Barbara Halla
“6 muaj luftë, Rusia po heq dorë nga Krimeja?” shkruan portali Konica.al më datë 27 gusht, duke ju referuar një raporti sekret të NATO-s të cituar nga media amerikane Business Insider.
Burim: Konica.al
Business Insider është një burim i besueshëm dhe raporti që citon në artikullin origjinal me shumë gjasa është i vërtetë. Por ai nuk pretendon se Putini po heq dorë nga Krimea. Përkundrazi, raporti i NATO-s, përsëri sipas Business Insider, tregon se Rusia po tërheq të gjithë avionë luftarakë nga zona e Krimesë si pasojë e disa shpërthimeve që kane pasur si objektiv bazat ushtarake ruse në Krime.
Business Insider citon raportin në fjalë, “Rusia ka shpërndarë 10 herë avionë luftarakë nga Krimea në fusha të tjera ajrore në kontinentin e Rusisë për të parandaluar humbjet e mëtejshme nga sulmet ukrainase.”
Burim: Business Insider
Kjo taktikë e Rusisë i mbron armët më të shtrenjta, por e bën të pamundur përdorimin e tyre të plotë në kohë nevoje. Ndërkohë Ukraina ka nisur kundërsulme të shpeshta në zonën e Krimesë, pasi Presidenti Zelensky deklaroi se do të luftonin për të rrimarë Krimenë.
Burim: Gazeta Tema
Këto detaje të artikullit të Business Insider gjenden po ashtu në tekstin e artikullit të portalit Konica.al. Por, titulli i artikullit të përshtatur nga ky i fundit nuk është i vërtetë, dhe në fakt nuk mbështetet aspak nga teksti origjinal i cili flet vetëm për lëvizjet ushtarake nga Krimea dhe jo për planet afatgjata të Putinit për gadishullin.
Rusia, nën udhëheqjne e Putin, aneksoi Krimenë në vitin 2014, dhe e ka konsideruar territor të sajin deri më sot, edhe përse në legjislaturën ndërkombëtare ajo më shpesh konsiderohet si një territor autonom brenda Ukrainës, me disa perjashtime nga aleatët e Rusisë. Në gjashtë muaj luftë, territori i Krimesë ka qëndruar larg betejave dhe shpërthimeve. Por, në javën e dytë të gushtit të këtij viti, forcat ukrainase shenjestruan bazat ushatarake ruse në Krime duke treguar gadishmërinë për ta rrimarë këtë zonë nga duart e Rusisë.
Burim: ABC News
Krimea, një gadishull që shtrihet midis Detit Azov dhe Detit të Zi, ka një rëndësi strategjike për Rusinë duke qenë se i ofron asaj akses në pika kyçe tregëtie me Turqinë dhe Ballkanin. Si territor, ai u kolonizua nga Rusia që në shekullin e 18-të, dhe si pasojë, sot rreth 60% e popullsisë së Krimesë është me etnicitet rus, përqindja më e lartë në të gjithë Ukrainën. Prej kohësh Rusia, edhe përtej Putinit, e ka konsideruar gadishullin si territor të vetin i cili i ishte kaluar Ukrainës për shkak të një gabimi burokratik: në vitin 1954, presidenti i atëhershëm i Bashkimit Sovjetik Nikola Hrushevi, kaloi menaxhimin e Krimesë nga Rusia drejt Ukrainës.
Për arsye të marrëdhënies historike midis Rusisë dhe Krimesë, përbërjes së saj etnike dhe roli që mund të luaj për tregëtinë e Rusisë, projekti i Putin ka qenë gjithmonë që t’ja “rikthej” Krimenë Rusisë, duke pretenduar jo vetëm se rajoni i përketë me ligj Rusisë, por edhe se tutelazhi rus do të mbronte rusët e Krimesë. Pas aneksimit në mars të 2014-tës, Moska organizoi një referendum të kontestuar i cili pretendonte se 97% e banorëve të Krimesë duan të jenë pjesë e Rusisë.
Kjo do të thotë që pavarësisht manovrave ushtarake të kohëve të fundit, është vështirë të besohet se Putin do të heqi dorë nga Krimea: Rusia ka investuar miliarada në rindërtimin e Krimesë, duke u përpjekur të zhduki gjurmët e historisë ukrainase në Krime. Edhe sot, aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë shihet pozitivisht nga shumica e banorëve. Në një klimë të tillë, Putin nuk ka hequr dorë nga gadishulli i Krimesë, pavarësisht çfarë marrëveshjesh mund të përpiqet të negocjoi për pjesët e tjera të Ukrainës.