Në një vizitë më pak se 24 orëshe në Tiranë, presidenti Volodimir Zelenski përcolli mesazhe kyçe në lidhje me sigurinë, duke përfshirë edhe rajonin e Evropës Juglindore. Përveç nënshkrimit të marrëvshjeve të bashkëpunimit me qeverinë shqiptare Zelenski iu drejtua edhe liderëve të rajonit në samitin me temë “Ukrainë-Evropa Juglindore” ku kryefjalë ishte qëndrimi në bllok kundër Putinit, që të triumfojë siguria.
Jona Plumbi
Samiti “Ukrainë – Europa Juglindore” i organizuar vetëm 4 ditë pas 2 vjetorit të nisjes së agresionit rus në Ukrainë, u mbajt këtë të mërkurë në Tiranë.
Pjesëmarrës në takim ishin presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, Jakov Milatović i Malit të Zi, Stevo Pendarovski i Maqedonisë së Veriut, kryeministri kroat, Andrej Plenkovic dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Borjana Kristo.
I pari që mbërriti në Tiranë ishte presidneti ukrainas, Volodymir Zelenski, i cili zbriti në Rinas një ditë më parë. Kryeministri Edi Rama e priti Zelenskyn në kryeministri mëngjesin e 28 shkurtit ku firmosën një marrëveshje dypalëshe miqësie dhe bashkëpunimi.
Samiti nisi me fjalën e kryeministrit shqiptar Edi Rama i cili falenderoi Zelenskyn dhe liderët e vendeve të Europës Juglindore pjesmarrës në këtë samit në Tiranë.
“Katastrofë e ngjizur nga vendimi i një njeriu të vetëm, që ka sfiduar botën tonë demokratike” – e cilësoi Rama luftën në Ukrainë, rezistencën e së cilës e sheh si tregues të faktit që Putin nuk ia ka arritur qëllimit të tij për ta fshirë Ukrainën nga harta brenda pak ditësh.
Mbledhjen në këtë Samit, kryeministri shqiptar e quajti si shenjë të rikonfirmimit se vendet mbeten të bashkuar në përgjigjen ndaj këtij konflikti.
“Mbetemi të vendosur krah Ukrainës përballë kërcënimit real ndaj sigurisë së Europës dhe rendit global.” – tha Rama edhe pse pak karrige më tutje, ulur krah pjesëmarrësve ishte edhe Vuçiç, presidenti serb i cili ka refuzuar të bashkohet me planin e masave kundër Rusisë të vendosura nga Bashkimi Europian.
“Oportunizëm cinik” i quajti kryeministri Rama thirrjet për çarmatimin e Ukrainës që po dëgjohen në Europë.
“Atyre u them se mënyra për t’i dhënë fund luftës nuk është të çarmatosim viktimën, por të ndalim agresorin.” – tha Kryeministri Rama i cili në përmbyllje thesoi se te ndalosh Ukrainën në vend të Putinit, legjitimon agresorin dhe nxit një agresion të mëtejshëm.
Në vijim të Samitit, presidenti ukrainas Volodymir Zelenski falenderoi kryeministrin Rama për mbështetjen personale dhe shtetërore për Ukrainën, si në aspektin ushtarak dhe humanitar ashtu edhe në aspektin politik.
Zelensky theksoi se kohët e sotme po përcaktojnë rrugëtimin të cilin do e ndjekë Europa për breza të ardhshëm.
“Të gjithë e kuptojnë që tani po përcaktohet rrugëtimi që do të ndjekë Europa për breza të ardhshëm dhe ne të gjithë duam që Europa të jetë ajo hapësirë në të cilën çdo komb, çdo vend përcakton fatin e vet. Është shumë e rëndësishme që regjimi i Putin të humbasë. Dështimi i tij është siguria jonë.”
Presidenti ukrainas i shprehu mirënjohjen vendeve të cilat kanë mbështetur planin e tij me 10 pika për përfundimin e luftës, plan të cilin Shqipëria e firmosi kët të mërkurë.
Së fundmi, Zelensky theksoi rëndësinë e mbrojtjes dhe mbështetjes që i është ofruar vendit të tij, mbështetje e cila mund të përmirësohet me tej.
“Kemi treguar se është e mundur t’i bësh ballë një armiku që duket si nga më të fuqishmit në botë. Kur kombet bashkëpunojnë dhe njerëzit janë të angazhuar për rezistencë. Ekipi i qeverisë sonë do të prezantojë të gjitha detajet dhe ne propozojmë që të organizohet një forum i posaçëm për industrinë e mbrojtjes ndërmjet Ukrainës dhe Ballkanit qoftë në Kiev apo në ndonjë nga kryeqytetet tuaja.”
I pyetur gjatë konferencës për shtyp nëse Ballkani Perëndimor është i rrezikuar nga Rusia, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama theksoi se ky rrezik është patjetër prezent, por kjo nuk do të thotë se Rusia do sjellë ushtrinë e saj në Ballkan, por se sulmi që nisi në Ukrainë mund të përsëritet tjetërkund ku Bashkimi Sovjetik ka qenë prezent.
Në përfundim të ditës së parë të këtij samiti, liderët e pranishëm firmosën një deklaratë të përbashkët me 12 pika.
Deklarata dënon agresionin e paprovokuar ushtarak të Rusisë në Ukrainë si rrezikun më të madh ndaj sigurisë Europiane dhe paqes ndërkombëtare. Firmëtarët përmes saj mbështesin integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës brenda kufijve të saj, të njohura prej vitit 1991, theksojnë përkushtimin për t’i ofruar asaj mbështetjen e nevojshme për të fituar ndaj agresionit rus.
Në këtë deklaratë theksohet gjithashtu rëndësia për të pasur një Europë të bashkuar, të pajisur për t’i bërë ballë sfidave globale për paqe, duke mbështetur njëkohësisht rrugën europiane për Ballkanin Perëndimor, Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Firmëtarët gjithashtu mbështesin aspiratat e Ukrainës për antarësim në NATO sa më shpejt të jetë e mundur, shtimin e bashkëpunimit për të luftuar dezinformimin, përfshirë narrativat e gënjeshtërta lidhur me luftën.
Deklarata përmbyllet me fjalët:
“Ne, miqtë e Ukrainës, konfirmojmë besimin tonë të fortë se vetëm duke u bashkuar do të jemi në gjendje të rivendosim paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e drejtë në kontinentin evropian.”