INVA HASANALIAJ
Partia Socialiste, gjatë fushatës për zgjedhjet në vitin 2017, ndër premtimet madhore për transportin rrugor rendiste disa projekte ambicioze, rrjetin qendror Ten-T Core korridori Adriatiko Jonian, përfundimin e bypass-it të Fierit dhe atij të Vlorës dhe Rrugën e Arbrit. Faktoje bëri një verifikim në terren në fund të mandatit të dytë qeverisës, për realizimin e këtyre veprave, një pjesë e të cilave ishin premtuar që në 2013-n.
………………………………………………….
Në fushatën elektorale të vitit 2017, në programin e qeverisjes së PS e cila kërkonte mandatin e dytë theksonte:
“Ndër projektet më prioritare të Qeverisë Shqiptare do të jenë: rrjeti qendror TEN-T Core; korridori Adriatiko – Jonian; rrjeti kombëtar: përfundimi i bypass -it të Fierit dhe atij të Vlorës dhe Rrugën e Arbërit.”
Çfarë ka ndodhur me secilin nga këto projekte në fund të mandatit 2017-2021?
TEN-T Core
Programi Trans-Europian i Rrjetit të Transportit (TEN-T Core) i inciuar nga BE qw synon të përfundojë dhe modernizojë rrugët e transportit deri në vitin 2030. Programi TEN-T u krijua në vitin 2006 nga Komisioni Europian për të mbështetur ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së transportit në të gjithë Bashkimin Europian. Shqipëria, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit, është pjesë e Zgjatimit Indikativ të këtij rrjeti, por zbatimi ende nuk ka nisur.
*Harta me të dhënat për rrjetin ekzistues
Faktoje bëri kërkime në faqen zyrtare të BE ku ofrohen të dhënat e përditësuara për projektin dhe konstatoi se deri më sot Shqipëria nuk është përfshirë në hartë me asnjë rrugë ekzistuese si pjesë e këtij projekti.
Shqipëria parashikohet të përfshihet në rrjetin europian TEN-T, përmes autostradave Adriatiko – Joniane (që në pjesën më të madhe në territorin shqiptar përputhet me aksin rrugor Veri – Jug) dhe që është i Korridorit të Mesdheut.
Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion në Ministrinë e Transportit ku kërkoi të dhëna mbi ecurinë e këtij projekti dhe mëssoi se deri në këtë moment është kryer vetëm studimi i fizibilitetit, por nuk ka nisur asnjë punim.
*Përgjigjja nga Ministria e Transportit
Kategoria: Premtim i pambajtur
Bypassi i Fierit
Më 6 dhjetor 2018 Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi mbylljen e procedurave të përzgjedhjes së kompanisë e cila do të punonte për Bypassin e Fierit dhe që do të lidhte rrugën kombëtare Levan-Vlorë me atë Lushnje-Fier . Vlera e projektit në kontartë shënonte 37,944,221 Euro ndërsa kompania që do të merrte përsipër punimet ishte “CGC, Combined Group Contracting” .
*Pamje nga projekti fillestar
Për këtë projekt ka pasur një sërë premtimesh dhe afatesh të cilat datojnë që prej vitit 2014.
Në Maj 2014, Kryetari i Bashkisë Fier Baftjar Zeqo, së bashku me inxhinierin e kompanisë italiane që kishte marrë përsipër punimet e Bypassit, premtuan se pas 18 muajsh, pra diku nga dhjetori i vitit 2015-të, ky aks rrugor do të ishte i përfunduar sipas të gjitha parametrave.
Në 14 tetor 2016, Ministri i Transporteve Sokol Dervishaj tha: “Unë jam shumë i kënaqur që ecuria e këtij projekti pavarësisht që ka pasur vonesa dhe konflikte është tejkaluar dhe tani po punohet me kapacitet të plotë dhe kemi besimin e madh se ky projekt do të përfundojë në pranverën e ardhshme.” Sipas Dervishajt, në pranverë të 2017-s, Bypassi duhet të ishte i përfunduar.
Më 22 janar 2018, Zv. Ministri i Infrastrukturës Artan Shkreli tha: “Në prill fillon puna për Bypassin e Fierit dhe të Vlorës, nëqoftëse çdo gjë shkon mbarë, nuk e vëmë dorën në zjarr, por dëshira jonë është që në korrik Bypassi i Fierit të hapet me një korsi.”
Në Qershor 2018 Edi Rama tha: “Në shtator do të jemi gati për të filluar dhe për të mos ta ndalur më punën, në mënyrë që të kemi të përfunduar Bypassin e Fierit përpara sezonit tjetër turistik.”
Në Qershor 2018, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri deklaroi: “Jam besimplotë që brenda këtij viti ne do të fillojmë punimet dhe në këto dy Bypasse të rëndësishme (Fier dhe Vlorë) dhe shpresojmë që vitin tjetër Bypassi i Fierit, të jetë i përfunduar ndërsa Bypassi i Vlorës do të dojë më shumë kohë.”
Në 16/06/2020 Kryeministri Rama njoftoi përfundimin e punimve në këtë aks.
*Pjesë nga postimi i kryeministrit Rama i cili tregon dhe pamje nga bypassi i hapur
Nga verifikimi i Faktoje në terren, rezulton se pas 5 afateve të shkelura, By passi funksionon plotësisht.
*Pamje nga Bypassi i Fierit
*Pamje nga Bypassi i Fierit
*Pamje nga Bypassi i Fierit
Kategoria: Premtim i mbajtur
Bypassi i Vlorës
Ashtu sikurse bypassi i Fieri edhe ai i Vlorës ka qenë subjekt i premtimeve të vazhdueshme ndër vite, por edhe i kontratave të prishura pas nënshkrimit me qeverinë shqiptare.
Në datën 19 mars 2015 u firmos kontrata e punimeve për Bypass-in e Vlorës ku ish-Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto kërkoi nga kompania që të punojë me standarde të larta sidomos për sinjalistikën dhe sigurinë rrugore.
Në gusht të 2017-s, qeveria njoftoi prishjen e kontratës me kompaninë italiane “Serenisima” për mospërmbushje të detyrimeve dhe rinisjen procedurave të tenderimit.
Pamje nga segmenti i bypass-it të Vlorës
Në nëntor të vitit 2018 Autoriteti Rrugor Shqiptar nënshkroi kontratën me kompaninë kontraktore shqiptaro-italiane “Gener 2 & Impresa Ing.E.Mantovani”, për nisjen e punimeve në këtë bypass, kontratë me një vlerë prej 35.8 milionë euro.
Dy vite pas nisjes së punimeve në 26/06/2020 Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho dhe kryetarin e bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, inspektuan ecurinë e punimeve në këtë segment.
Duke iu referuar ecurisë së punimeve, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, u shpreh se janë të gjitha mundësitë që kjo vepër të jetë plotësisht e përfunduar dhe e aksesueshme për qytetarët në shkurt të vitit të ardhshëm.
Pas kësaj deklarate Faktoje shkoi në terren në 9 prill për të parë nëse ky aks kishte përfunduar, por ndyshe nga ajo çfarë ministrja Balluku kishte premtuar, bypassi ende nuk kishte përfunduar.
*Pamje nga punimet për Bypassin e Vlorës, 9 prill 2021
*Pamje nga punimet për Bypassin e Vlorës, 9 prill 2021
*Pamje nga punimet për Bypassin e Vlorës, 9 prill 2021
*Pamje nga punimet për Bypassin e Vlorës, 9 prill 2021
Pavarësisht premtimve ndër vite bypassi i Vlorës ende nuk ka përfunduar.
Kategoria: Premtim i pambajtur
Rruga e Arbërit
Për rrugën e Arbrit janë dhënë shumë afate e premtime, 11 prej tyre i kemi numërurar vetëm në periudhën qershor 2015-qershor 2018. Me afrimin përfundimit të mandatit të dytë qeverisës, është premtuar përfundimi i kësaj rruge përpara zgjedhjeve të 25 prillit.
Pamje nga punimet në rrugën e Arbërit, 5 mars 2021
Megjithatë kur kanë mbetur më pak se dy javë nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme, projekti i Rrugës së Arbrit nuk ka përfunduar.
Kategoria: Premtim i pambajtur