Procesi i rindërtimit të 31 pallateve në Shijak nuk ka përfunduar, siç deklaroi kryebashkiaku Elton Arbana. Fondit Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia e Shijakut pranojnë për Faktoje se ka ende pallate që janë në proces, duke dhënë shifra të ndryshme për objektet e përfunduara. Ndërkohë, të dy institucionet pranojnë se qytetarët nuk janë futur ende në këto pallate.
Ilda Hoxha
Më 1 mars 2023, kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana deklaroi se kishte përfunduar ndërtimi i 31 pallateve, pjesë e procesit të rindërtimit në këtë bashki, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
“Procesi i rindërtimit në Bashkinë e Shijakut është i përfunduar tanimë, ka ngelur vetëm infrastruktura e brendshme, asfaltimi i disa pjesëve të rrugëve që ndodhen në lagjen ‘Lugina’. Në Bashkinë e Shijakut janë demoluar 31 pallate para dy vitesh, i kemi demoluar, kemi bërë të gjithë procesin dhe sot ne I kemi të mbaruar 31 pallate, në të cilat do të akomodohen rreth 630 familje”, deklaroi Arbana.
Në lidhje me procesin e rindërtimit, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si njësi zbatuese e tij. Ndër të tjera ne e pyetëm FSHZH se në çfarë faze janë punimet për ndërtimin e 31 pallateve në Shijak.
“Për sa i përket Rindërtimit të banesave kolektive, sqarojmë se; në zbatim të Akti Normativ nr. 9, datë 16.12.2019 ‘Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore’ me VKM-në nr. 45, datë 22.01.2020 ‘Për shpalljen e zonës së re për zhvillim në Njësinë Administrative Shijak, Bashkia Shijak, dhe caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si Njësi Zbatuese’ është caktuar Njësi Zbatuese për ndërtimin e banesave të reja ose ndërtesave publike të dëmtuara; ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike e kritike; realizimin e ndërtimeve në këtë zonë dhe çdo ndërhyrje tjetër, në funksion të rindërtimit të kësaj zone me qëllim akomodimin në banesa të reja të gjithë banorëve të prekur nga kjo fatkeqësi duke konkluduar në ndërtimin e 32 pallateve sipas PDV sw miratuar. Nga ndërtimi i këtyre 32 pallateve, përfitohen në total 656 njësi banimi me tipologji të ndryshme 1+1, 2+1 dhe 3+1”, thekson zyrtarisht FSHZH.
Ndërkohë, Fondi bën të ditur se në këtë bashki kanë përfunduar 21 pallate dhe janë në proces edhe 11 të tjerë.
“Për 21 pallatet e përfunduara të cilët përfshijnë 479 apartamente, nga ana e njësisë zbatuese janë plotësuar procedurat ose janë duke përfunduar procedurat e dorëzimit pranë njësisë së vetëqeversisjes vendore dhe pas këtij dorëzimi është kjo e fundit që bën ndarjen dhe akomodimin e familjeve sipas aketeve nënligjore përkatëse (short, etj).
Ju informojme se punimet e ndërtimit per 11 objektet që janë ende në proces zbatimi parashikohet të përfundojë brenda gjashtemujorit të parë te vitit”, sqaron më tej FSHZH, në përgjigjen që mban datën 23 shkurt.
Për sa i përket ecurisë së punimeve, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë Shijak më 8 shkurt.
Bashkia Shijak thekson ndër të tjera se FSHZH është njësi zbatuese dhe përgjegjëse për afatin e përfundimit të punimeve.
“Rindërtimi në Bashkinë Shijak ka ecur mjaft mirë, kanë përfunduar afro 87% e ndërtimeve në apartamente, prej të cilave 26 kanë përfunduar dhe 6 prej tyre janë në proces. Familjet akoma nuk janë akomoduar në apartamente, për shkak se Fondi Shqiptar I Zhvillimit që është edhe njësia zbatuese, është në proces të punimeve për infrastrukturën publike. Janë 537 familje që pritet të akomodohen në këto pallate”, sqaron Bashkia Shijak.
Ajo që vihet re nga përgjigjet zyrtare është se të dy institucionet e pranojnë se nuk ka përfunduar puna për ndërtimin e të gjithë pallateve, ndryshe nga çfarë deklaron kryebashkiaku Arbana. Përpos kësaj, ata japin shifra të ndryshme për sa i përket pallateve që janë ende në proces rindërtimi. FSHZH thekson se janë 11 pallate, ndërsa Bashkia e Shijakut flet për 6 pallate në process rindërtimi.
Në muajin nëntor 2022, Faktoje raportoi se kishte ende pallate, ku nuk kishin përfunduar punimet. Banorë i thanë Faktoje se në ‘Lagjen Popullore’ procesi ishte mbrapa, krahasuar me lagjet e tjera.
Premtimet për pallatet në Shijak
Më 3 nëntor, kryetari i Bashkisë Arbana tha se kishte përfunduar procesi i rindërtimit të 31 pallateve në Shijak.
“Sot është dita ime më e lumtur pasi po përfundojmë një punë aq intensive, jashtë orari dhe gati dy vjeçare e pak muaj me nisjen e procesit të rindërtimit. Kemi përfunduar krejtësisht me procesin e rindërtimit dhe tashmë kjo punë kurorëzohet me shpërndarjen e apartamenteve në 31 pallatet e kësaj bashkie”, u shpreh Arbana më 3 nëntor 2022.
Po në nëntor, kryeministri Edi Rama premtoi se 670 familjet do të futeshin në banesa brenda muajit.
“Besoj që të gjithë familjet, janë 670 familje nëse s’gaboj që do të hyjnë në këto apartamente të reja, do të hyjnë menjëherë”, deklaroi Rama.