Pretendimi: Kryeministri Spanjoll Sanchez ka kërkuar “skedim të atyre që shprehin mendime ndryshe në rrjetet sociale dhe vetëm profile me identitet”
Verdikti: Gjysmë e vërtetë
————————————————————————
Fjalimi që kryeministri spanjoll Pedro Sanchez mbajti më 22 janar në Forumin Ekonomik Botëror po raportohet në rrjete sociale si një thirrje për “skedim të atyre që shprehin mendime ndryshe në rrjetet sociale dhe vetëm profile me identitet.”
Kryeministri socialist ka ngritur dhe më parë zërin për sektorin dhe ndërhyrja e tij e fundit vjen pasi një debat i ashpër rreth mediave sociale dhe pronarëve të tyre të pasur po intensifikohet. Shqetësimi për konfliktet e interesit është rritur pasi pronari i X, Elon Musk, personi më i pasur në botë, ndihmoi në shtytjen e Donald Trump drejt një mandati të dytë në Shtëpinë e Bardhë dhe u fut në politikën europiane.
Mediat sociale tani kanë “anë të mëdha negative, të fshehura në zorrët e algoritmeve si pushtuesit e fshehur në barkun e një kali trojan”, tha Sanchez gjatë fjalimit tij 17-minutësh.
Sanchez tha se përdoruesit e mediave sociale duhet të lidhin llogaritë e tyre me një formë identifikimi për të goditur dezinformimin, gjuhën e urrejtjes, ngacmimet dhe robotët që përhapen nën mbulesën e anonimitetit.
“Unë propozoj t’i jepet fund anonimitetit në mediat sociale,” tha Sanchez. “Në vendet tona askush nuk mund të ecë në rrugë me maskë në fytyrë ose të ngasë makinë pa targa. Askush nuk mund të dërgojë pako pa treguar një identifikim ose të blejë një armë gjuetie pa dhënë emrin e tyre, e megjithatë ne po i lejojmë njerëzit të bredhin lirshëm në rrjetet sociale pa i lidhur profilet e tyre me një identitet të vërtetë. Kjo po i hap rrugën dezinformatave, gjuhës së urrejtjes dhe ngacmimit kibernetik, sepse po lehtëson përdorimin e robotëve dhe po i lejon njerëzit të veprojnë pa u mbajtur përgjegjës për veprimet e tyre. Një anomali e tillë nuk mund të vazhdojë. Në një demokraci, qytetarët kanë të drejtën e privatësisë – jo të anonimitetit apo mosndëshkimit – sepse me këto dyja bashkëjetesa sociale do të ishte e pamundur.”
Të gjitha platformat duhet të lidhin çdo llogari me një “portofol të identitetit dixhital evropian” për të mbajtur përgjegjës kriminelët e mundshëm, vazhdoi ai.
Megjithatë, në gjithë fjalimin e tij, ai nuk përmendi asnjëherë se do “skedim të atyre që shprehin mendime ndryshe në rrjetet sociale.” Ai përmend të menduarit ndryshe vetëm për të pretenduar se transferimi i debatit politik në rrjete sociale i ndalon njerëzit të kenë shkëmbime reale me ata që kanë mendime të ndryshme.
“Migrimi i debatit politik nga institucionet, gazetat dhe kafenetë në mediat sociale po na bën të zëvendësojmë kujdesin me nxitimin dhe kompleksitetin me shkurtësinë. Po na pengon të shpjegojmë gjërat siç duhet, të kuptojmë se zgjedhjet shpesh përfshijnë shkëmbime dhe të përfshihemi në biseda thelbësore me ata që mendojnë ndryshe.”
Rregullatorët duhet të jenë në gjendje të “hapin me forcë kutinë e zezë të algoritmeve të mediave sociale” dhe “manjatët duhet të mbahen përgjegjës nëse algoritmet e tyre helmojnë shoqërinë tonë”, tha Sanchez.
Kryeministri spanjoll fajësoi kompanitë e mediave sociale që “na kanë transformuar në një shoqëri gjithnjë e më të ndarë dhe të lehtë për t’u manipuluar.”
“Pronarët e platformave të mëdha të mediave sociale, një grup i vogël tekno-miliarderësh… nuk janë më të kënaqur me mbajtjen e fuqisë pothuajse totale ekonomike”, tha Sanchez. “Tani ata duan gjithashtu pushtetin politik në një mënyrë që po minon institucionet tona demokratike.”
“Le të ndalojmë ata që duan t’i kthejnë ato [platformat dixhitale] në një armë për çmontimin e demokracive tona… le t’i bëjmë mediat sociale të mëdha përsëri,” përfundoi ai, duke luajtur me sloganin e fushatës së Trump “Make America Great Again”.
Sanchez rekomandoi që “CEO-t e mediave sociale [të mbahen] personalisht përgjegjës për mospërputhje me ligjet dhe normat në platformat e tyre”, duke e përshkruar një përgjegjësi të tillë si jo të ndryshme nga ajo që kanë shumica e pronarëve të bizneseve për produktet e tyre.
Britania ka ndërmarrë një hap të ngjashëm. Sipas rregullave të sigurisë në internet, menaxherët e lartë në kompanitë e teknologjisë përballen me përgjegjësi penale në situata të caktuara, kryesisht për çështjen relativisht të vogël të dështimit për t’iu përgjigjur siç duhet kërkesave për informacion.
Spanja i është bashkuar qeverive në mbarë botën që janë të shqetësuara me ndikimin e mediave sociale tek fëmijët dhe adoleshentët. Spanja ka kufizuar përdorimin e telefonave celularë në shkolla, ndërsa Sanchez ka dënuar atë që ai e quan një epidemi të pornografisë në internet që po prek gjithnjë e më shumë fëmijët e vegjël.
Sanchez e ka akuzuar më parë Elon Musk për sulmin ndaj institucioneve demokratike të Europës dhe “nxitjen e urrejtjes”. Ai i kërkoi Europës të luftojë kundër një “kaste” të re teknologjike që kërkon të kontrollojë qeveritë perëndimore përmes platformave të tyre të mediave sociale.