Pretendimi: Bashkimi Europian ia hoqi me dhunë fitoren kandidatit rumun Calin Georgescu.
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————
Pasi kandidati i ekstremit të djathtë Calin Georgescu u ndalua të rikandidonte në zgjedhjet presidenciale në Rumani, një numër postimesh në rrjete sociale, përfshi dhe ato shqipfolëse, pretendojnë se ishte Bashkimi Europian që “ia hoqi me dhunë fitoren” Georgescut.
Megjithatë, ishte autoriteti qendror zgjedhor i Rumanisë që, më 9 mars 2025, mori vendimin për të ndaluar rikandidimin e Georgescu në zgjedhjet e majit 2025. Autoriteti, i cili përfshin, pesë gjyqtarë dhe përfaqësues të grupeve politike në parlamentin e Rumanisë, votoi 10-4 në favor të ndalimit.
Në një vendim të detajuar, autoriteti zgjedhor tha se vendimi i tij bazohej në masën e Gjykatës Kushtetuese për të anuluar zgjedhjet pasi Georgescu nuk respektoi rregullat e votimit. “Është e papranueshme gjatë rivotimit të konsiderohet se i njëjti person plotëson kushtet e nevojshme për të hyrë në presidencë”, thuhej në argument.
Ligji rumun 370/2004, neni 29, thotë se autoriteti qendror zgjedhor i vendit është përgjegjës për refuzimin e kandidatëve zgjedhorë që “nuk plotësojnë kushtet ligjore”. Autoriteti zgjedhor në përgjithësi kontrollon vlefshmërinë e dokumenteve, deklaratave të pasurisë dhe financimit të fushatës.
Vendimi i autoritetit zgjedhor mund të kundërshtohet në Gjykatën Kushtetuese rumune.
“Pretendimet se BE ka patur përfshirje të drejtpërdrejtë në vendimin e Byrosë Qendrore të Zgjedhjeve për të hedhur poshtë kandidaturën e zotit Calin Georgescu janë të rreme”, tha autoriteti për Reuters.
Markus Lammert, një zëdhënës i Komisionit Evropian, tha në një konferencë për shtyp më 10 mars se Brukseli nuk ndërhyn në zgjedhjet kombëtare. “Autoritetet kombëtare janë përgjegjëse për zgjedhjet kombëtare dhe në fund të fundit zgjedhjet janë për njerëzit në çdo shtet anëtar,” tha Lammert, i pyetur në lidhje me vendimin për të ndaluar Georgescu.
Georgescu, një kritik i NATO-s që ka lavdëruar Rusinë, fitoi numrin më të madh të votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të Rumanisë më 24 nëntor 2024. Megjithatë, më 6 dhjetor 2024, gjykata e lartë e Rumanisë anuloi zgjedhjet.
Dy ditë më herët, dokumente të deklasifikuara nga këshilli i lartë i sigurisë i Rumanisë thanë se vendi ishte shënjestruar nga “sulme agresive hibride ruse” në një periudhë zgjedhjesh të njëpasnjëshme. Rusia ka mohuar çdo ndërhyrje në fushatat zgjedhore të Rumanisë.
Në dhjetor 2024, Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE, nisi procedurat ligjore kundër TikTok në lidhje me një “shkelje të dyshuar” të Aktit të Shërbimeve Dixhitale, i cili rregullon se si veprojnë kompanitë më të mëdha në botë të mediave sociale në Europë, gjatë zgjedhjeve rumune.
“Pas indikacioneve serioze se aktorë të huaj ndërhynë në zgjedhjet presidenciale rumune duke përdorur TikTok, ne tani po hetojmë tërësisht nëse TikTok ka shkelur Aktin e Shërbimeve Dixhitale duke dështuar në trajtimin e rreziqeve të tilla,” tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. “Ne duhet t’i mbrojmë demokracitë tona nga çdo lloj ndërhyrje e huaj, sa herë që dyshojmë për një ndërhyrje të tillë, veçanërisht gjatë zgjedhjeve, ne duhet të veprojmë me shpejtësi dhe vendosmëri.”
Faktoje ka përgënjeshtruar edhe më parë lajme të rreme lidhur me kandidatin rumun Georgescu.