.

.

BallinaPertejSa “mini” do të jetë Shengeni Ballkanik

Sa “mini” do të jetë Shengeni Ballkanik

MERXHAN DACI

Nisma për krijimin e një “Mini Shengeni” ballkanik u prezantua befas, vetëm pak kohë para se Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut t’u refuzohej hapja e negociatave me BE-në. Një projekt ende i pashkruar, Shengeni Ballkanik ka ngritur shumë pikëpyetje tek ekspertë të politikës së jashtme dhe medias nga Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Ja se çfarë i treguan ata “Faktojes”

————————————————————————————————

Takimi pa Kosovën dhe kritikat ndaj treshes

Në 10 tetor të këtij viti në Novi Sad të Serbisë u takuan kryeministri i Shqipërisë Rama, ai i Serbisë Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zaev.

Ata dolën me një deklaratë të përbashkët e cila synoi artikulimin e ngritjes së një strukture të ngjashme me Shengenin Europian, që do të quhet “Mini Shengeni Ballkanik”. Shtyllat e kësaj strukture do të jenë sipas liderëve katër liritë e Bashkimit Europian: Lëvizje e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve.

Megjithatë liderët e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës nuk morën pjesë në takim. Kritikat në Shqipëri dhe Kosovë ishin se ky projekt do të jetë një “Jugosllavi e re” me qendër Serbinë.

Kryeministri Rama njoftoi pas takimit të parë me dy homologët Vuçiç e Zaev se takimi i radhës do të mbahet pas një muaji, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Rama shtoi se Kosova do të jetë një nga gjashtë vendet e ftuara, pas zërave se ajo po mënjanohej nga nisma.

Takimi i Ohrit do të jetë në 10 nëntor, të ftuar janë të gjithë liderët e rajonit, por edhe partnerët ndërkombëtarë. Qëllimi është ta kthejmë rajonin nga një zonë konfliti në një zonë bashkëpunimi. Të ndërtojmë ura të reja, duam krijimin e një hapësire lirie të plotë”, tha Rama në Tiranë.

Ndërkohë Presidenti serb Vuçiç tha se “brenda vitit 2021 do të mund të bëhet e mundur lëvizja e njerëzve në Ballkanin Perëndimor vetëm me karta identiteti”.

“Faktoje” kërkoi të merrte zyrtarisht informacion më të detajuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Tiranë për projektin e Shengenit Ballkanik, por nuk pati përgjigje.

Çfarë fiton Shqipëria nga “Mini Shengeni”

Agim Nesho, ish-diplomat, ekspert i politikës së jashtme mendon se parimisht ky projekt është pozitiv, por fakti që nuk ka patur një diskutim paraprak të bën të dyshosh për përdorjen e tij për qëllim propagandistike.

Projekti Ballkanik nuk na tha ndonjë gjë të vecantë, nuk kishte një diskutim përpara se sa të merrej një vendim i tillë. Si ide është pozitive, por mënyra si është bërë, duke mënjanuar vende të rëndësishme, si Kosova, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, tregon që ky pakt është më shumë për efekte propagandistike të treshes sesa një projekt i menduar mirë që do të ndihmonte afrimin e vendeve Balkanike me Europën”, tha Nesho për “Faktoje”.

Sipas Neshos, personalizimi i nismës së politikës së jashtme, pra më shumë e një protagonisti të vetëm (kryeministri) sesa një ide institucionale, tregon dështimet e herëpashershme të Qeverisë Shqiptare në raport me fqinjët. Ndërkaq Nesho jep edhe një argument tjetër sa i përket aspektit strategjik dhe ekonomik të projektit.

“Qëllimi i Shqipërisë është Bashkimi Europian. Çdo iniciativë e ndërmjetme do të shihej në avantazh të ekonomive më të mëdha si Serbia dhe rritje e mundësisë së aktorëve të tretë siç janë rusët. Nëse ne nuk kemi një projekt të studiuar se çfarë fitojmë dhe çfarë humbasim, ideja që thjesht jemi lojtarë, mund të prodhojë edhe elementë negativë në ekonomi”.

Rajoni: OK por me rezerva

Besnik Vasolli, nga Kosova, njohës i procesit të integrimit Europian thotë se çdo nismë rajonale e cila ka për qëllim integrimin e rajonit dhe bashkëpunimin e ndërsjelltë eshtë e mirëpritur në Kosovë. Por nga ana tjetër, sipas tij çdo nismë rajonale që është gjysmake apo nuk përfshin të gjitha shtetet e rajonit mund të jetë e dëmshme dhe kundërproduktive.

Rajonit nuk i duhen aleanca dhe ndarje të reja, i duhet konsolidim dhe bashkëpunim. Ajo që është më se e rëndësishme është që mungesat e barrierave për udhëtim i afrojnë popujt më shumë dhe largojnë paragjykimet për njëri-tjetrin. Pra përpos interesit ekonomik, interes dhe përfitim afatgjatë është relativizimi i tensioneve në mes shteteve të rajonit”, tha Vasolli.

A po lihet mënjanë këtij projekti Kosova? Kësaj pyetjeje Vasolli i përgjigjet se beson dhe shpreson që nuk ekziston si qëllim, sepse Kosova apo cilido shtet i lënë mënjanë nuk do të ishte në frymën evropiane dhe nuk do t‘i kontribuonte stabilitetit të rajonit sipas tij.

Nëse vetëm njëri nga shtetet e rajonit nuk do të jetë pjesë e kësaj iniciative i tërë projekti do të dështojë”, tha Vasolli.

Ndërkaq Bosko Jaksiç, kolumnist i njohur nga Serbia konfirmon për “Faktoje” se për “Mini Shengenin Ballkanik” nuk ka ndonjë debat domethënës në Beograd.

Është më shumë çështje e ambicjeve të një personi( Vuçiç) sesa një ide e konsultuar. Ballkani është një rajon i trazuar, me shumë histori dhe ky projekt ka shumë “POR”. Parimisht ideja duket pozitive, po të marrësh parasysh se doli si ide nga Procesi i Berlinit”, tha Jaksiç.

Megjithatë Jaksic paralajmëron se ky projekt mund të joshë “aktorë të tjerë”.

Aktorët e tretë si kinezët dhe rusët mund të vijnë në rajon pasi që tani kanë shfaqur interes. Rusia, sidomos po përdor çdo mundësi që të përfshihet. Si projekt ka akoma shumë mjegull”, shtoi ai.

Iskra Opetceska, gazetare me përvojë nga Maqedonia e Veriut mendon se çdo bashkëpunim midis vendeve fqinje është i domosdoshëm dhe i dobishëm, megjithatë kjo sipas saj duhet parë strategjikisht.

Ka disa gjëra për t’u mbajtur në mendje për këtë ide. Koha e propozuar (para marrjes së një date negociatash me Maqedoninë dhe Shqipërinë), momenti politik (marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës) dhe nënshkruesit (Zoran Zaev, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç)”, tha Opetceska për “Faktoje”.

Prandaj, përpara se të fillojë zbatimi i projektit, secili vend duhet të bëjë analizat e tij gjithëpërfshirëse socio-ekonomike dhe politike dhe të shohë cilat janë qëllimet e tij strategjike për të paktën 20 vjet më vonë”, shtoi Iskra Opetceska.

Tani që Kosova do të ketë kryeministër të ri, që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk morën “PO-në” nga Këshilli Europian për hapjen e negociatave, sytë janë nga Ohri. Mbetet për t’u provuar se sa do t’ia dalin liderët ballkanikë për të lënë pas ndasitë dhe projektuar në miniaturë idenë që shekullin e kaluar bashkoi Europën, por edhe pas kaq shumë vitesh ende jo Ballkanin.

Foto kryesore: Euractiv

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img