Sëmundja e lebrës u rikthye në ShBA përpara lëshimit të mushkonjave të modifikuara

638

Konspiracionistët po përpiqen të krijojnë një lidhje mes rasteve të lebrozës në shtetin amerikan të Florida dhe lëshimit të mushkonjave të modifikuara gjenetikisht në Florida me qëllim parandalimin e sëmundjeve që transmetohen nga insektet. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se ky pretendim është i pabazë, sepse rastet e lebrozës janë dokumentuar prej vitit 2020, përpara se këto mushkonja të lëshoheshin.

——————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, po pretendohet se “rastet e lebrës u shtuan në Florida Qendrore duke përkuar me lëshimin e mushkonjave të Bill Gates”.

Për të verifikuar këtë pretendim të jashtëzakonshëm, të paraqitur, si zakonisht, pa asnjë provë, “Faktoje” vendosi fillimisht të gjente lajmin origjinal, të cilit i referohet ky postim.

Postimi i mësipërm shoqërohet me një pamje nga çfarë duket si një edicion lajmesh i “Next News Network”. Video origjinale është postuar në Youtube në 2 gusht 2023. Ajo thjesht informon për praninë e sëmundjes ‘biblike’ të lebrozës në Florida, por nuk përmend në asnjë moment mushkonja apo Bill Gates.

Për çfarë po flet atëhere postimi i mësipërm?

Togfjalëshi “mushkonjat e Bill Gates” përdoret nga konspiracionistët për t’iu referuar një nisme për kontrollin e sëmundjeve që konsiston në lëshimin e mushkonjave të modifikuara gjenetikisht. Kjo nisëm është implementuar nga kompania Oxitec, e cila është mbështetur më parë financiarisht nga Fondacioni Bill & Melinda Gates. Megjithatë, një zëdhënës i kompanisë tha për Associated Press se puna e tyre në ShBA nuk financohej nga Fondacioni Gates.

Në 2021, Oxitec lëshoi mushkonja të modifikuara gjenetikisht në Florida Keys me qëllim ndalimin e sëmundjeve që transmetohen nga insektet si Ethet e Dengës dhe virusi Zika. Individët e lëshuar janë meshkuj të species Aedes aegypti. Ato lëshohen për t’u çiftuar me mushkonjat femra. Pasardhësit e krijuar nga këto çiftime do të trashëgojnë nga baballarët një ndryshim gjenetik që i bën pasardhëset femra të paafta për të mbijetuar. Kjo do të ulë popullsinë e mushkonjave që transmetojnë sëmundje, duke qenë se vetëm individët femra pickojnë.

Klipi i mësipërm, dhe artikulli që e shoqëron, i referohet një studimi të Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) i cili ka gjetur se gati 1/5 e rasteve të lebrozës në ShBA gjenden në Floridën Qendrore, ndërsa 81% e rasteve janë gjendur në shtetin e Floridës. Studimi nuk përmend mushkonja.

Një lidhje mes rasteve të lebrozës që ka shqyrtuar ky studim, dhe lëshimit të mushkonjave nga Oxitec nuk mund të ekzistojë.

Kjo sepse studimi i CDC ka shqyrtuar vetëm raste të personave që janë infektuar në periudhën 2015-2020. Ndërkohë, mushkonjat e modfikuara gjenetikisht u lëshuan në Prill 2021.