Pretendimi: Ky imazh tregon kuti misterioze të ndërtuara mijëra vjet përpara
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————-
Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale duket se tregon një strukturë kuboide prej guri. Imazhi shoqërohet me një sërë aludimesh se kjo strukturë ka lidhje me struktura të tjera guri të 9500 viteve para erës sonë që pretendohet se dëshmojnë një qytetërim botëror, me kristale kuarci dhe teknologji të zbuluar nga Nikola Tesla.
Pyetja kyçe që nis aludimet është se çfarë kishin brenda kutitë në imazhin e mësipërm. Kështu, duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje, Faktoje ndoshta mund të vendosë këtë imazh në kontekstin e munguar.
Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Lens, Faktoje gjeti se struktura në imazh është një nga sarkofagët e gjetur në tempullin e perëndisë Serapis në Saqqara në Egjipt.
Ky tempull, i quajtur Serapeum, shërbente në Egjiptin e lashtë si vendvarrim i demave të shenjtë të kultit Apis. Sipas besimeve të kultit Apis, demat e shenjtë ishin mishërime të perëndisë Ptah, i cili pas vdekjes do të bëhej i pavdekshëm në formën Osiris-Apis, një emër që më vonë evoloi në Serapis.
Kur demi i shenjtë, i quajtur Apis, vdiste, priftërinjtë kërkonin demin e radhës ku ishte transferuar shpirti i perëndisë. Sipas Herodotit, ky duhet të ishte i zi, me një shenjë trecepëshe në ballë, shëmbëlltyrën e një shqiponje në kurriz, qime të dyfishtë bishti dhe një nyjë nën gjuhë. Ceremonitë e varrimit të Apis zgjasnin 70 ditë.
Mumje e një demi të shenjtë, Muzeu Smithsonian në Washington D.C.
Duke nisur nga viti 550 para Krishtit, këta dema të shenjtë varroseshin në sarkofagë gjigandë që peshonin rreth 65 tonë, të cilët lëvizeshin me mjete si çikrikët, rrotullat dhe levat. Sipas mbishkrimeve në Serapeum, duheshin 28 ditë pune për të transportuar një sarkofag dhe kapakun e tij në një dhomë varrimi. Për t’i ulur në pozicionet e tyre përfundimtare, dhomat e varrimit fillimisht mbusheshin me rërë dhe pas vendosjes së sarkofagut, rëra hiqesh gradualisht.
Një model i varrit të një demi të shenjtë në Serapeumin e Saqqara
Një gur monumental i zbuluar në 1850 nga arkeologu Auguste Mariette përmban data lidhur me jetët dhe vdekjet e demave të shenjtë dhe ndërtimin e vendvarrimeve të tyre. Në stelen e faraonit Darius I përshkruhet: “Ne i bëmë atij [Apis] një sarkofag të madh me material të fortë me vlerë, siç bëmë më parë.”
Serapeumi i Saqqara është i hapur për turistët dhe sarkofagët gjigandë presin vizitorë edhe sot.