.

.

BallinaNë lupën e FakteveSa rezultat dha vaksinimi ‘derë më derë’ në Tiranë?

Sa rezultat dha vaksinimi ‘derë më derë’ në Tiranë?

8 muaj pas shpalljes së aksionit për vaksinimin derë më derë, kundër Covid-19, të shpallur nga Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu, ecuria e procesit le për të dëshiruar. Në Tiranë ku jeton rreth 1/3 e popullatës së vaksinueshme, deri në tetor 2021 ishte vaksinuar jo më shumë se 30% siç pranonte vetë Ministrja. Sipas përgjigjes së vonuar zyrtare nga MSH, nga tetori 2021 deri në maj të këtij viti në Tiranë janë aplikuar mbi 626 mijë doza vaksine anti covid, ndërsa në të gjithë bashkitë e tjera jo më shumë se 332 mijë doza.

—————————————————————————-

Në muajin tetor të një viti më parë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, gjatë një takimi me administratorët e njësive bashkiake njoftuan nisjen e fushatës derë më derë me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për t’u vaksinuar ndaj Covid-19.

“Ky aksion është aksioni derë më derë në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Nevoja është të jemi të gjithë së bashku, edhe me drejtuesit e njësive administrative. Tirana sot është e vaksinuar afro 30%. Në fakt, 1/3 e popullatës sonë, +18 vjeç është në Tiranë, popullatë e cila është edhe target i vaksinimit”, u shpreh ministrja.

Gjatë këtij takimi, kryebashkiaku Veliaj caktoi edhe detyrat për administratorët: “Jo vetëm ne do bashkëpunojmë, por do vëmë edhe disa targete, se ndryshe kur përgjegjësia është e të gjithëve është edhe e askujt.

Secili prej jush, jo në marrëdhënie me Ogertën, tani në marrëdhënie me mua, si administrator do vlerësohet sa është shkalla e vaksinimit në atë njësi. Kështuqë ju lutem, shiheni me seriozitet, do u japim një objektiv individual për secilin të administruar nga stafet tuaja. Ky do jetë një objektiv edhe i njësuar me stafin mjekësor”.

Në lidhje me procesin e vaksinimit derë më derë dhe mënyrën e realizimit të tij, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë

Një prej pyetjeve që ne i drejtuam këtij institucioni lidhej me target-grupin që synohej të arrihej nëpërmjet kësaj fushate.

Ne morëm një përgjigje zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë në datën 20 prill:

“Ky proces ka filluar të aplikohet në verën e vitit të kaluar dhe vijon edhe në këto momente që të mbulohet nga stafet e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe të QSH në të gjithë vendin. Për të pasur një sukses në këtë fushatë dhe me qëllim shtrirjen e vaksinimit në të gjithë territorin e vendit, krahas masave të tjera të ndërmarra nga strukturat përkatëse për vaksinimin masiv të qytetarëve dhe në pikat më të largëta të vendit, nga strukturat e OSHKSH krahas burimeve të tjera, janë dedikuar dhe vënë në përdorim edhe një numër i caktuar makinash lëvizëse”, sqaron MSH.

Më tej bëhet e ditur zyrtarisht se fushata ka në fokus të sëmurët kronikë dhe personat mbi 60 vjeç.

Por, cili ishte synimi i kësaj fushate sipas Ministrisë së Shëndetësisë:

“Këtu kemi parasysh se në fazën e fillimit derë më derë të vaksinimit, qëllimi ishte të aplikoheshin sa më shumë doza të dyta tek popullata shqiptare, ndërsa duke filluar nga muaji nëntor 2021, objektivave tona i janë shtuar dhe aplikimi i dozës së tretë (Booster) për popullatën dhe sidomos për moshat e treta që kanë vështirësi në lëvizje apo për shkuarjen tek ambientet shëndetësore të përcaktuara për vaksinimin”.

Por, në përgjigjen e saj, Ministria e Shëndetësisë nuk jep të dhëna sa persona janë vaksinuar që pas shpalljes së aksionit të vaksinimit derë më derë.

Përgjigjja e Ministrisë së Shëndetësisë, 20 prill 2022

Ne iu drejtuam me një tjetër kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë, ISHP-së dhe Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor ku e pyetëm konkretisht në lidhje me shifrat e vaksinimit, sidomos në Tiranë, aty ku është përqendruar edhe sipas deklaratës së ministres 1/3 e popullsisë së vaksinueshme.

Kërkesa për informacion dërguar tre instiucioneve, 19 maj 2022

Ne morëm një përgjigje të paplotë nga Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor, i cili njofton se nga muaji Tetor 2021 deri në datën 19 Maj 2022 në të gjitha pikat e vaksinimit në vend janë aplikuar në total 1,013,919 doza të vaksinës anti-Covid.

“Për sa i përket të dhënave lidhur me procesin vaksinimin sipas Bashkive/ Njësive Administrative ju bëjmë me dije se DQOSHKSH mbledh të dhëna operative nga institucionet e varësisë të cilat janë të përgjithshme. Të dhënat që publikohen në CDC dhe OBSH raportohen nga ISHP”, sqaron Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor.

Rreth një muaj pas kërkesës për informacion, më 16 qershor marrim një përgjigje nga Instituti i Shëndetit Publik, ku na vihen në dispozicion shifrat e vaksinimit në të gjithë vendin, por edhe specifikisht për Tiranën.

“Vetëm në periudhën tetor 2021 deri në maj 2022 janë aplikuar 958159 doza vaksine ndaj Covid-19. Vetëm në periudhën tetor 2021 deri në maj 2022. Në Bashkinë Tiranë janë aplikuar 626102 doza vaksine ndaj Covid-19”, njofton zyrtarisht ISHP.

Më tej shton: “Qendrat shëndetësore më numër më të ulët vaksinimi duke pasur parasysh popullsinë e zonës janë:

QSH Zall-Bastar/ Njësia administrative Zall-Bastar

QSH Pezë/ Njësia administrative Pezë

QSH Krrabë/ Njësia administrative Krrabë

QSH qytet Studenti/ Njësia administrative Krrabë”.

Ndërsa, qendrat shëndetësore me numër më të lartë vaksinimi janë:

“QSH 10/ Njësia administrative 4

QSH 8/ Njësia administrative 5

QSH6/ Njësia administrative 6

QSH1/ Njësia administrative 2”

Gjithashtu, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë së Tiranës, ku ndër të tjera e pyetëm si kishte ecur procesi i vaksinimit në Tiranë, pas shpalljes së aksionit për vaksinimin ‘derë më derë’.

Kërkesa për informacion dërguar Bashksië Tiranë, 19 maj 2022

Ne morëm përgjigje nga njësitë administrative, të cilat pohuan se e kanë ndjekur procesin e vaksinimit, duke zhvilluar fushata ndërgjegjësimi dhe komunikimi me qytetarët dhe stafet mjekësore.

Faktoje kontaktoi edhe me administratorë të njësive të tjera bashkiake në kryeqytet, të cilët bënë të ditur se pas apelit të kryebashkiakut Veliaj kanë zhvilluar takime me drejtorët e qendrave shëndetësore në lidhje me të vaksinimit anti-Covid.

“Kemi zhvilluar mbledhje me drejtuesit e qendrave shëndetësore, por edhe ndërlidhësit e komunitetit, ku u kemi kërkuar që t’i kushtojnë rëndësinë e duhur vaksinimit. Nuk kemi pasur urdhra apo komunikime të tjera për këtë proces”, sqarojnë ata.

Postim në rrjetin social Facebook nga NjA 4

Faktoje pyeti ekspertin Erion Dasho, i cili thekson se institucionet përgjegjëse nuk e kanë infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar fushatën e vaksinimit derë më derë.

“Për sa i takon fushatës derë më derë nuk kam të dhëna nga terreni, por mendoj se për të organizuar një fushatë të tillë nevojiten sisteme logjistike të konsoliduara, të cilat Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik nuk i kanë”, thotë Dasho.

Eksperti shprehet se procesi i vaksinimit në Shqipëri nuk është në nivele të kënaqshme.

Me diçka më shumë se 2.8 milion doza vaksine të administruara, mendoj se fushata e vaksinimit në Shqipëri nuk është në nivele të kënaqshme. Sipas të dhënave të ministrisë, janë 1.3 milionë persona të vaksinuar me dozën e parë, 1.2 milionë me të dytën dhe rreth 300 mijë të vaksinuar me dozën e tretë.

Duke pasur parasysh se për pjesën dërrmuese të këtyre personave është administruar vaksina e prodhuar në Kinë, për efektivitetin e së cilës nuk u shpreh asnjëherë EMA dhe as FDA, kuptohet se efekti që kjo fushatë ka pasur në mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve mbetet me një pikëpyetje të madhe”, argumenton Dasho.

Verifikimi në terren

Faktoje bëri një verifikim në fshatin Shtiqën të Kukësit. Disa prej banorëve tregojnë se grupe vaksinatorësh kanë shkuar në banesat e tyre, të tjerë e mohojnë.

“Asnjë nuk ka ardhur për vaksinat, gënjejnë. Unë s’e kam bërë vaksinën për vete”, tregon një banor i fshatit.

Një i moshuar rrëfen: “Kanë ardhur në periudhën shkurt-mars të këtij viti, kështu ka qenë. Na thoshin që duhet të vaksinohemi. Unë jam i vaksinuar, i kam bërë të dyja dozat. Jam me diagnozë me probleme në zemër, nuk do e bëj dozën e tretë”.

Ne u interesuam edhe pranë qendrës shëndetësore Shtiqën në qytetin verior mbi ecurinë e vaksinimit dhe nëse kishin shkuar ‘derë më derë’ për të vaksinuar dhe informuar popullatën mbi rëndësinë që ka kryerja e vaksinës anti-Covid.

Qendra shëndetësore Shtiqën, maj 2022

“Për momentin është qetësi, ka rënë vaksinimi, Sado fillon sezoni turistik, lehtësohen masat dhe në dogana. Ka rënë pak puna. Njerëzit bëjnë planfikimin për t’u vaksinuar me mjeken e familjes dhe pastaj vijnë këtu te ne për t’u vaksinuar. Ka edhe nga ata që vijnë me dëshirë vetë, për arsye udhëtimi dhe që u duhet vaksina”, tregon vaksinatorja e kësaj qendre.

Më tej ajo shton se gjatë gushtit të vitit të kaluar, kanë shkuar ‘derë më derë’ për të vaksinuar banorët.

Qendra shëndetësore Shtiqën, maj 2022

“Vaksinimin derë më derë e kemi pasur edhe ne, në gusht e kemi bërë dhe ka funksionuar. Kemi shkuar dhe i kemi vaksinuar njerëzit te shtëpia. I kemi marrë vaksinat me termusë dhe gjërat e domosdoshme. Para se t’i vaksinonim edhe nëpër shtëpi, kanë plotësuar formularin e miratimit”, thotë vaksinatorja e qendrës shëndetësore Shtiqën.

 Shifrat e vaksinimit

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, që nga nisja e procesit të vaksinimit më 11 janar 2021 deri më 8 qershor të 2022, janë kryer në total 2,868,678 vaksinime anti-COVID, por mungojnë të dhënat për bashkinë e Tiranës, me numrin më të madh të popullsisë së vaksinueshme në krahasim me bashkitë e tjera. MSH ka regjistruar edhe vaksinimet e kryera nga qytetarët shqiptarë jashtë vendit.

Gjatë muajit korrik të 2021, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi se përgjatë gjithë verës ekipet e vaksinimit do të shkonin derë më derë, duke vijuar fushatën e vaksinimit edhe nëpërmjet njësive të lëvizshme.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img