Saranda pa terminal, premtime dhe shtyrje

Në objekt punohej ende, ndërsa duket larg përfundimit të veprës

60

Sebi Alla – Premtim pas premtimi dhe shtyrje pas shtyrjesh e gjetën Sarandën këtë sezon turistik veror, tashmë të mbyllur, pa Terminalin e Autobusëve. Koha ka mbetur bashkë me objektin i cili ka marrë formë, por ende larg përfundimit të punimeve dhe nisjen e funksionit të saj.

“Për herë të parë në qytetin e Sarandës do kemi një parkim publik këtë sezon dhe besoj bëhet gati në fund të qershorit, tek Terminali i ri që hapet, do jenë 90 poste parkimi”, tha kryebashkiaku i Sarandës Oltion Çaçi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak më 5 maj të këtij viti pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Terminali

Faktoje.al udhëtoi drejt Sarandës më 11 shtator dhe verifikoi në terren Terminalin e Autobusëve. Në objekt punohej ende, ndërsa duket larg përfundimit të veprës, ndonëse ka kaluar çdo afat dhe premtim. Punimet kanë nisur më 10 nëntor 2023, dhe si kohë e përfundimit ishte përcaktuar 14 muaj. Investitor është Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndërsa vlera e objektit kap shumën 573.187.955.24 lekë. 

Faktoje.al ia drejtua Bashkisë Sarandë me disa pyetje në lidhje me Terminalin e Autobusëve dhe përse nuk ka përfunduar në kohë, por deri në publikimin e këtij shkrimi, pavarësisht se ka kaluar afati ligjor për “kthim-përgjigje”, nuk patëm qëndrim nga bashkia.

Ndërtimi i Terminalit të Autobusëve ishte ndërkohë një ndër premtimet kryesore të kandidatit për kryebashkiak Oltion Çaçi, i cili në një takim me banorët më 5 maj 2023 duke artikuluar sloganin e PS-së tha: “Vetëm përpara” për përmirësimin urgjent të rrugëve dhe trafikut…ndërtimin e një terminali model për autobusat interurbanë në hyrje të Sarandës”.

Tek stacioni i vjetër

Mungesa e terminalit të Autobusëve i detyron kompanitë dhe individët e shërbimit të transportit që të përdorin hapësirat e “stacionit të vjetër” në qendër të qytetit si vendqëndrim, si për linjat interurbane ashtu edhe furgonët e linjave Sarandë-fshatra.

“Ka një vit që thonë do mbarojë këtë muaj do mbarojë atë muaj. Për ne është shumë problem lëvizja në qytet sidomos në kulmin e sezonit turistik. Mbesim deri në dy orë në trafik”, thotë drejtuesi i një autobusi të linjës Tiranë-Sarandë, që nuk pranon të identifikohet. E njëjta situatë është edhe me shërbimin e transportit me furgonë të cilët edhe ata e kanë detyrim të qëndrojnë në zonën e njohur si “stacioni i vjetër”.

Përfundimi

Edhe pse afatet e përfundimit të punimeve ishin 14 muaj nga nisja, tashmë pas 22 muajve terminali jo vetëm nuk ka përfunduar, por dukshëm ka ende nevojë për punime. Ndaj dhe, premtimin e Bashkisë Sarandë për ndërtimin e Terminalit të Autobusëve brenda afatit të premtuar do e konsiderojmë të pambajtur

Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.