Pretendimi: Rusia dënoi me 14 vite burg një të ri për djegien e Kuranit në publik

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————–

Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon lajmi se një burrë rus është dënuar me 14 vite burg për djegien e Kuranit në publik.

Nikita Zhuravel, një 20-vjeçar rus i burgosur në Çeçeni u dënua vërtet me 14 vite burg më 25 nëntor, por akuza për këtë dënim ishte për tradhti të lartë dhe jo për djegien e Kuranit. 

Ndërsa Zhuravel u shpall fajtor për djegien e librit fetar, ky vendim u mor në shkurt dhe dënimi ishte 3 vjet e gjysmë burg. Ai kishte disa muaj që vuante atë dënim kur prokurorët rusë e akuzuan për tradhti.

Gjykata e Volgogradit e dënoi atë për tradhti të lartë me 14 vjet burg. Zhuravel u akuzua në Tetor se kishte regjistruar pamje të një treni mallrash që transportonte pajisje ushtarake dhe avionë luftarakë dhe ia kishte dërguar ato shërbimeve të sigurisë të Ukrainës.

Kjo akuzë erdhi muaj pas dënimit të tij nën akuzat e shkeljes së ligjeve të lirisë fetare dhe huliganizmit, lidhur me djegien e Kuranit. Autoritetet e arrestuan atë në Maj 2023

Ndërsa ishte në paraburgim atë Gusht, Zhuravel u rrah nga i biri 15 vjeçar i liderit çeçen Ramzan Kadyrov. Kadyrov mbrojti veprimet e djalit të tij, duke deklaruar publikisht se do të kishte qenë më mirë që djali i tij të kishte vrarë Zhuravel.

Adam Kadyrov më vonë mori titullin “Hero i Republikës së Çeçenisë”, nderimi më i lartë në rajon dhe mori vlerësime të tjera nga disa rajone ruse.

Grupi i të drejtave të njeriut Memorial e ka njohur Zhuravel si të burgosur politik, duke ngritur dyshime rreth akuzave për djegien e Kuranit dhe duke kritikuar transferimin e tij nga Volgograd në Çeçeninë e populluar kryesisht nga myslimanët për hetim dhe gjyq.

Organizata gjithashtu ka dënuar dhunën që Zhuravel ka përjetuar në paraburgim si shkelje të rëndë ligjore.