Vazhdojnë skemat mashtruese online për mbledhjen e klikimeve duke përdorur emrin e markave të njohura. Faktoje verifikoi një tjetër skemë, ku është përfshirë kompania Samsung, duke pretenduar se ofron qindra telefonë falas për ndjekësit në rrjetet sociale.
Postime të shpërndara në Facebook, pretendojnë se kompania Samsung po organizon një lojë, ku thuhet se do të jepen 350 telefonë falas për ndjekësit në rrjetet sociale. Nëpërmjet postimit, përdoruesve online u kërkohet që të komentojnë ngjyrën e preferuar të telefonit që duan të marrin.
“Surpriza speciale e sotme. Sot është ditëlindja e Samsung dhe ne po dhurojmë 350 telefona të rastësishëm. Futni ngjyrën e dëshiruar. p.sh. (blu)”-shkruhet në postime të shpërndara në rrjetet sociale.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Faktoje vendosi të bëjë një verifikim te këtij postimi, fillimisht duke parë profilin nga i cili ka ardhur ky informacion. Vihet se ky profil ka rreth 300 ndjekës dhe nuk është profili zyrtar i kompanisë Samsung.
Postimi ka marrë mijëra komente dhe shpërndarje, duke u bërë një burim dizinformimi për lexuesit online.
Në një kërkim të bërë në Facebook, shihet se faqja zyrtare e Samsung është e verifikuar nga Facebook dhe ka postime reklamuese mbi produkte të ndryshme të kësaj kompanie. Mirëpo, në asnjë postimi nuk flitet për skema shpërblyese për ndjekësit online.
Gjithashtu, në ëebsite zyrtare të Samsung, kompania ngre shqetësimin në lidhje me këto skema mashtrimi. Kompania tregon si mund të dallojmë skemat e mashtrimit.
“Ka qindra mashtrime që bëjnë xhiron e tyre çdo ditë dhe për fat të keq këto lloje mashtrimesh janë praktikisht të pamundura për t’u gjurmuar.
Megjithatë, disa mesazhe të padëshiruara mund të vijnë herë pas here te ju, kështu që ju lutemi bëni kujdes dhe raportojini”, apelon Samsung.
Skema të tilla janë krijuar për të mashtruar qytetarët, me qëllim rritjen e ndjekësve në këto profile, të cilëve më pas u ndryshohet emri dhe shiten për individë apo biznese të ndryshme.
Faktoje ka verifikuar një sërë skemash të tilla ku janë përdorur emra kompanish të njohura, për të tërhequr përdoruesit e rrjeteve sociale.