Pretendimi: Kjo video tregon një semafor në Gjermani që nuk bëhet i gjelbër nëse motoristët nuk kanë vendosur helmetën.
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————–
Një video që ka marrë më shumë se 4 mijë pëlqime në Facebook pretendon se tregon një semafor në Gjermani që nuk bëhet i gjelbër nëse motoristët nuk kanë vendosur helmetën.
Video tregon një grua që nget një motoçikletë me helmetën në krah. Teksa pret që semafori të ndezë dritën jeshile, pranë semaforit duket një ekran, në të cilin shfaqej fytyra e saj me një tabelë ku shkruhet: “Vëre helmetën ose semafori do të mbetet i kuq”. Pas kësaj gruaja vendos helmetën dhe, në çast, semafori bëhet jeshil.
Një detaj që na bën të dyshojmë menjëherë origjinën e videos është shkrimi në tabelën krahas semaforit i cili nuk është në gjermanisht, por në spanjisht.
Kjo sepse video në të vërtetë është filmuar në Argjentinë.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se tabela është pjesë e një fushate ndërgjegjësimi e implementuar nga Honda në 2021, në Campana, ku Honda ka fabrikën e prodhimit të motoçikletave.
Sistemi i dizenjuar nga kompania përmban semaforë me teknologji që njohin fytyrën për të zbuluar kur janë dy persona në një motoçikletë ose kur njëri prej tyre nuk mban helmetë.
Qëllimi i fushatës ishte promovimi i praktikës së ngarjes së sigurt të motorrëve dhe ndërgjegjësimi për rëndësinë e mbajtjes së helmetës tek motoçiklistët.
Në Argjentinë, 44% e viktimave të aksidenteve rrugore janë të rinj me motoçikleta. 40% e këtyre viktimave nuk mbanin helmetë.