia do të shndërrohej në një Bjellorusi të dytë. Por kjo nuk e pengon Vuçiçin të luajë njëfarë bllofi në lojën e tij diplomatike. Deri tani i ka funksionuar.” – Ermal Hasimja, studiues.
Kjo dukej e pabesueshme 10-15 vjet më parë – argumenton Arajn Dyrmishi – por koha tregoi se Serbia diti ta menaxhojë mbajtjen e marrëdhënieve me të dy polet.
“Ja ku jemi pas kaq vitesh dhe Serbia ia ka arritur të krijojë këtë lloj bllokimi për të gjithë rajonin, duke e bërë Ballkanin Perëndimor më të cënueshëm nga këto influenca. Po të mos ishte Serbia nuk do flisnim për influencë ruse apo kineze në Ballkan.” – shpjegon Arjan Dyrmishi.
Për aq kohë sa Rusia do të paraqesë rrezik për Evropën, kjo strategji e Serbisë mund t’i funksionojë edhe në të ardhmen – vijon Ermal Hasimja i cili në mungesë të Rusisë e sheh të mundur që Serbia të shfrytezojë edhe Kinën në rolin e ‘gogolit’.
Kjo pasi Serbisë i intereson pikërisht qëndrimi në këtë pozicion, gjë që faktohet nga qëndrimi i elitës aktuale politike që po qeveris Serbinë, sipas Geron Kamberit.
“Nëse do të bënim një përkufizim, diplomacia e Serbisë mund të karakaterizohet nga parimi: “Mos iu largo SHBA-së, qëndro afër Rusisë, afrohu sa më shumë me BE-në dhe mos e braktis Kinën.” – përmbylli Geron Kamberi.