Lajmi se presidenti amerikan Biden ka kërcënuar amerikanët se do të dërgojnë djemtë e tyre në luftë nëse nuk japin ndihmë për Ukrainën është një keqinterpretim. Verifikimi i Faktoje e risjell në kontekstin e munguar.

——————————————-

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi, i shpërndarë fillimisht nga komentatori konservator amerikan Tucker Carlson, se “administrata Biden po kërcënon haptas amerikanët për Ukrainën. Në një mbledhje sekrete në Shtëpinë e Bardhë dje, sekretari i mbrojtjes Lloyd Austin bëri me dije pjesëmarrësit se nëse nuk përvetsojnë më shumë para për Zelenskyn, ‘do të dërgojmë xhaxhallarët, kushërinjtë dhe djemtë tuaj të luftojnë Rusinë.’ Paguani oligarkët ose do t’u vrasim fëmijët.”

Në të vërtetë, administrata Biden ka muaj që i thotë Kongresit amerikan se Ukraina ka nevojë për më shumë mbështetje në luftën e saj kundër Rusisë.

20 tetor 2023, Biden iu drejtua publikut amerikan duke paralajmëruar se mos ndalimi i pushtimit rus të Ukrainës do t’i jepte guxim presidentit rus Putin për të pushtuar edhe vende anëtare të aleancës ushtarake NATO. 

Biden tha që nuk do të dërgojë trupa amerikanë për të luftuar në Ukrainë. Megjithatë, “nëse Putin sulmon një pjesëtar të NATO, ne do të mbrojmë çdo centimetër të NATO që kërkohet nga traktati.”

Sipas medias amerikane The Messenger, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin III përsëriti të njejtin mesazh në një takim të mbyllur për pjesëtarët e Kongresit më 5 dhjetor. Ai tha se një dështim për të miratuar më shumë ndihmë financiare për Ukrainën “me shumë gjasa” mund të çojë në nevojën që trupat amerikane të mbrojnë aleatët e tyre të NATO në Europë nga Rusia.

Biden dhe Austin i referohen Nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut i cili parashikon:

Palët bien dakord se një sulm i armatosur kundër një apo më shumë prej tyre në Evropë apo në Amerikën e Veriut do të quhet si sulm kundër të gjitha atyre dhe si pasojë bien dakord që, nëse ndodh një sulm i tillë, secila nga ato, në ushtrim të të drejtës së vetëmbrojtjes kolektive apo individuale të njohur nga Neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojë Palën apo Palët e sulmuara në këtë mënyrë duke ndërmarrë menjëherë, individualisht dhe në bashkërendim me Palët e tjera, ato veprime që i vlerëson si të nevojshme, përfshirë këtu përdorimin e forcave të armatosura, për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë në zonën e Atlantikut të Veriut.

Çfarëdo sulmi i tillë i armatosur dhe të gjitha masat e marra si rrjedhojë e tij do t’i njoftohen menjëherë Këshillit të Sigurimit. Masa të tilla do të përfundojnë kur Këshilli i Sigurimit të ketë marrë masat e nevojshme për të rivendosur dhe ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Neni 5, i cili përkufizon parimin e “vetëmbrojtjes kolektive”, e konsideron një sulm kundër njërit ose disave prej anëtarëve të saj si një sulm kundër të gjithë anëtarëve.

Pas mbledhjes me Austin, kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme Michael McCaul tha për The Messenger: “Nëse Putin pushton Ukrainën, do të marrë Moldavinë, Gjeorgjinë dhe pastaj ndoshta shtetet Baltike.” Shtetet Baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania, janë pjesëtare të NATO. “Dhe pastaj ideja që do na duhet të dërgojmë trupa tokësore në fjalët e Sekretarit Austin kishte shumë gjasa të ndodhte,” tha ai.

Më 6 dhjetor 2023, presidenti Biden iu referua Nenit 5, duke nxitur Kongresin amerikan që të miratojë më shumë financim për Ukrainën:

“Nëse Putin merr Ukrainën, ai nuk do ndalet atje. Eshtë e rëndësishme të kemi largpamësi këtu. Ai do të vazhdojë. E ka bërë mëse të qartë. Nëse Putin […] azhdon dhe sulmon një pjesëtar të NATO – atëherë, ne jemi përkushtuar si pjesëtarë të NATO që do të mbronim çdo centimetër të territorit të NATO. Atëherë do të kemi diçka që nuk e kërkojmë dhe nuk e kemi sot: trupa amerikane duke luftuar trupa ruse – trupa amerikane duke luftuar trupa ruse nëse ai lëviz në pjesë të tjera të NATO.”

Parimi i vetëmbrojtjes kolektive, si parandalim i zgjerimit të Bashkimit Sovjetik në Europën Lindore, ishte nga qëllimet kryesore për krijimin e NATO-s në 1949. Neni 5 i Traktatit u citua për herë të parë pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në ShBA. Pasi Këshilli i Atlantikut të Veriut u informua se sulmi ishte i drejtuar nga jashtë, pati konsultime mes aleatëve dhe Këshilli vendosi për veprim kolektiv.